Lidhje

Administrata Trump kërkon shfuqizimin e "Obamacare"


Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shfuqizojë “Aktin për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm”, njohur ndryshe si “Obamacare”. Ky hap që u ndërmorr nga administrata të enjten vonë, vjen ndërsa rastet me koronavirus në vend po rriten duke shënuar nivele të larta. Në dallim nga shumica e vendeve perëndimore, mbulimi shëndetësor në SHBA është i lidhur me punësimin. Prej vendosjes së masave kufizuese me fillimin e pandemisë miliona vetë kanë humbur punën dhe sigurimin shëndetësor. Për më tepër, jo të gjitha vendet e punës të garantojnë sigurim shëndetësor, gjë që i detyron amerikanët ta blejnë vetë.

Synimi i “Obamacare” është që të ndihmojë në blerjen e sigurimin shëndetësor me çmime të arsyeshme. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha në një deklaratë se "fushata e Presidentit Trump dhe republikanëve për të shkatërruar mbrojtjet dhe përfitimet që ofron Akti për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm, në mes të krizës së koronavirusit është një akt i një mizorie i pashoqe", siç tha ajo. Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet e parë mbi këtë çështje në muajin tetor.

SHBA vazhdon të kryesojë për nga numri i infeksioneve në rang botëror me 2.4 milionë raste që nga fillimi i pandemisë. Të enjten Shtetet e Bashkuara raportuan mbi 39 mijë raste të reja të sipas “The Washington Post”, shifra më e lartë ditore që nga fillimi i shpërthimit të virusit.Universiteti Johns Hopkins njoftoi mbi 34 mijë raste të mërkurën, një shifër pak më ulët sesa rekordi ditor i raportuar më 24 prill, prej mbi 36 mijë të infektuarish.

Drejtori i Institutit të Harvardit për Shëndetësinë Globale Ashish Jha tha në një intervistë për rrjetin televiziv NBC se rritja e numrit të infeksioneve së fundmi është pasojë e rihapjes së parakohshme të ekonomisë pa masa të përshtatshme sigurie. Ndërkohë zyrtarët e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë të enjten se numri i infeksioneve me koronavirusit mund të jetë 10 herë më i madh se sa është raportuar. Sipas universitetit Johns Hopkins bëhet fjalë për më shumë se 2.4 milionë të prekur prekur prej fillimit të pandemisë. Por numri i vërtetë i rasteve mund të jetë rreth 20 milionë thanë zyrtarët amerikanë. Sipas tyre shumë raste nuk u kapën sepse në fillim testimet ishin të kufizuara ose kryeshin vetëm për ata njerëz që shfaqnin simptoma. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vlerësojnë se 6 për qind e popullsisë amerikane është prekur nga COVID-19.

Zyrtarët raportojnë se numri i vdekjeve të shënuara brenda një dite ra javën e kaluar, por numri i të infektuarve duket se po vazhdon të rritet. Disa shtete kanë shënuar nivele të reja ditore rekord këtë javë, kryesisht në jug e perëndim, ku përfshihen Arizona, Kalifornia, Nevada, Oklahoma dhe Teksasi. Edhe shtete të tjera po raportojnë rritje të numrit të të prekurve nga koronavirusi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG