Lidhje

Maqedoni e Veriut, 5 viktima të tjera nga COVID-19


Pesë persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve të fundit si pasojë e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut. Tre prej viktimave janë nga Shkupi, një nga Kumanova dhe një nga Struga. Ata ishin të moshës nga 63 në 86 vjeç. Ndërkohë numri i të prekurve rishtazi brenda po kësaj periudhe të shkurtër kohore është 78, në ndryshim nga disa ditë më parë kur shifrat nuk shkonin më poshtë se 100.

Gjendjes shqetësuese me COVID-19 i kontribuojnë paralajmërimet se në vjeshtë “virusi do të përhapet edhe më me shpejtësi dhe do të jetë më i fuqishëm për shkak se njerëzit do të qëndrojnë edhe më shumë në ambiente të mbyllura”, siç tha të hënën Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke iu refereuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas OBSH-së 60 për qind e 10 milionë të infektuarve në botë janë regjistruar në muajin qershor. Muaji qershori ka qenë më problematiku edhe për Maqedoninë e Veriut, ku pothuajse nuk kishte ditë pa viktima. Deri më tani janë regjistruar 346 të vdekur nga COVID-19.

Ministri Filipçe tha se po diskuton me drejtorët e spitaleve dhe të institucioneve të tjera për të përgatitur një plan për shfrytëzimin e e të gjitha kapaciteteve, ndër to edhe konviktet e studentëve në Ohër e Manastir, për shtrimin e pacientëve me koronavirus.

Stafi mjekësor dhe infermierëve është i stërmunduar, sipas autoriteteve shëndetësore, të cilat po bëjnë plane për një rotacion të punonjësve të shëndetësisë për ballafaqimin me virusin në muajt e vjeshtës.

Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut janë diagostikuar 7.124 persona me koronavirus. 3.199 prej tyre rezultojnë të shëruar. Raste aktive janë 3.579. Aktualisht më tepër raste aktive ka në Shkup, 1.960 gjithsej. Në Tetovë 391, në Kumanovë 194, në Ohër 176, në Strugë 169, në Shtip 157 raste aktive dhe dhjetra raste në qytete të tjerë.

421 pacientë ndodhen të shtruar në spitalet e vendit, mosha më e prekur është ajo mbi 60 vjeç. Në Klinikën e Sëmundjeve Ngjitëse në Shkup 53 pacientë mbahen në oksigjen.

Një numër pacientësh vijnë në spital pasi gjendja e tyre është përkeqsuar dukshëm. Kemi bërë thirrje që edhe përkeqësimi më i vogël është shenjë për shtrim, kjo është mënyra për t’iu shmangur vdekjes”, tha ministri Filipçe, duke bërë thirrje njëkohësisht që qytetarët t’u japin epidemiologëve të dhëna të sakta për të zbuluar me kohë rastet e reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG