Lidhje

Harvard, MIT ngrenë padi për të bllokuar urdhrin për studentët ndërkombëtarë


Universiteti i Harvardit dhe Instituti i Teknologjisë në Masaçusets kanë ngritur padi kundër qeverisë amerikane lidhur me ndryshimin e politikës që u kërkon studentëve ndërkombëtarë që të jenë të pranishëm fizikisht në kampuset e shkollave për kurset që fillojnë këtë vjeshtë, ose përndryshe do të humbasin statusin e tyre të imigracionit.

Çështja gjyqësore kërkon një urdhër të përkohshëm kufizues dhe vendim gjykate për të parandaluar Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) dhe Agjencinë për Emigracionin dhe Doganat (ICE) që të ndryshojnë statusin e vizave për studentët ndërkombëtarë që studiojnë vetëm përmes internetit gjatë semestrit të vjeshtës.

“Veprimi i ICE lë qindra mijëra studentë ndërkombëtarë pa mundësi arsimimi brenda Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, për shumë studentë, rikthimi në vendet e tyre për të ndjekur mësimet përmes internetit është i pamundur, jopraktik, me kosto të lartë dhe i rrezikshëm”,thuhet në padi.

Në fillim të javës, Programi për Studentët dhe Shkëmbimin e Vizitorëve (SEVP) njoftoi se “si rezultat i pandemisë së koronavirusit” studentët ndërkombëtarë të regjistruar në unveristetet amerikane, të pajisur me viza të kategorisë F-1, nuk mund të marrin të gjitha lëndët mësimore përmes internetit. Për të ruajtur statusin e tyre të vizës, studentët duhet të transferohet tek një unversitet që ofron klasa ku studentët mund të jenë fizikisht në auditore ose në të kundërt të largohen nga vendi.

Megjithëse ekziston fleksibiliteti për studentët që ndjekin universitete që ofrojnë një model hibrid, pjesërisht në klasë dhe pjesërisht përmes internetit, për semestrin që vjen, shumë unviersitete, përfshirë Harvardin, kanë marrë vendimin për të ofruar shumë klasa përmes internetit për semestrin e vjeshtës.

Presidenti i Harvardit Lawrence Bacow tha përmes një deklerate se rregulloret nga angjencia ICE nuk marrin parasysh shëndetin dhe sigurinë e studentëve ndërkombëtarë.Urdhri ishte “pa paralajmërim dhe egërsia e tij tejkalohet nga shpërfillja që reflekton” thuhej në deklaratë.

Padia argumenton se urdhri nga ICE shkel Aktin për Procedura Administrative, duke mos marrë parasyshë efektet që do të ketë ndaj universiteteve që kanë shpenzuar kohë për t’u përshtatur për semestrin e ri dhe ndaj studentëve ndërkombëtarë që mund të mos jenë në gjendje të kthehen në vendet e tyre si rezultat i kufizimeve të udhëtimit.

Presidenti i Institutit Teknologjik të Masaçusets (MIT), L. Rafael Reif, shprehu solidaritet me studentët ndërkombëtarë përmes një mesazhi me email dërguar komunitetit të institucionit që ai drejton.

“Fuqia e MIT-së është tek njerëzit e tij, pavarësisht se nga vijnë”,u shpreh ai në email. Që të dy universitetet ndodhen në Kembrixh të Masaçusets (Cambridge, Massachusetts). Padia gjyqësore u depozitua në një gjykatë federale në Boston. Në Shtetet e Bashkuara ka mbi një milion studentë ndërkombëtarë, gjysma e të cilëve nga Kina dhe India.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG