Lidhje

Dyshimet për komplot rus në Afganistan, ligjvënësit kërkojnë hetim


Ndërsa anëtarët e Kongresit bëjnë thirrje për një hetim, Presidenti Donald Trump tha të dielën se ai nuk u informua për raportet se një njësi e zbulimit ushtarak rus u kishte ofruar shpërblime militantëve talebanë në Afganistan për të vrarë ushtarë amerikanë, pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane nuk i konsideronin ato të besueshme.

"Inteligjenca sapo më njoftoi se ata nuk i konsideronin këto informacione të besueshme, dhe për këtë arsye nuk mi raportuan mua ose @VP," tha presidenti Trump në Twitter, duke iu referuar nënpresidentit Mike Pence.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi i bëri thirrje Drejtores së CIA-s Gina Haspel dhe Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare John Ratcliffe të dëshmojnë përpara dhomës me 435 anëtarë në një konferencë dëgjimore për këtë çështje.

"Kongresi duhet të dijë se çfarë di komuniteti i inteligjencës në lidhje me këtë kërcënim domethënës për trupat amerikane dhe aleatët tanë dhe çfarë mundësi sh janë të disponueshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse," tha zonja Pelosi.

Senatori republikan Lindsey Graham tha se pret që administrata Trump të "shqyrtojë me seriozitet akuza të tilla".

"Është e domosdoshme që Kongresi t'u shkojë deri në fund njoftimeve në media se një njësi ruse e GRU-së në Afganistan ka ofruar të paguajë talebanët për të vrarë ushtarë amerikanë me qëllimin për ta larguar Amerikën jashtë rajonit", shkruante zoti Graham në një postim në Twitter të dielën vonë.

Senatorja demokrate Kirsten Gillibrand kërkoi të kryhet një hetim nga Kongresi për t'u dhënë përgjigje mes të tjerash pyetjeve: se kush ishte paguar, sa para ishin përfshirë si dhe të identifikohej çdo amerikan i vrarë si rezultat i dhënies së këtyre shpërblimeve. Ajo tha se dëshiron të dijë se kur zoti Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës e kishin marrë vesh këtë gjë si dhe nëse ndonjë anëtar i Kongresit ishte në dijeni.

"Besoj se kur u kërkojmë anëtarëve të shërbimit tonë të forcave të armatosura dhe familjeve të tyre që të ndërmarrin rreziqe e flijohen për Shtetet e Bashkuara, nënkupton që ne duhet të bëjmë gjithçka për të minimizuar rreziqet dhe për të nderuar sakrificat e tyre", tha zonja Gillibrand.

Gazeta "New York Times" ishte e para që raportoi se zyrtarët amerikanë të zbulimit kishin dalë në përfundimin muaj më parë se një njësi ruse, e cila ka qenë e lidhur me përpjekjet për atentate dhe operacione të fshehta në Evropë që syninin destabilizimin e Perëndimit, e kishte kryer misionin në Afganistan vitin e kaluar dhe se ai (presidenti) ishte informuar për këtë në fund të marsit.

Sipas një artikulli të botuar të dielën në faqen në internet të gazetës "Washington Post", 28 trupa amerikane kanë humbur jetën gjatë viteve 2018-2020. Një numër shtesë anëtarësh të shërbimit të forcave të armatosura kanë vdekur gjithashtu në sulmet e kryera nga anëtarë të forcave afgane të sigurisë, të cilët mund të kenë qenë të infiltruar nga talebanët sikurse thuhej në artikullin e gazetës.

Infomacionet e zbulimit kishin dalë nga forcat e Operacioneve Speciale amerikane në Afganistan dhe ishin verifikuar nga CIA, sipas "Washington Post".

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany tha të dielën se gazeta "New York Times" pohonte në mënyrë të gabuar në artikull se presidenti Trump ishte informuar për raportet e zbulimit.

"Shtetet e Bashkuara marrin me mijëra informacione zbulimi në ditë dhe ato i nënshtrohen një kontrolli të rreptë", tha ajo. "Ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk komenton në mënyrë rutinore lidhur me informacionet e zbulimit që dyshohet se janë të vërteta apo diskutimet e brendshme, drejtori i CIA-s, këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe shefi i Personelit mund të konfirmojnë se as presidenti dhe as nënpresidenti nuk u informuan rreth këtyre informacioneve që dyshohet se përfshijnë shpërblime nga ana Rusisë për talebanët".

Si Rusia ashtu edhe Talebanët i kanë mohuar njoftimet. Moska i ka cilësuar "akuza të pabaza dhe anonime". Ambasada ruse në Uashington tha se artikulli i "New York Times” ka “çuar tashmë në kërcënime të drejtpërdrejta" ndaj jetës së punonjësve në ambasadat ruse në Uashington dhe Londër.

Një zëdhënës i Talebanëve, Zabihullah Mujahid i hodhi poshtë raportet se kryengritësit kanë patur një marrëdhënie të tillë “me ndonjë agjenci të zbulimi" dhe e quajti artikullin e gazetës një përpjekje për t'i diskretituar ata.

Në fillim të këtij viti SHBA dhe grupi Taliban nënshkruan një "marrëveshje me qëllim paqen" në Afganistan pas më shumë se 18 vitesh konflikti. Aleatët e Amerikës dhe NATO-s ranë dakord se do t’i tërheqin të gjitha trupat deri vitin e ardhshëm nëse militantët do t'i qëndrojnë marrëveshjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG