Lidhje

Kosova feston Ditën e Pavarësisë së SHBA


Festimet e 4 Korrikut në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00

Festimet e 4 Korrikut në Kosovë

Sheshet e Prishtinës janë mbushur me flamuj amerikanë në shenjë nderimi për 4 korrikun, ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mjekë të mjekësisë familjare në Prishtinë ngritën flamurin amerikan në bulevardin qe mban emrin e ish presidentit amerikan Bill Clinton, ku ndodhet edhe shtatorja kushtuar atij.

Agim Rexhepi nga shoqata Miqtë e Amerikës tha se ngritja e flamurit amerikan nga ana e mjekëve të Kosovës ka për qëllim dërgimin e mesazhit se Kosova do të jetë përkrahë Shteteve të Bashkuara në çfarëdo kohe përfshirë edhe gjatë pandemisë.

“Populli i Kosovës dinë të bëj organizime të tilla edhe në kohë pandemie edhe në kohë kur është rreziku shumë i madh shëndetësorë në Kosovë edhe në rajon edhe në botë, mirëpo njëkohësisht kemi dashur të tregojmë që nuk do të na ndal as shëndeti, as rreziku nga shëndeti, as rreziku o çfarëdo natyre qoftë me tregu respekt edhe me veprime sibolike respekt ndaj shtetit kryesor, shtetit aleat. Shteti që na ka mbështetur në ditët më të vështira, shteti i cili është shtetformues i shtetit të Kosovës dhe shtetndërtues, shteti i cili ende na favorizon, përkrahë dhe na mbronë faktikisht në bashkëpunim me aleatët e tyre strategjikë”, tha zoti Rexhepi.

Ambasada amerikane në Prishtinë kësaj radhe nuk organizoi ceremoni për të festuar ditën e pavarësisë për shkak të situatës së krijuar me pandeminë. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett nëpërmjet një video mesazhi, tha se populli i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Kosovës ndajnë shumë vlera të përbashkëta.

“Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global. Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale”, tha ambasadori Kosnett duke nënvizuar se sfidat e fundit e kanë treguar kreativitetin dhe aftësinë ripërtëritëse të popullit të Kosovës.

“Ndërsa institucionet dhe bizneset ishin të detyruara të mbylleshin për ta ndaluar përhapjen e virusit, qeveria, bizneset dhe shoqëria civile reaguan njësoj për t’u ndihmuar atyre që kishin nevojë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me ndihmë financiare e teknike. Ka shumë më tepër për të bërë, edhe nga qytetarët e rëndomtë, për ta sjellë pandeminë nën kontroll. Por kam besim se me këmbëngulje, punë të zellshme dhe bashkëpunim përtej kufijve, do të triumfojmë ndaj virusit, siç kemi triumfuar ndaj armiqve të tjerë”, tha ambasadori Kosnett.

Udhëheqësit politikë të Kosovës përgëzuan popullin dhe qeverinë amerikae duke vlerësuar lartë rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë më të re të Kosovës.

Në telegramet e tyre thuhet se 4 korriku me të drejtë është bërë sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vende të shumta demokratike anekënd botës, ndërsa theksohet se Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj dhe vazhdojnë të mbesin ndër miqtë dhe aleatët e saj më të mëdhenj.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorin amerikan Philip Kosnett ngritën flamurin amerikan në oborrin e Parlamentit të Kosovës, për të shënuar ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Shqiptarët e çmojnë lartë rolin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, e cila kohëve të fundit përmes të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedime Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell po bën përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, që do t’i jepte fund konfliktit ndërmjet dy vendeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG