Lidhje

Biden: 700 miliardë dollarë plus për “Bli produkte Amerikane”


Kandidati demokrat Joe Biden pritet të propozojë një mënyrë të re të përdorimit të rregulloreve të qeverisë federale për t'i shpenzuar paratë me qëllimin për të forcuar kompanitë amerikane të prodhimit dhe teknologjisë.

Zoti Biden ka bërë thirrje për një rritje të shpenzimeve qeveritare prej 400 miliardë dollarësh, në katër vjet, për mallra e shërbimeve amerikane, plus 300 miliardë dollarë për veprimtari në fushën e kërkimit dhe zhvillimit të lidhura me teknologjinë në vend.

Si pjesë të politikës së tij eekonomike që pritet ta shpallë të enjten, zoti Biden do të propozojë rregulla më të forta për zbatimit e ligjit aktual të ashtuquajtur "Bli Produkte Amerikane" i hartuar dhe miratuar me qëllimin që të mbështesë kompanitë amerikane, një ligj që megjithatë mund të shmanget lehtësisht nga agjensitë qeveritare.

Një projek i këtij plani i bërë publik nga zyrtarët e fushatës së zotit Biden gjithashtu reklamon premtimin e tij të kahershëm të tij për të forcuar kontratat kolektive të punës si dhe shfuqizimin e politikës së uljes së taksave për korporatat amerikane të mbështetur nga republikanët, që i kanë çuar vendet e punës jashtë SHBA-së.

"Ky do të jetë mobilizimi më i madh i investimeve publike në prokurime, infrastrukturë, në kërkim e zhvillim që nga Lufta e Dytë Botërore" i tha këshilltari i lartë Jake Sullivan agjencisë "Associated Press". Ai shtoi se zoti Biden do të kërkonte që çdo përpjekje lidhur me tregtinë do të kishte si përparësi tregun vendas përpara se të negociohej një marrëveshje e re ndërkombëtare.

Ish-Nënpresidenti do t'i diskutojë propozimet të enjten në një fabrikë përpunimi të metaleve në Dunmor të Pensilvanisë. Kjo do të jetë e para e një serie takimesh që zoti Biden planifikon ndërsa po zhvendos shënjestrën e sulmit të tij ndaj Presidentit Donald Trump tek ekonomia. Një terren që përpara pandemisë shihej si avantazh për presidentin republikan, por që tashmë ka marrë një tjetër drejtim në kushtet kur koronavirusi ka ulur ndjeshëm aktivitetin ekonomik dhe ka rritur papunësinë në nivele shumë pranë periudhës së Depresionit të Madh.

Theksimi i fortë i çështjeve që lidhen me prodhimin dhe politikat e punës nuk janë të rastësishme. Zoti Biden dëshiron të përfitojë nga lidhjet e tij me sindikatat dhe të sigurojë rezultat mbi pohime të bëra shpesh se ai mund ta rifitojë besimin e votuesve që i përkasin klasës punëtore, të cilët nxitën fitoren e zotit Trump katër vite më parë.

Zoti Biden do të vazhdojë në javët e ardhshme me një plan energjetik ndaj krizës që lidhet me klimën dhe një paketë të tretë mbi atë që zyrtarët e fushatës së tij e ka quajtur "një ekonomi zemërgjerë", duke u përqëndruar tek shërbime me të përballueshme të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit e të jenë gjithashtu më pak pengesë për amerikanët për të punuar.

Ndihmësit e fushatës u thanë gazetarëve se të gjitha politikat e zotit Biden do të synojnë rimëkëmbjen e menjëhershme nga recesioni i shkaktuar prej pandemisë dhe adresimin e pabarazive sistemike që zoti Biden thotë se kanë “dalë sheshit” nga përballja e vazhdueshme e kombit me racizmin.

"Ne do të bëjmë një hap të madh përpara drejt begatisë, fuqisë, sigurinë dhe dinjitetin e të gjithë punëtorëve amerikanë", tha zoti Biden të mërkurën.

Programi i demokratëve i bën jehonë të paktën disa prej retorikave të filozofisë "Amerika e Para" të zotit Trump, por ndihmësit e ish-Nënpresidentit e përshkruajnë qasjen e tij si më logjike. Në program kritikohet politika e imponimit të tarifave dhe negociatave të pabarabarta tregtare me kombet e tjera, si politika izolacioniste e të pakujdesshme që vihen në mëdyshje nga politikat tatimore që pasurojnë korporatat shumëkombëshe.

Republikanët megjithatë e kanë bërë të qartë se do ta sulmojnë zotin Biden mbi çështje që lidhen me tregtinë dhe ekonominë, duke i kritikuar politikat e tij si mjete të së majtës ekstreme mbi taksat dhe mbrojtës ndër dekada të një politike tregtare që i rrëmbeu vendet e punës amerikanëve. Zoti Trump gjithashtu e ka kritikuar publikisht zotin Biden si "të dobët në qëndrimet e tij ndaj Kinës".

Për sa i takon tregtisë, të paktën, kjo do të jetë një linjë e ngjashme me sulmin që senatori Bernie Sanders i ka bërë zotit Biden, një linjë që zoti Trump e përdori në mënyrë efektive kundër kandidates demokrate Hillary Clinton në vitin 2016. Zoti Biden votoi pro Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) në Senat në 1994, qendër e kritikave të zotit Trump dhe sulmeve të zotit Sanders. Rishikimi i NAFTA-s shihet si një prej arritjeve të zotit Trump, e cila gjeti mbështetjen e shumë demokratëve në Kongres. Që nga vitet 1990, përfshirë edhe gjatë dy fushatave presidenciale, zoti Biden ka mbrojtur politikën për një kontroll më të fortë të marrëveshjeve të ardhshme tregtare dhe ka premtuar se do të ketë në tavolinë çështje që flasin për marrëdhënie punësimi të organizuar dhe që respektojnë lëvizjet mjedisore.

Projekti që do të publikohet të enjten thekson se zoti Biden dëshiron një ringjallje të tregut amerikan përpara se të angazhohet në marrëveshje të reja tregtare jashtë vendit. Kjo përfshin anëtarësimin në Partneritetin e Trans-Paqësorit (TPP-në) që zoti Biden e ka mbështetur që gjatë kohës kur shërbente si Nënpresident në administratën Obama. Zoti Trump e ka kundërshtuar TPP-në gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Kina nuk është anëtare e TPP-së.

Si zoti Trump ashtu sikurse zoti Biden e kanë kritikuar Kinën mbi ato që i quajnë praktika të padrejta tregtare, por zoti Biden ka akuzuar zotin Trump se po nxit një luftë tregtare me një fuqi ekonomike që presidenti "nuk ka në plan ta fitojë".

Ekipi i zotit Biden këmbëngul se qasja e tij përputhet me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, por ata pranuan gjithashtu se në rast fitoreje zoti Biden do të përpiqej të modifikonte Marrëveshjen mbi Prokurimet Qeveritare nën monitorimin e OBT-së, e cila krijon efektivisht një treg të përbashkët ndërkombëtar të hapur për qeveritë pjesëmarrëse për të siguruar mallra dhe shërbime.

Tani për tani, zoti Biden nuk ka dhënë asnjë asnjë detaj se si synon të paguajë për shpenzimet e reja të propozuara. Ndihmësit e tij thonë se ai ka identifikuar burime të ardhurash për të gjitha propozimet për shpenzimet në vazhdim, por jo për investimet një-herëshe apo ato afatshkurtra si ato me vlerë prej 700 miliardë dollarësh në prokurime dhe veprimtari kërkimore. Kjo ngre mundësinë që zoti Biden të deklarojë se këto shpenzime do të mund të siguroheshin prej buxhetit duke rritur në mënyrë të kujdesshme defiçitit me qëllimin për të stimuluar ekonominë që ndodhet në vështirësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG