Lidhje

Vota e të rinjve pritet të luaj rol madhor në zgjedhjet e nëntorit 


Të rinjtë (gjenerata e mijëvjeçarëve dhe ajo Z) kanë parë më shumë se shumë breza në moshën e tyre të re: një sulm terrorist në tokën amerikane në vitin 2001, dy kriza ekonomike dhe papunësi rekord, ngjarje ekstreme të motit, politikë përçarëse dhe një pandemi globale.

Dhe së fundmi, trazira sociale në përgjigje të vdekjes së George Floyd, një afrikano-amerikan që vdiq në duart e policisë në Mineapolis.

“Mijëvjeçarët Nuk Kanë Asnjë Shans” shkroi gazetarja e çështjeve ekonomike Annie Lowrey për revistën The Atlantic në pril.

Megjithatë ka mjaft shenja që tregojnë se të rinjtë amerikanë mund të luanin një rol të madh në zgjedhjet e vitit 2020, duke ndihmuar në përcaktimin e rezultatit të garës mes Presidentit Republikan Donald Trump dhe sfiduesit demokrat Joe Biden, si dhe në kontrollin e Kongresit, e më gjerë. Pjesëmarrja e tyre rekord në zgjedhjet e mes-mandatit të vitit 2018, shenja të aktivizmit politik dhe një numër i vogël çështjesh që përdoren si thirrje për tubime, përfshi borxhin e kolegjit, kujdesin shëndetësor dhe ndryshimin e klimës, janë prova të qarta.

Të rinjtë mund të vendosin zgjedhjet dhe pjesëmarrja e tyre është thelbësore për politikën tonë. Zgjerimi i elektoratit dhe adresimi i pabarazive në votimin e të rinjve është një detyrë thelbësore për forcimin e demokracisë, " thuhet në një raport të Qendrës për Informacion dhe Hulumtime në Angazhimet Civile (CIRCLE) në universitetin Tufts në Masaçjusets.

Ndërsa gjeneratat e reja imitojnë prindërit e tyre kur ishin të rinj - duke mos u angazhuar në votime - zgjedhjet e mes-mandatit të vitit 2018 panë një ngritje në pjesëmarrje.

Përfshirja në Votime

Sipas demografit Richard Fry në Qendrën Kërkimore Pew në Uashington, votimi i brezit të mijëvjeçarëve gati u dyfishua mes viteve 2014 dhe 2018 - nga 22% në 42%. Tridhjetë përqind e gjeneratës Z(brezi i lindur mes viteve 1995-2015) që kishin të drejtë të votonin doli në zgjedhjet e para në jetën e tyre. Sipas organizatës Pew, për herë të parë në zgjedhjet e mes-mandatit, më shumë se gjysma e Gjeneratës X (brezi i lindjeve nga vitet 1965-1980) njoftuan se kishin votuar.

"Ky cikël zgjedhor i vitit 2020 është veçanërisht interesant sepse, për herë të parë në gati 25 vjet, ne po kalojmë nga një palë zgjedhjesh, ku pjesëmarrja e të rinjve u rrit në mënyrë dramatike", tha Abby Kiesa, drejtore në CIRCLE.

"Tani ka 47 milion të rinj nga mosha 18 deri 29 vjeç, të cilët kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e vitit 2020, dhe 15 milion prej tyre kanë mbushur 18 vjeç që nga zgjedhjet e fundit presidenciale", tha zonja Kiesa.

Ndërsa të rinjtë - mijëvjeçarët e lindur mes viteve 1985-1995 dhe gjenerata Z e të lindurve në vitet 1996 e tutje - shihen si një grup homogjen që mendojnë njësoj, studimi tregon ndryshe.

Në zgjedhjet afatmesme të vitit 2018, dy të tretat e të gjithë votuesve të rinj të moshës 18-29 vjeç mbështetën kandidatë demokratë për në Kongres. Ky është hendeku më i madh i partisë në 25 vitet e fundit, thotë organizata CIRCLE.

Zgjedhjet e vitit 2020 do të ndodhin mes një zhvendosjeje të madhe demografike, thotë Jesse Barba, drejtor i organizatën Young Invincibles, një grup që mbështet votimin e të rinjve "për të zgjeruar mundësinë ekonomike për gjeneratën tonë".

Sipas Institucionit Brookings, popullsia amerikane është gati të lëvizë nga një shumicë e bardhë, në një shumicë minoriteti ose kryesisht votuesish jo të bardhë, deri në vitin 2045.

"Kjo do të jetë hera e parë në histori kur njerëzit jo të bardhë do të përbëjnë elektoratin më të madh," thotë zoti Barba. "Unë mendoj se për kaq shumë kohë njerëzit janë shpërfillur më shumë sesa janë përfshirë në diskutime, kështu që ... çdo kandidat që dëshironte të motivonte dhe mobilizonte të rinjtë duhet të ishte përpjekur të flasë për katër ose pesë çështje kryesore."

Çështjet kryesore për votuesit e rinj

Çështjet kryesore përfshijnë borxhin e kolegjit, kujdes të përballueshëm shëndetësor, zgjerimin e të drejtave të votuesve, dhunën me armë, imigrimin, ndryshimin e klimës dhe ekonominë, tha ai.

"Unë mendoj se kriza e shëndetit publik ka vendosur tani dy çështje kryesore të të rinjve në krye, dhe kjo është ekonomia dhe shëndeti mendor," thotë zoti Barba, duke përmendur papunësinë rekord të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe mbylljet e përhapura të bizneseve, të tilla si restorantet , baret dhe dyqanet e shitjeve me pakicë, të cilat zakonisht punësojnë të rinj dhe rrallë japin siguracione shëndetësore.

"Shumë nga këta të rinj janë duke punuar në mënyrë disproporcionale në industri që u goditen më rëndë, apo jo? Pra, jo vetëm që ata po humbasin punën e tyre, ata gjithashtu rrezikojnë të humbasin atë siguracion shëndetësor të bazuar në punë ose aftësi për të përballuar planet e tyre individuale", tha zoti Barba.

Kostot e kujdesit shëndetësor plus kostot e borxhit studentor zbriten nga pagat që nuk mund të mbulojnë gjithçka.

"A është e drejtë që një gjeneratë e tërë humbi në Recesionin e Madh?" shtoi ai, duke iu referuar kolapsit bankar në vitin 2008 dhe rënies ekonomike që pasoi.

Për të diplomuarit e kolegjit në atë kohë, veçanërisht për ata që kishin mbi supe borxhin studentor, punët nuk ishin të lehta të gjendeshin.

“A është e drejtë që një gjeneratë e tërë pezulloi planet familiare për tu kthyer përsëri e për të jetuar në shtëpinë e prindërve? Jo,” shtoi zoti Barba. “Mendoj se kjo është një kujtesë e vazhdueshme për të rinjtë kur të shkojnë pranë kutive të votimit në nëntor”.

Ish-kuzhinierja e pastave dhe autorja Alechia Dow, e cila shkruan libra fantastiko-shkencor që kanë në qendër vajza me ngjyrë, bëri një tweet në lidhje me borxhin e studentëve këtë javë, së bashku me qindra të tjerë që ndajnë keqardhjen për barrën e borxhit në Twitter.

"Është ëndrra ime që një ditë të kem në pronësi një shtëpi, me mure me bojë të ndritur dhe një kuzhinë të madhe me një tavolinë," shkroi ajo. "Por pastaj shikoj borxhin tim të huasë studentore, që është aq sa një shtëpi, kështu që e di se ëndrra është e pamundur."

Meshkujt e rinj të bardhë

Statistikat tregojnë se një bllok votuesish që merr një kah tjetër, janë votuesit e rinj, të bardhë, meshkuj. "Ata përbëjnë një lëvizje të konsiderueshme dhe nganjëherë joproporcionale të elektoratit amerikan," thotë organizata CIRCLE.

Të rinjtë e bardhë votuan në një shkallë më të lartë sesa të rinjtë latino dhe burrat me ngjyrë, sipas analizës së CIRCLE për vitin 2018, e cila prodhohet nga Byroja e Statistikave të Punës dhe Byroja e Regjistrimit. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, blloku gjithashtu preferoi Donald Trumpin mbi Hillary Clinton me 22 pikë përqindje.

Burrat e rinj me ngjyra dhe gratë e reja, përkundrazi, preferuan Klintonin nga 15 në 60 pikë përqindje, tha CIRCLE.

Dhe në disa shtete të lëkundura kryesore - Ajoua, Ohajo dhe Nju Hempshër - të rinjtë e bardhë përbëjnë një pjesë më të madhe të popullsisë në krahasim me mesataret kombëtare.

Pesë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme amerikane në nëntor, pandemia vazhdon, papunësia mbetet e lartë dhe shumë të rinj, sidomos njerëz me ngjyrë, po mbrojnë drejtësinë racore dhe sociale pas vdekjes së George Floyd dhe incidenteve të tjera të ngjashme dhe pabarazitë në shoqërinë amerikane.

Bronwyn Benito dhe Esha Sarai kontribuan në këtë raport.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG