Një termet i fuqishëm me magnitudë 7.4 tronditi pjesën jugore të Meksikës të martën, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe dëmtuar disa ndërtesa.
Termeti e kishte epiqendrën pranë vendpushimit Huatulco në brigjet e Paqësorit. Lëkundjet u ndjenë afro 700 kilometra larg në kryeqytetin e vendit. Termeti shkundi ndërtesat, ndërsa mijëra njerëz dolën nëpër rrugë.
Pjesa dërmuese e dëmtimeve ishin të vogla, me dritare të thyera dhe mure të rëna. Autoritetet thanë se një njeri kishte humbur jetën pasi një shtëpi ishte shembur në fshatin Suan Juan Ozolopetec.
Kompania naftënxjerrëse shtetërore Pemex njoftoi se termeti kishte shkaktuar një zjarr në rafinerinë Salina Cruz i cili u shua menjëherë. Të paktën 140 pasgoditje u ndjenë.
Gjeologët thonë se pjesa jugore e Meksikës, ku bashkohen katër pllaka tektonike, është kryesisht zonë e ndjeshme nga termetet e fuqishme. Një termet me magnitudë 8.0 goditi atë zonë në vitin 1985.
Facebook Forum