Kitaristi me famë botërore Steve Masakowski nuk dëshironte t'i shtynte fëmijët e tij drejt muzikës, por të dy fëmijët, përfshirë vajzën Sasha, përqafuan xhazin gjithsesi. Fëmijët tani janë të rritur dhe familja e tyre në Nju Orlins vazhdon të bashkohet rreth pasionit të përbashkët – një lidhje që ata do ta festojnë edhe në Ditën e Baballarëve.
Steve Masakowski është kitarist xhazi, kompozitor dhe arsimtar nga Nju Orlins i Luizianës.
“Familja jonë është e lidhur me muzikën, pa dyshim. Gruaja ime është pianiste klasike, dhe ne në fakt u takuam kur ajo po ndiqte Universitetin Loyola ku po studionte muzikë. Unë isha duke luajtur në një klub xhazi të quajtur Tyler në atë kohë së bashku me Ellis Marsalis”, thotë ai.
“Quhem Sasha Masakowski, jam këngëtare, muzikante xhazi, këtu në Nju Orlins. Kujtimet e mia të fëmijërisë përfshijnë ndjekjen e babit duke performuar në Festivalin e Xhazit në Nju Orlins me grupin e tij. Ai ka luajtur me të gjithë. Është shumë i aftë. Dhe ai është, ju e dini, i njohur në të gjithë botën”.
"Unë vërtetë nuk doja t'i shtyja fëmijët e mi ose gruan time drejt muzikës. Doja që ata të provojnë gëzimin e muzikës pa patur presion. Dhe mendoj se, kjo ka ndodhur .”
“Ajo që më pëlqen tek xhazi është liria për të gjetur vërtet zërin tënd. Babai im, më ulte në piano kur isha e vogël dhe më mësonte duke stërvitur veshin dhe përpiqej të më mësonte si të improvizoja ndërsa ai luante kitarë”, thotë Sasha.
"Isha në vit të parë në shkollë të mesme dhe ishte një djalë që më kapi duart dhe më tha: "O Zot, ti i ke duart si babai yt" - sepse ai ishte shumë i dhënë pas muzikës. Dhe mendova, ‘Babai im është i njohur dhe mund ta përdorja këtë fakt në avantazhin tim"", thotë Sasha.
“Një nga gjërat më të paharruara për mua ka qënë performanca e parë së bashku. Të kujtohet?”
“Ishte në një restorant apo diçka të ngjashme”, thotë Steve.
“Luajmë bashkë dhe bëjmë turne së bashku. Do të shkojmë në Evropë. Është një eksperiencë e shkëlqyer të luash me fëmijët e tu”, thotë Steve.
“Puna me babin është si të them,.. ai është bosi im dhe ndonjëherë ta bën të njohur këtë fakt. Nëse jemi duke bërë prova dhe unë jam duke pare telefonin për të kontrolluar mesazhet apo diçka tjetër, ai më thotë – çfarë je duke bërë. Hiqe telefonin nga dora”, thotë Sasha.
"Ajo është një kompozitore me të vërtetë e shkëlqyeshme dhe shkruan tekste vërtet të mira. Në fakt, i kërkova asaj të shkruajë, tekste për disa nga kompozimet e mia dhe gjithmonë krijon tekste shumë të mira ... përveç faktit që është një artiste e shkëlqyeshme solo", thotë Steve.
“Jam vërtetë thellësisht mirënjohëse që ai është në jetën time, si muzikant me të cilin luaj, si mentor… por gjithashtu si baba. Ai është një nga njerëzit më të dashur, më të sjellshëm dhe më bujarë që kam njohur, vërtetë vetëmohues. Më ka mësuar shumë si -çdo të thotë të kesh një njeri vërtetë të fortë në jetë që është aty për ty në çdo rrethanë”, thotë Sasha.
“Si është babai im si person? Është shumë, shumë i zgjuar dhe mund të bëjë gjithçka. Mund të më rregullojë makinën, të ndreqë çdo gjë në shtëpinë time, që nga punët hidraulike tek elektriciteti”, thotë Sasha.
“Dita e Baballarëve – është e veçantë për mua tani tek i shoh fëmijët të rriten e të ndjekin karrierën e tyre. Është e mrekullueshme. Më bën shumë krenar. Ne të gjithë kemi karrierat tona të veçanta por mblidhemi si familje, dhe tërhiqemi të gjejmë terren të përbashkët në muzikën e Nju Orlinsit”, thotë Steve.
Facebook Forum