Lidhje

Maqedonia e Veriut: 15 të vdekur nga Covid-19 në 24 orët e fundit


Të enjten janë regjistruar 15 viktima nga koronavirusi, shifër kjo që paraqet rekordin e jetëve të humbura brenda 24 orësh në Maqedoninë e Veriut që nga shpërthimi i pandemisë. Tetë nga viktimat janë nga Shkupi, dy nga Tetova, dy nga Struga, dy nga Gostivari dhe një nga Ohri. Ata ishin të moshës nga 45 në 82 vjeç. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve të cilët nuk i mbijetuan sëmundjes u ngrit në 321.

Shkalla e vdekshmërisë në Maqedoninë e Veriut si pasojë e COVID-19 është ndër më të lartat në rajon dhe më gjerë. Në shtetin rreth dy milionësh është stërngarkuar sistemin shëndetësor dhe mjekët specialistë, epidemiologët dhe infektologët janë të paktë në numër, ndërsa ata dhe infermieret janë të rraskapitur, sipas autoriteteve shëndetësore.

Në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 173 raste të reja, me Shkupin që i prin listës; Përkatësisht në kryeqytet brenda një dite janë shënuar 75 raste, pastaj në Strugë 14, në Tetovë e Kumanovë nga 9 pacientë, në Shtip 8, në Gostivar 7, në Dibër (të Madhe) 6 dhe pothuaj në të gjitha qytetet e vendit nga disa raste me COVID-19.

Numri i të diagnostikuarve deri tash është 6.625, prej tyre 2.748 rezultojnë të shëruar ndërsa 3.556 mbeten raste aktive.

Në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup janë shtrirë 90 pacientë, prej të cilëve 44 mbahen në oksigjen; në spitalin “8 Shtatori” ka 123 pacientë, prej të cilëve 8 mbahen në respiratorë. Fatkeqësisht nuk ka lajme të mira ose janë tepër të rralla për pacientët e vendosur në respiratorë që t’i kenë mbijetuar sëmundjes.

Në spitalin e fëmijëve për sëmundjet e mushkërive janë hospitalizuar 26 pacientë të rritur dhe 6 fëmijë me koronavirus. Dhjetra të tjerë janë shtrirë nëpër spitalet e qyteteve të tjerë të Maqedonisë së Veriut, por rastet më të rënda dërgohen për trajtim në Shkup.

Ndërsa autoritetet shëndetësore po përpiqen të qetësojnë gjendjen, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe gëzon një mbështetje të kënaqshme, sipas një sondazhi të bërë nga Instituti Demokratik Amerikan – NDI. 48 përqind e të anketuarve kanë theksuar besimin se masat e propozuara nga ministri dhe Komisioni i sëmundjeve ngjitëse do të mundësojnë sigurinë shëndetësore në procesin e votimit më 15 korrik. Ndërkaq, 46 përqind e të anketuarve nuk e besojnë këtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG