Lidhje

Maqedonia e Veriut: Shkon në 277 numri i viktimave nga COVID-19


Nëntë viktimat e fundit nga koronavirusi e çojnë numrin e përgjithshëm në 277 të të vdekurve në Maqedoninë e Veriut. Vendi vazhdon të ketë shifra shqetësuese të të prekurve dhe të pasojave nga sëmundja, ndërsa kjo i shkakton trysni sistemit shëndetësor dhe krijon ngarkesë në spitalet e specializuara për pacientët me COVID-19. Gjashtë nga viktimat janë nga Tetova dhe tre të tjerët nga Shkupi. Ata janë të moshës nga 58 në 78 vjeç.

150 raste të reja janë identifikuar brenda një dite, shumica e tyre në Shkup - 93. Në Tetovë janë regjistruar 12, në Ohër 9, në Kumanovë 7 raste dhe nëpër zona të tjera nga disa raste. Shumica e tyre janë me simptoma të lehta dhe mbahen të izoluar në shtëpitë e tyre.

Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut janë shënuar 5906 raste; prej tyre 3393 mbeten raste aktive me komunën e Çairit në krye, ku ka 421 raste aktive. Autoritetet shëndetësore kanë bërë deri tash 57895 testime.

Në klinikën e sëmundjeve ngjitëse në Shkup janë shtrirë 100 pacientë; Në spitalin “8 Shtatori” janë hospitalizuar 133 pacientë. Ndërkaq, në spitalin për fëmijë në Kozle të Shkupit janë shtrirë 4 fëmijë dhe 17 pacientë të rritur me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se Maqedonia e Veriut e fundit në rajon i hapi kufijt, teksa u bëri thirrje qytetarëve që të mësojnë të përshtaten me gjendjen e krijuar. Çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve nuk do të hapen, ndonëse në shumicën prej tyre ishte bërë testimi i personelit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG