Lidhje

Gjykata turke i hap rrugë shndërrimit në xhami të Shën Sofisë


Më 24 korrik, pas thuajse një shekulli, në Hagia Sophia do të rikthehen faljet e myslimanëve.

Njoftimin e bëri të premten Presidenti turk Recep Taip Erdogan, i cili deklaroi se ky objekt i lashtë po rikthehet në misionin e tij fillestar si faltore për Zotin.

Deklarata e udhëheqësit turk pason vendimin e gjykatës së lartë turke për të anuluar vendimin e Ataturkut që e kishte shndërruar xhaminë në muze në fillim të shekullit të kaluar.

Vetëm një orë pasi gykatësit vendosën se Hagia Sophia do të funksionojë si xhami, Presidenti Erdogan deklaroi se ky objekt 1500 vjeçar do të rihapej për lutjet islame më 24 korrik:

"Si të gjitha xhamitë e tjera të Turqisë, dyert e Hagia Sophia-s do të jenë të hapura për të gjithë vendasit, të huajt, myslimanët e jo-myslimanët. Duke qenë se ajo është pjesë e trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit, Hagia Sophia do të vazhdojë të përqafojë të gjithë njerëzit në një formë të re, më të sinqertë dhe unike në këtë status të ri,” tha presidenti turk.

Turqia ushtroi sovranitetin e saj me këtë akt, tha zoti Erdogan, duke shtuar se çdo kritikë do të interpretohej si sulm ndaj pavarësisë së Turqisë. Hagia Sofia për afro 1000 vjet ishte katedralja më e madhërishme e krishtërimit.

Pas pushtimit të Kostandinopojës nga Sulltan Mehmeti në 1453, Hagia Sophia u shndërrua në xhami.

Një ndryshim tjetër e priste këtë ndërtesë të famshme katër shekuj më pas kur në vitet 1930 themeluesit e Turqisë moderne e kthyen në muze si simbol të transformimit të vendit.

Për vite, simbole të fesë islame dhe të krishtërimit kanë bashkekzistuar në mënyrë harmonike në këtë mrekulli arkitekturore.

Në përgjigje të presionit nga baza e tij fetare e nacionaliste, Presidenti Erdogan ishte zotuar ta rikthente Hagia Sophia-n në xhami.

Ndryshimi u realizua pasi një shoqatë e paraqiti çështjen në gjykatë duke argumentuar se shndërrimi i xhamisë në muze shekullin e kaluar ishte i paligjshëm.

Shoqata që paraqiti çështjen gjyqësore, e fundit në një betejë 16 vjeçare tha se Hagia Sophia ishte pronë e sulltanit që pushtoi qytetin në 1493 dhe e ktheu në xhami kishën ortodokse me një historik 900-vjeçar.

"Ndjej gëzimin që kanë ndjerë ata që përjetuan hapjen e Hagia Sophias për herë të parë për lutjet e myslimanëve në 1453. Ky është rrëzimi i dytë i Bizantit. Kjo është rilindja e xhamisë së hapur nga Sulltan Mehmeti, ngritja e re e myslimanëve dhe fesë islame,” thotë pensionisti Mustafa Gok.

Duke anuluar një ndër vendimet më simbolike të Ataturkut, një akt që mishëronte përkushtimin e ish-udhëheqësit ndaj në shteti modern turk, Presidenti aktual Erdogan ka arritur një fitore të rendësishme në përpjekjet për të rikthyer fenë islame në jetën publike.

Qindra vetë u mblodhën përreth Agia Sophias të premten për të festuar vendimin e gjykatës.

"Askush nuk ka ç’të thotë për këtë. Evropianët nuk kanë punë të komentojnë. Ata që e ndërtuan këtë objekt, e ngritën si faltore për Zotin. Falë Zotit, sot po i kthehet qëllimit kryesor dhe do të shërbejë përsëri për të adhuruar Zotin,” thotë mësuesi Osman Sarihan.

Analistë të pavarur thonë se presidenti turk po përpiqet të konsolidojë bazën politike në një kohë vështirësish ekonomike që kanë shtuar pakënaqësitë në popullatë:

“Ky akt ka të bëjë më shumë me problemet e brendshme që po has partia AKP në këto kohë. Në mënyrë që ta largojnë debatin nga temat shqetësuese u duhet një temë e re,” thotë analistja Istar Gozaydin.

Për momentin duket se Recep Taip Erdogan ka siguruar fitore të vyer për bazën e tij politike me këtë hap që është kritikuar nga fuqi të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Shtetit reagoi duke shprehur “zhgënjim për ndryshimin e statusit” dhe rëndësinë që Hagia Sophia të mbetet e hapur për të gjithë.

Vendimi ka irrituar dukshëm Patriarkun dhe Kishën Ortodokse me 300 milionë pasues në botë.

Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe udhëheqësit e kishave janë shprehur të shqetësuar mbi ndryshimin e statusit të ndërtesës së madhe që daton shekullin e 6-të, të kthyer në një muze në ditët e para të shtetit laik modern turk, nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Ataturkut.

"Është dalë në përfundimin se kontrata ligjore e cakton atë si xhami dhe përdorimi i saj jashtë këtij karakteri është i pamundur nga pikëpamja ligjore", thanë zyrtarët e gjykatës më të lartë administrative të Turqisë në vendimin e publikuar të premten. "Vendimi i vitit 1934 që i dha fund përdorimit të saj si xhami dhe e përcaktoi atë si një muze, bien në kundërshtim ligjin", thuhej më tej.

Shoqata që e çoi çështjen në gjykatë, e fundit në një betejë ligjore 16-vjeçare, tha se Shën Sofia ishte pronë e udhëheqësit otoman që pushtoi qytetin në 1453 dhe që e shndëroi kishën tashmë 900-vjeçare bizantine në një xhami.

Osmanët ndërtuan minare përqark katedrales, ndërsa brenda shtuan emra arabë të kalifëve të hershëm myslimanë, krahas ikonave të lashta të krishtera të katedrales.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG