Lidhje

NASA përgatitet të dërgoj një sondë të re në Mars


NASA po përgatitet të nis një sondë me gjashtë rrota në Mars, ku shkencëtarët shpresojnë se do të mbledhë mostra shkëmbor që do të sillen në Tokë për analiza pas rreth një dekade. Sonda, e quajtur "Perseverence", është pjesë e një misioni më ambicioz të NASA-s në Mars, që do të ketë një kosto prej rreth 3 miliardë dollarësh.

NASA përgatitet të dërgoj një sondë të re në Mars
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Inxhinierët e kanë vendosur sondën "Perseverence" të NASA-s në majë të raketës Atlas V dhe po bëjnë provat e fundit para nisjes.

Menaxherët e projektit synojnë të realizojnë nisjen nga Florida para 30 korrikut.

Sonda me gjashtë rrota, e clia ka një madhësi të ngjashme me atë të një makine, do të ketë si objektiv mbledhjen e mostrave të shkëmbinjëve me përmbajtje biologjike, nëse ata ekzistojnë. "Perseverence" do të bëjë shpime në shkëmbinjtë më premtues dhe do të depozitojë mostra me peshë gjysmë kilogramë në dhjetra tuba titani që përfundimisht do të sillen në tokë nga një sondë tjetër.

"Konfirmimi i ekzistencës së jetës në një planet tjetër do të jetë shumë i vështirë për t’u realizuar me instrumentet që mund t’i fluturojmë. Kështu që një nga hapat kryesorë të sondës "Perseverence" është mbledhja e mostrave që mund të sillen në Tokë në të ardhmen dhe pastaj të analizohen në laboratorët që kemi në tokë, të cilat në të vërtetë duhet të na japin një përgjigje përfundimtare për këtë pyetje", shpjegon shkencëtari i projektit të misionit, Dr. Kenneth Farley.

Shkencëtarët duan të dinë se si ishte Marsi miliarda vjet më parë, kur kishte lumenj, liqene dhe oqeane që mund të kenë ofruar kushtet për jetë për organizmat e thjeshtë të imët përpara se planeti të kalonte në shkretëtirën dimërore në të cilën gjendet sot. Sonda "Perseverence" do të mbledhë mostra shkëmbi dhe dheu dhe do t'i depozitojë ato në tuba me madhësi stilolapsi në sipërfaqen e Marsit.

Vite më vonë, një sondë tjetër, e prodhuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës, do të zbarkojë në Mars për t’i mbledhur mostrat dhe për t'i ngarkuar ato në një mjet fluturues që do t'i dërgojë ato në orbitë.

Nëse puna e inxhinierëve përparon sipas planit, sonda “Fetch” e Agjencisë Evropiane të Hapësirës mund të niset drejt Marsit në vitin 2026, do të zbarkojë atje në vitin 2028 dhe do të sjellë në tokë mostrat nga viti 2031.

"Nëse vazhdojmë të shtojmë numrin e sondave, rrisim në një shkallë të caktuar njohuritë, por sjellja e mostrave (në tokë) krijon mundësinë e analizimit të tyre nga mijëra shkencëtarë dhe qindra laboratorë. Kjo do të çonte në një rritje të madhe të njohurive", thotë Scott Hubbard, ish drejtor i Qendrës Kërkimore Ames të NASA-s.

Përveç mbledhjes së mostrave, sonda "Perseverence" është e pajisur me një numër instrumentesh shkencore për të kërkuar shenja të jetës nga kohët e shkuara të Marsit.

"Kur i afrohemi, mund të aktivizojmë krahun e sondës "Perseverence" për të gërryer pak shkëmbin dhe më pas përmes instrumentit Sherlock do të mund të shohim nëse ai shkëmb ka lëndë organike", shpjegon shkencëtarja Bethany Ehlmann.

"Perseverence" do të zbres në një deltë lumi dhe liqeni të lashtë, të quajtur Krateri Xhezero, pak më i vogël se liqeni Okiçobi në Florida.

Krateri Xhezero është i mbushur me gurë, shkëmbinj dhe duna ranore, që mund t’i japin fund misionit të sondës "Perseverence".

Por, shkencëtarët e zgjodhën këtë krater nga 60 zonat e mundshme të studimit, sepse aty mund të gjenden shenja të jetës që dikur mund të ketë ekzistuar. Krateri besohet se ishte i mbushur me ujë 3.5 miliardë vjet më parë dhe aty mund të ketë patur jetë mikrobike që mund të kenë lënë shenja në shtresat e rërës.

Nuk është e qartë se si pandemia e koronavirusit mund të ndikojë në misionin e sondës pas mbërritjes së saj në Mars në shkurt të vitit të ardhshëm.

Inxhinierët dhe shkencëtarët aktualisht po kontrollojnë sondën “Curiosity” në Mars nga shtëpitë e tyre për shkak të shpërthimit të virusit.

Shumë vende kanë bërë përpjekje për të dërguar sonda në Mars që në fund kanë dështuar, përfshirë përpjekjen e fundit të Kinës dhe Rusisë që dështoi në vitin 2011.

Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë qenë të sukseshme në këtë mision, me tetë sonda në Mars, duke filluar me sondën binjake Vikings në vitin 1976. Dy sonda të NASA-s, Curiosity dhe Insight tani janë duke operuar në Mars.

Gjashtë mjete fluturuese janë duke eksploruar Marsin nga orbita e tij: tre të Shteteve të Bashkuara, dy evropiane dhe një nga India.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG