Lidhje

Hong Kong, ngrihet akuza e parë bazuar në ligjin e ri mbi sigurinë


Një i ri që mbante një banderolë ku shkruhej "Lironi Hong Kong" ndërsa ngiste një motor në drejtim të policisë gjatë një proteste të mërkurën është tashmë personi i parë i akuzuar për nxitje të separatizmit dhe terrorizmit sipas ligjit të ri të sigurisë.

Pekini e miratoi ligjin në fillim të kësaj jave, pavarësisht protestave të banorëve të qytetit dhe kritikave të vendeve perëndimore, duke e futur Hong Kongun, një qendër të madhe financiare drejt rrugës së autoritarizmit.

Kritikët thonë se ligji, i cili ndëshkon krimet e shkëputjes, përpjekjeve për përmbysje të rendit, terrorizmit dhe bashkëpunimit me forcat e huaja me burgim të përjetshëm, ka për qëllim goditjen e disidentëve dhe synon të shuajë kundër një fushatë të gjatë për demokraci më të madhe.

Policia tha se 23-vjeçari Tong Ying-kit goditi dhe plagosi disa oficerë gjatë një proteste të paligjshme të mërkurën. Një video në internet tregonte një motoçikletë që përplasej me disa oficerë në një rrugë të ngushtë përpara se drejtuesi i saj të rrëzohej e të arrestohej. Zoti Tong, i cili u shtrua në spital pas incidentit, u akuzua në më pak se 24 orë. Autoritetet e Hong Kongut thanë se banderola me sloganin "Lironi Hong Kongun, revolucioni i kohërave tona", që mbante i akuzuari, nënkupton ndarjen ose përpjekjet për përmbysje sipas ligjit të ri.

Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong thonë se ligji synon vetëm disa disa "krijues telashe" dhe jo të shkelë të drejtat e qytetarëve. Por ankthi ndërkombëtar po rritet pasi autoritetet kanë arrestuar 10 persona bazuar tek ligji i ri brenda 24 orëve nga hyrja në fuqi e tij. Bashkimi Evropian e ka vendosur Hong Kongun në krye të axhendës ndërsa zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara u shpreh e alarmuar mbi arrestimet.

Në një gjykatë të qytetit me dhjetëra vetë u mblodhën në solidaritet me një person të akuzuar se kishte goditur me thikë një polic në krah gjatë trazirave të së mërkurës. "Nuk jam i frikësuar”, tha një protestues 25-vjeçar që u identifikua me emrin Wilson.

Të mërkurën, ditë që shënoi 23 vjetorin e kthimit të Hong Kongut nën sundimin kinez, policia arrestoi rreth 370 persona, mes tyre 10 vetë nën dyshimet për shkelje të ligjit të ri mbi sigurinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG