Lidhje

Opinioni i Venecias, Kim: Mundësi për të ecur me Reformën në Drejtësi


Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi”. I këtij mendimi është ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, e cila në një shkrim të saj të publikuar në faqen e Facebook-ut të ambasadës së SHBA-ve nënvizon se “nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim”, shkruan ambasadorja. Ajo sjell në vëmendje faktin se “Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese”.

Për ambasadoren amerikane “as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”, shprehet zonja Kim.

Ajo i bën thirrje udhëheqësve politikë shqiptarë që “në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi” e tyre “që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit.

Sipas ambasadores amerikane “opinioni i Komisionit të Venecias hap një shteg përpara” dhe se “është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020”. Për këtë arsye, ajo vë në dukje se “Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet. Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit”.

Nga ana e tij presidenti Ilir Meta, ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme, do të ftojë për takim zyrtar Kryetarin e Parlamentit “për të diskutuar dhe koordinuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet përgjegjëse, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, aq më tepër që funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese është kusht kryesor edhe për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”.

Në shkrimin e saj, ambasadorja amerikane ka dalë sërish në mbrojtje të Reformës në Drejtësi dukë vënë në pah ngritjen e shumicës së institucioneve të reja, apo lënien jashtë sistemit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë justifikuar dot pasuritë e tyre, falë procesit të rivlerësimit. Sipas zonjës Kim “reforma në Drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarënë. Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë”, thekson ambasadorja amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG