Lidhje

Kosovë, marrëveshje për mospolitizimin e institucioneve të pavarura


Autoritetet në Kosovë thonë se po bëjnë përpjekje përmes mekanizmave të ndryshëm të parandalojnë emërimin e zyrtarëve me lidhje politike nëpër institucionet e pavarura.

Institucionet e Kosovës nënshkruan për herë të tretë një marrëveshje mirëkuptimi me ambasadën britanike në Kosovë për të ndihmuar procesin e rekrutimit të bartësve të pozitave të larta udhëheqëse të institucioneve të pavarura. Në marrëveshjen e re është përfshirë përzgjedhja e kandidatëve dhe bordeve për 10 institucione të pavarura.

Kosovë, përpjekje për të parandaluar politizimin e institucioneve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abott tha se në shumë raste nepotizmi dhe korrupsioni në Kosovë shfaqet dukshëm gjatë rekrutimeve publike dhe sipas tij këto probleme nuk mund të zgjidhen nga jashtë por vetëm me vullnet politik.

“Bashkëpunimi ynë me institucionet e Kosovës për rekrutimin e emërime meritore dhe profesionale në pozita të larta drejtuese në të kaluarën kanë dhënë rezultate të përziera. Derisa kemi pasur procese rekrutuese të suksesshme, kemi edhe përvojën e hidhur kur përkundër punës së panelit, vet Kuvendi me shumicë votash ka emëruar individë që nuk përmbushnin kriteret duke e ditur mirëfillin e rezultateve të proceseve rekrutuese të mbështetura nga ky projekt. Në rast të tilla do të reagojmë siç edhe kemi reaguar sepse një sjellje e tillë institucionale është tejet e dëmshme për Kosovën por edhe pandershme në raport me miqtë”, tha ambasadori Abott.

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se marrëveshja është vullnet i dyanshëm për të rritur transparencën në procesin e përzgjedhjes së personave në pozitat udhëheqëse në borde dhe agjenci të pavarura.

“Ajo që ne si përfaqësues të popullit duhet ta bëjmë është që të sigurohemi që profesionistët, njerëzit që përzgjidhen në bazë të meritokracisë ta marrin votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës vërtetë përbëhet nga politikanë mirëpo politikanët të cilët betimin e tyre në ditën e zgjedhjes e kanë dhënë duke thënë që do të punojnë në interes të Republikës dhe të qytetarëve, duhet gjithnjë ta kenë parasysh që kjo Republikë dhe qytetarët që jetojnë në të asnjëherë nuk do të mund të arrijnë mirëqenien e duhur në qoftë se shkelen parimet e meritokracisë dhe të transparencës”, tha zonja Osmani.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se qeveria do të siguroj trnaparencë të plotë dhe mos ndërhyrje në përzgjedhjen e kandidatëve për agjencitë e pavarura.

“Të lirohemi nga ajo mania edhe problemi i nepotizmit dhe problemeve të rekrutimit, ne do të kujdesemi bashkë, personalisht me ambasadorin që kjo marrëveshje të zbatohet pikë për pikë”, tha kryeministri Hoti.

Në Kosovë ekzistojnë rreth 30 agjenci e institucione të pavarura dhe procesi i emërimit të anëtarëve të këshillave drejtues, sipas ligjit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, ndërsa anëtarët e zgjedhur duhet të jenë të paanshëm politikisht.

Por, ky proces është kritikuar vazhdimisht nga faktorët ndërkombëtarë organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, të cilat thonë se në bordet e shumicës së institucioneve publike, ndërmarrjeve dhe agjencive të pavarura apo në krye të tyre qëndrojnë njerëz që kanë të kaluar politike ose që kanë lidhje të drejtpërdrejta me partitë politike dhe kjo, sipas tyre, ka çuar te politizimi i tejskajshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG