Lidhje

SHBA, Gjykatësja pezullon ekzekutimin e planifikuar për të mërkurën


Një gjykatëse federale ka pezulluar ekzekutimin e planifikuar për të mërkurën të një personi të dënuar me vdekje, pasi autoritetet federale kryen të martën ekzekutimin e parë në 17 vjet.

Avokatët e 68-vjeçarit Wesley Ira Purkey argumentuan se ai nuk përmbush standardet për ekzekutim sepse nuk e kupton konceptin e krimit kapital, pasi ka pasur probleme mendore prej kohësh dhe me shtimin e demencës aftësia e tij logjikuese ka rënë edhe më shumë.

Gkykatësja Tanya Chutkan tha në vendimin e saj se avokatët mbrojtës të të dënuarit kanë “ofruar prova të shumta të paaftësisë së tij mendore” dhe se këto argumente vlejnë të dëgjohen në një seancë të drejtë dëgjimore.

Për të garantuar këtë seancë, ajo dha urdhër që të pezullohej për momentin ekzekutimi.

Purkey u dënua me vdekje për vrasjen dhe copëtimin e trupit të një adoleshenteje në Mizuri në 1998. Ai gjithashtu pranoi fajësinë për vrasjen e një 80-vjeçareje.

Vendimi i së mërkurës pason ekzekutimin e Daniel Lewis Lee të martën, i pari person që ekzekutoeht nga qeveria federale që në 2003.

Vendimi i Gjykatës së Lartë hapi rrugën për ekzekutimin e katër individëve.

Ekzekutimi i të dënuarit Daniel Lewis Lee u krye pas vendimit të Gjykatës së Lartë të martën herët në mëngjes që rrëzonte urdhrin e një gjykate më të ulët për tre ekzekutime të planifikuara për këtë javë dhe një tjetër të caktuar për muajin e ardhshëm.

Lee u ekzekutua me një dozë qetësuesi të fuqishëm, pentobarbital, në një burg federal të shtetit Indiana, pak orë pasi gjykata shpalli vendimin.

Ai ishte shpallur fajtor për vrasjen e një familjeje prej tre anëtarësh, përfshirë një vajzë 8-vjeçare, në vitin 1996.

Lee duhej të ekzekutohej të hënën, por disa orë para se kjo të ndodhte, një gjykatës federal lëshoi një urdhër paraprak me arsyetimin se gjykatave duhet t’u lihej më shumë kohë për të shqyrtuar nëse metoda e ekzekutimit shkelte masat mbrojtëse kushtetuese kundër dënimeve mizore dhe të pazakonta.

Avokatët argumentuan se pentobarbitali mund të shkaktojë një lloj stresi të frymëmarrjes me ndjesinë e mbytjes.

Shumica e Gjykatës së Lartë (5-4) e hodhi poshtë këtë argument, duke thënë se pentobarbitali ishte miratuar nga shtetet që kryejnë ekzekutimet e tyre dhe se më shumë se 100 njerëz janë ekzekutuar me këtë mënyrë, pa ndonjë incident.

"Qeveria ka sjellë dëshmi ekspertësh, ku ka treguar se edemat pulmonare ndodhin vetëm pasi i burgosuri ka vdekur ose ka humbur plotësisht ndjenjat,” shkruhej në opinionin e shumicës. "Pala ankuese në këtë rast nuk ka treguar provat për të justifikuar ndërhyrjen në minutën e fundit nga një Gjykatë Federale."

Gjyqtaret Sonia Sotomayor, Ruth Bader Ginsburg dhe Elena Kagan, u shprehën në opinionin e pakicës se shumica ishte nxituar në rishqyrtimin e çështjes.

"Vendimi i sotëm ilustron se sa të rënda mund të jenë pasojat e vendimmarrjes së tillë të përshpejtuar," tha gjyqtarja Kagan.

Gjyqtari Stephen Breyer, të cilit iu bashkua edhe gjyqtarja Ginsburg, u shpreh se Gjykata e Lartë mund të duhet të shqyrtojë vetë kushtetutshmërinë e dënimit me vdekje.

Ekzekutimi i Wesley Ira Purkey, i planifikuar për të mërkurën, është tani i pezulluar. Më pas vjen ekzekutimi i Dustin Lee Honken të premten. Ndërsa Keith Dwayne Nelson është planifikuar të ekzekutohet më 28 gusht.

Që nga rivendosja e dënimit me vdekje në vitin 1988, qeveria federale kishte ekzekutuar deri tani tre persona në vitin 2003.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG