Lidhje

Përplasje në diskutimet për paketën e re të ndihmave përballë COVID


Paketa e ardhshme e mbështetjes ekonomike në përgjigje të COVID-19 mund të arrijë në 1 trilion dollarë, ndërkohë që vazhdojnë negociatat mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit lidhur me fondet për të rihapur shkollat, për të mbështetur biznesin e vogël, për të shtuar testet për diagnostikimin e të infektuarve dhe për të furnizuar ekonominë me kesh ndërkohë që thellohet kriza ekonomike nga virusi.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell premtoi të martën një paketë të re pagesash të drejtpërdrejta për amerikanë me të ardhura nën një nivel të caktuar, të ngjashëm me pagesat prej 1200 dollarësh që u dërguan në pranverë. Demokratët duan shpenzimin e miliarda dollarëve për të përgatitur shkollat për rikthimin e nxënësve në kushtet e pandemisë, apo për të mbështetur qeveritë lokale.

“Për fat të keq, nuk kemi mbaruar punë,” tha zoti McConnell, duke u bërë thirrje amerikanëve të mësojnë të jetojnë në kushtet e virusit, duke vënë maska dhe duke ruajtur distancë fizike deri kur të zbulohet vaksina.

Sekretari i Thesarit, Mnuchin dhe shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows e kaluan ditën me takime në Kapitol në përpjekje për të arritur një kompromis mes propozimit të republikanëve për një paketë prej 1 trilion dollarësh dhe planit të Dhomës së Përfaqësuesve nën drejtimin e demokratëve për një paketë prej 3 trilionë dollarësh.

Gjatë diskutimeve të drekës, senatorë republikanë me peshë ngritën shqetësime për shpenzime të shfrenuara, duke u zotuar të bllokojnë miratimin e paketës.

Përkrahësit e paketës “duhet të kenë turp,” tha Rand Paul, senator nga Kentaki, pasi doli nga takimi.

Senatori Paul i quajti republikanët që po mbështesnin propozimin për shpenzime më të mëdha “vëllezër me Bernie Sanders”. “Kjo është çmenduri. Nuk ka më dallim mes dy partive”.

Ndërkohë që nuk duket se pandemisë po i vjen fundi, zyrtarët pranojnë se ndodhen para një sfide të madhe në përpjekje për të mbajtur nën kontroll përhapjen e infeksionit dhe nga ana tjetër për të parandaluar vështirësi të mëtejshme ekonomike.

Zoti Meadows tha në komentet për shtyp se do që të sigurohet se paketa e ndihmës ekonomike “përmbush nevojat legjitime të amerikanëve”.

Republikanët kanë përgatitur një paketë propozimesh me vlerë 1 trilion dollar, të cilën zoti McConnell e quajti “një fillim” në bisedime. Kjo paketë ishte kundërpërgjigje ndaj propozimit të Dhomës së Përfaqësuesve për paketë 3 trilionë dollarëshe. Dy palët duan të arrijnë marrëveshje para fundit të muajit, kur skadon asistenca e papunësisë për shumë amerikanë.

Paketa e zotit McConnell do të dërgonte pagesa ndihme për amerikanët me të ardhura të ulëta si dhe do t’u ofronte bizneseve të vogla kredi për të paguar punonjësit. Por ky plan parashikon reduktimin e ndihmës financiare për amerikanët që përfitojnë, pasi republikanët argumentojnë se shumat e mëdha të asistencës ulin dëshirën e punonjësve për t’u kthyer në punë.

Presidenti ka kërkuar eliminimin e taksës së pagës prej 15% që paguhet bashkarisht nga pronari dhe punonjësi dhe mbështet edhe programet qeveritare të sigurimeve sociale. Kritikët thonë se eliminimi i taksës nuk ndihmon amerikanët që kanë humbur punën, por thellon edhe më tej borxhin buxhetor.

Demokratët e kanë sulmuar planin e republikanëve si një propozim që favorizon korporatat në kurriz të punëtorit amerikan. Ata kanë propozuar shpenzime prej 3 trilionë dollarësh për stimulimin ekonomik dhe përgjigjen ndaj pandemisë. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë propozuar 100 miliardë dollarë për përgatitjen e shkollave për kthimin e nxënësve.

Pretendenti demokrat në zgjedhjet presideniale, Joe Biden theksoi se përparësia e tij në këtë periudhë janë familjet punëtore dhe bizneset e vogla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG