Pas disa muajsh kufizimesh, Bashkimi Evropian filloi në 1 korrik të rihapë kufijtë për vizitorët nga 14 vende që i konsideron të sigurta. Në këtë listë nuk përfshihen Shtetet e Bashkuara, ku virusi është rikthyer në disa shtete. Megjithëse synohet të mbrohet shëndeti publik, ndalimet në udhëtime gjithashtu reflektojnë dallimet në rritje transatlantike. Kryeqytetit francez, Parisit, do t'i mungojë tashmë një nga burimet e tij kryesore - turistët amerikanë.
Rrugët dhe pikat turistike të Parisit janë jashtëzakonisht të qeta. Disa turistë vendas ndodhen këtu, por — me ndalimet e udhëtimit për koronavirusin - jo ata të huaj.
Përfshirë edhe një prej burimeve kryesore të këtij qyteti - amerikanët.
Ata nuk janë askund në këtë bar që novelisti amerikan i shekullit të 20-të Ernest Hemmingway frekuentonte dikur.
Ose në këtë librari popullore në gjuhën angleze, e themeluar nga një mërgimtar amerikan një shekull më parë.
“Ishte një tronditje e madhe kur morën vesh në mars se gjithçka ishte anuluar. Të gjithë njerëzit që do të vinin për pushimin e Pashkëve. Të gjithë ata që do të vinin gjatë verës. Edhe ata që do të vinin në shtator. Të gjitha u anuluan", thotë Rosemary Flannery, autore dhe guidë turistësh.
Turizmi përfaqëson industrinë më të madhe të Parisit, duke punësuar gati dhjetë përqind të forcës punëtore të zonës. Amerikanët radhiten ndër vizitorët më të mirë këtu, ashtu si edhe në të gjithë Evropën, e cila mirëpret rreth 15 milionë udhëtarë të huaj çdo vit.
“Turistët amerikanë janë të shkëlqyeshëm. Sinqerisht mendoj se ata janë më të mirët. Ata e duan Parisin. Ata janë të çmendur për Francën. Ata janë shumë të kënaqur nga gjithçka - nga Savoire vivre, nga ushqimi, nga lumi, nga bukuria e arkitekturës ... ", thotë zonja Flannery.
Por tani për tani, ata janë jashtë një liste të re të udhëtimeve në Bashkimin Evropian që përfshin vende si Kanadaja, Tunizia ... dhe Kina - nëse Pekini do të lejojë hyrjen e udhëtarëve nga vendet e BE-së. Blloku do të rishikojë listën rregullisht - duke shtuar vende, por edhe duke hequr të tjerë, ndërsa situatat shëndetësore do të ndryshojnë.
Në qershor, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara po punonin me BE-në për hapjen e sigurtë të kufijve.
"Mendoj se ne të gjithë po e marrim seriozisht nevojën për të kuptuar se si ta rihapim. Ne duhet ta rikthejmë në funksionim ekonominë tonë globale. Do të punojmë për ta realizuar siç duhet. Duam të sigurohemi që hapja të jetë e bazuar tek shkenca dhe shëndetësia", the Sekretari Pompeo.
Vendosja e kufizimeve të udhëtimit nuk ka qenë çështje e thjeshtë - nganjëherë shndërrohet në mosmarrëveshje. Kur Evropa u bë epiqendra e pandemisë në mars, Uashingtoni ndaloi vizitorët evropianë. BE-ja u kundërpërgjigj shpejt. Tani, rastet po bien në shumë vende të Evropës - dhe po rriten në pjesë të Amerikës.
"Në një farë mënyre mund të shihet si një shpjegim se Evropa nuk ishte shumë e impresionuar nga masat e marra nga Shtetet e Bashkuara. Por gjithashtu ka një reciprocitet - nëse SHBA mban masën e saj të ndalimit për evropianët, atëherë edhe ne do të mbajmë tonën", thotë Sebastien Maillard, drejtor i Institutit "Jacques Delors".
Koronavirusi gjithashtu ka veçuar Evropën dhe Shtetet e Bashkuara edhe në fusha të tjera, ndërsa u japin përparësi qytetarëve të tyre për vaksina të mundshme ose ilaçe premtuese. Analistët thonë se Evropa gjithashtu ndjehet e kapur në mes, pasi tensionet amerikano-kineze janë rritur gjatë pandemisë. Dhe në fillim të këtij viti, disa politikanë evropianë akuzuan amerikanët se devijuan maska që kishin porositur për qytetarët e tyre - pretendime të cilat zyrtarët amerikanë i hodhën poshtë.
"Nuk u ndjemë të trajtuar si aleatë. Kështu që tani mendoj se evropianët janë më të vetëdijshëm për të marrë drejtimin e tyre", thotë zoti Maillard.
Çfarëdo drejtimi që të marrin marrëdhëniet transatlantike, shumë këtu shpresojnë ... dhe presin që amerikanët të kthehen — herët a vonë.
Facebook Forum