Lidhje

Demokratë të lartë vënë alarmin për mundësinë e ndërhyrjeve në zgjedhje


Every voting booth was filled by Madison County voters, Nov. 6, 2018, as they filled out their paper ballots in Ridgeland, Miss.

Një grup i rëndësishëm ligjvënësish po paralajmëron se Kongresi amerikan mund të jetë objektivi i një fushate të aktorëve të huaj për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Paralajmërimi nga anëtarët demokratë të të ashtuquajturës Grupi i Tetëshes, që përfshin Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Drejtuesin e Pakicës në Senat dhe demokratët e lartë në Komisionet e inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, vjen në një letër drejtuar Byrosë Federale të Hetimit, duke kërkuar një seancë dëgjimore për të gjithë ligjvënësit deri në fund të muajit.

"Ne jemi të shqetësuar thellë, veçanërish pasi Kongresi duket të jetë objektivi i një fushate të ndërhyrjes së huaj, të bashkërenduar, e cila kërkon të pastrojë dhe zgjerojë dezinformimin në mënyrë që të ndikojë në veprimtarinë e kongresit, debatin publik dhe zgjedhjet presidenciale në nëntor," shkruajnë ligjvënësit në letrën e 13 korrikut drejtuar drejtorit të FBI-së, Christopher Wray.

Letra ndan vetëm disa hollësi të tjera, por citon "seriozitetin dhe specifikën e këtyre kërcënimeve", si një arsye të urgjencës për seancën me dyer të mbyllura.

FBI-ja i tha Zërit të Amerikës se e ka marrë letrën por nuk pranoi të komentojë më tej.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), e cila njoftoi në maj se do të përçonte "të gjitha informatat kërcënuese të bazuara në inteligjencë tek kandidatët, fushatat dhe organizatat politike", gjithashtu nuk pranoi të komentojë për shqetësimet.

Por një zëdhënës vuri në dukje se zyrtarët kanë vazhduar të informojnë ligjvënësit për kërcënimet e sigurisë së zgjedhjeve.

Mbetet e paqartë nëse liderët kryesorë republikanë në Kongres e mbështetën thirrjen për një seancë urgjente të kundër-zbulimit. Kërkesat e Zërit të Amerikës drejtuar drejtuesve të lartë republikanë në Komisionet e iInteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit mbeten pa përgjigje.

Shqetësimet për përpjekjet e kundërshtarëve të Amerikës, përfshi Rusinë dhe Kinën, për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA në nëntor nuk janë të reja.

Në një deklaratë përpara zgjedhjeve të rëndësishme paraprake këtë mars, agjenci të shumta qeveritare, përfshirë FBI, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe ODNI paralajmëruan që votuesit "duhet të jenë të vetëdijshëm që aktorët e huaj vazhdojnë të përpiqen të ndikojnë në ndjenjën e publikut dhe në perceptimin e votuesve".

Kohët e fundit, kandidati i pritshëm presidencial demokrat, ish nënpresidenti Joe Biden, tha se ai ishte paralajmëruar për përpjekjet ruse dhe kineze.

"Ne e dimë këtë nga e kaluara - dhe ju garantoj se e di tani, pasi tani po marr përsëri njoftime - se rusët janë ende të angazhuar në përpjekjet për të delegjitimuar procesin tonë zgjedhor," u tha ai mbështetësve të tij gjatë një ngjarje për grumbullim fondesh në internet javën e kaluar.

Demokratët e tjerë gjithashtu kanë ngritur shqetësime.

Demokratët e lartë në komisionet e Sigurisë dhe Financave në Senat u dërguan një letër homologëve të tyre republikanë javën e kaluar duke kërkuar një raportim nga grupi i punës për Ndikimit të Jashtëm të FBI-së dhe zyrtarë të tjerë të inteligjencës.

Letra, e cila citonte njoftimin nga gazeta The Washington Post, shprehte shqetësime në lidhje me operativët pro-rusë të Ukrainës dhe materialin që ata mund të kenë ofruar tek dy komisionet në lidhje me një hetim për djalin e Bidenit, Hunter.

Pavarësisht shqetësimeve të tilla, zyrtarët amerikanë kanë kërkuar të sigurojnë amerikanët se vota në vetvete do të jetë e sigurt kur ata të shkojnë në votime në pak më pak se tre muaj e gjysmë.

"Unë e kam thënë atë më parë dhe do ta them përsëri - zgjedhjet e vitit 2020 do të jenë zgjedhjet më të sigurta në historinë moderne," tha Chris Krebs, drejtori i Agjencisë së Sigurisë së Infrastrukturës Kibernetike të premten e kaluar.


Zyrtarët thonë se ndërsa zgjedhjet presidenciale të nëntorit nuk do të jenë pa rrezik, sistemet e mbrojtjes dhe të mbështetjes duhet të garantojnë një rezultat të lirë dhe të drejtë.
Ai shtoi se nuk ka tregues se Rusia, Kina apo dikush tjetër po përpiqet në mënyrë aktive të ndërhyjë në sistemet e zgjedhjeve të Sh.B.A-së.

"Ne nuk po shohim atë nivel të aktivitetit kibernetik të koordinuar dhe të vendosur," tha zoti Krebs.

Zyrtarë të tjerë të lartë janë duke premtuar se çdo ndërhyrje në një fushatë dezinformimi përmes sulmeve kibernetike do të ketë një përgjigje të fortë.

"Ne do të veprojmë," tha gjenerali Paul Nakasone, kreu i komandës së Kibernetikës në ushtrinë amerikane, gjatë një konference të hënën.

"Ne do të veprojmë kur të shohim kundërshtarët që përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet tona," tha ai. "Qëllimi ynë numër 1, objektivi ynë numër 1 në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Komandën Kibernetike të SHBA - janë zgjedhje të sigurta dhe të ligjshme në 2020 "

Korrespondenti pranë Shtëpisë së Bardhë Steve Herman ndihmoi në këtë material.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG