Lidhje

Shqipëri: Sondazh mbi perceptimin ndaj integrimit europian


Shqipëri: Sondazh mbi perceptimin ndaj integrimit europian
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00


Në Tiranë, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare publikoi një studim, sipas të cilit, mbi 90 për qind e popullatës e vlerësojnë shumë të rëndësishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.


Mbi 85 për qind e tyre janë gati sot të votojnë pro këtij anëtarësimi në një referendum të mundshëm.

Arsyet e këtij qëndrimi janë nevoja e madhe për të përmirësuar standartin e jetesës, rritjen e punësimit, uljen e varfërisë dhe të korrupsionit.

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare e kreu studimin dhe sondazhin në nivel kombëtar, në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel Foundation, menjëherë pas vendimit të Këshillit të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fund të marsit.


Pjesa më e madhe e të anketuarve thonë se përgjegjësja kryesore në këtë proces është qeveria shqiptare.

“Qytetarët mendojnë se përgjegjësinë më të madhe në këtë proces e kanë qytetarët. Aty ku është pushteti shkon edhe përgjegjësia. Gjithashtu kemi grupe të mëdha qytetarësh, që janë të ndërgjegjshëm për rolin e partive politike. Ata thonë që partitë politike kanë një rol vendimtar në këtë proces, se me sjelljet e tyre ato edhe mund të bëhen pengesë ose promotorë të integrimit. Ka një ndjeshmëri nga qytetarët për këtë, por gjithsesi shumica e qytetarëve rolin kryesor e gjejnë te ekzekutivi” - thotë bashkautorja e studimit, Alba Çela, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.


Sipas studimit, afro gjysma e të anketuarve janë të vetëdijshëm se Shqipëria nuk është ende gati për t’u anëtarësuar në BE.

Madje gjysma e të anketuarve mendojnë se BE nuk duhet ta pranojë Shqipërinë në radhët e saj nëse ajo nuk është gati për t’u anëtarësuar.


“Roli i parlamentit dhe opozitës është i jashtëzakonshëm në procesin e integrimit, siç e kemi parë edhe nga përvoja e vendeve të tjera që janë si Kroacia për shembull. Mënyra se si ata i përfshinë këto aktorë duhet të jetë një mësim për ne, sepse vetëm gjithëpërfshirja në këtë proces sjell suksesin dhe përshpejtimin. Përndryshe është një zvarritje e jashtëzakonshme siç mund ta shohim me vendet si Serbia dhe Mali i Zi, që pavarësisht se i kanë hapur negociatat, vijojnë për një kohë të gjatë në këtë proces” - tha zonja Çela.


Megjithatë padurimi i shqiptarëve për këtë anëtarësim është i madh. Mbi 45 për qind e të anketaturve shpresojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE brenda 5 vitesh dhe 30 për qind të tjerë mendojnë se kjo do të ndodhë as 10 vitesh.

Afro 80 për qind e qytetarëve janë në dijeni të kushteve që i janë vënë Shqipërisë për të përmbushur para hapjes së negociatave.


Mbi 70 për qind e tyre mendojnë se Shqipëria mund t’i plotësojë ato kushte brenda 1 - 3 vjetësh.

“Gjithë shoqëria duhet ta dijë se ka kushte, në mënyrë që të ushtrojë presion që të 15 kushtet të plotësohen. Aktorët kryesorë të shoqërisë civile dhe medias duhet të ndjekë ecurinë e plotësimit të kushteve. Ajo që pengon është polarizimi politik, mungesa e vullnetit politik për t’i bërë këto reforma” - tha studiuesja Çela.


Një gjetje tjetër me rëndësi është pohimi masiv i të anketuarve se ata informohen mbi Bashkimin Europian dhe procesin integrues të Shqipërisë vetëm nga mediat; mbi 30 për qind nga televizioni, nën 30 për qind nga interneti dhe afro 20 për nga radio dhe gazetat.

Qytetarët besojnë se integrimi në BE i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar standartin e jetesës, rritjen e punësimit, uljen e varfërisë dhe të korrupsionit, forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG