Lidhje

Maqedoni e Veriut: 9 viktima brenda një dite nga COVID-19


Nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut brenda 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 247.


Brenda këtij harku të shkurtër kohor janë shënuar edhe 90 raste të reja personash të prekur nga virusi duke e rritur numrin e të prekurve që nga shpërthimi i pandemisë në 5196 numrin. Ndërkohë 2975 mbeten raste aktive dhe 1974 rezultojnë të shëruar.

Prej nëntë vitkimave të fundit 5 janë nga Shkupi, 2 nga Tetova dhe nga 1 në Gostivar dhe Ohër. Ata janë të moshës nga 57 deri 70 vjeç. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha në një konferencë shtypi se as moshat e mesme nuk janë imune ndaj COVID-19 duke bërë të ditur se rreth 15 për qind e personave të prekur janë të moshës deri 39 vjeç.

Shkalla e lartë e vdekshmërisë nga virusi, sipas disa ekspertëve dhe autoriteteve shëndetësore është rezultat i testimit edhe pas vdekjes së pacientëve, të cilët humbin jetën nga sëmundje të tjera kronike. Nga ana tjetër, po shtohen kritikat sidomos nga opozita si maqedonase dhe ajo shqiptare se autoritetet nuk janë të afta ta menaxhojnë situatën e krijuar nga koronavirusi.

Deri tani janë kryer rreth 52 mijë testime. 49 pacientë po mbahen në oksigjen, 6 në respiratorë në klinkat e Shkupit, ndërkaq 48 pacientë kanë rezultuar të shëruar vetëm në 24 orët e fundit; prej tyre më së shumti, 30 nga qyteti i Shtipit. Dhjetra pacientë ndodhen të shtruar në spitale të qytetateve të tjerë.

Komuna e Çairit në Shkup me shumicë shqiptare është në krye të listës për nga numri i të infektuarve. Nga 1721 raste aktive në kryeqytet, 394 janë identifikuar në Çair. Thirrjet për respektimin e masave mbrojtëse, si mbajtja e maskave, ruajtjen e distancës fizike në shumë raste po shpërfillen. Ndaj këtyre shkeljeve gjobat kanë qenë mjaft të larta.

Ministri Filipçe tha se Japonia i ka dhuruar Maqedonisë së Veriut ilaçin Avigan për trajtimin e 100 pacientëve me COVID-19. Megjithëse ilaçi ende nuk është miratuar, ai ka dhënë efekte pozitive në trajtimin e sëmundjes, sipas ministrit maqedonas.

Ndonëse numrat e të prekurve dhe viktimave janë shqetësuese për një vend të vogël si Maqedonia e Veriut, autoritetet kanë vendosur që në vazhdën e lehtësimit të masave, së shpejti të lejojnë hapjen kazinove, palestrave sportive, funksionimin e transportit publik në Tetovë dhe lehtësime të tjera.

Qeveria në Shkup pritet të marrë vendim për hapjen e kufijve pa kushte. Aktualisht atyre që hyjnë në Maqedoninë e Veriut u kërkohet si provë një test me rezultat negativ i cili të jetë kryer brenda 72 orëve të fundit. Ministri Filipçe tha se vendet përreth janë në një rrezik të ngjashëm epidemiologjik dhe se do të bisedohet me ministritë e shëndetësisë së këtyre vendeve për të gjetur një mënyrë të përshtatshme për qarkullimin e shtetasve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG