Një gjykatë apeli në Uashington bllokoi të martën drejtorin e ri ekzekutiv të Agjencisë amerikane për Median Globale (USAGM) që të vendosë të emëruarit e tij për të mbikëqyrur një agjenci të financuar nga qeveria, e cila ndihmon projektet që sjellin risi në teknologji për të reklamuar lirinë në internet në të gjithë botën.
Gjykata e Apelit rrëzon vendimin e një gjykate më të ulët, duke ndaluar drejtorin e USAGM-së Michael Pack, të zëvendësojë drejtuesit e mëparshme të Fondit të Teknologjisë së Hapur (OTF), një prej disa agjencive që ai mbikëqyr. "Zëri i Amerikës" është një prej tyre, por nuk ndikohet nga vendimi i marrë së fundmi.
Vendimi i apelit është i përkohshëm, në pritje të një shqyrtimi të mëtejshëm nëse çështja kundër përpjekjes së zotit Pack për të ndryshuar përbërjen e bordit të Fondit të Teknologjisë së Hapur ka baza ligjore. Por vendimi duket se rikthen në detyrë anëtarët e mëparshëm të bordit të OTF-së ndërsa vazhdon ndjekja e çështjes në gjykatë. Vendimi përbën pengesën e parë ligjore mbi përpjekjet e zotit Pack për të marrë kontrollin e USAGM-së, prej momentit që mori detyrën në qershor.
Në fillim të këtij muaji, gjykatësi i rrethit Beryl Howell e rrëzoi kërkesën e anëtarëve të bordit ekzistues të OTF-së për të bllokuar masën e zotit Pack për t'i zëvendësuar ata.
Sipas vendimit të zotit Howel, Kongresi i ka dhënë drejtorit ekzekutiv të USAGM-së autoritetin përfundimtar për të kontrolluar agjencitë që mbikëqyr dhe se nëse Kongresit nuk i pëlqejnë veprimet e zotit Pack, mund ta kufizojë autoritetin e tij përmes miratimit të masave të reja ligjore.
Zoti Howell vinte në dukje se "Kongresi ka vendosur ta përqendrojë pushtetin në mënyrë të njëanshme tek shefi ekzekutiv i USAGM-së dhe se gjykata nuk mund ta ndryshojë këtë përcaktim". Megjithatë në vendimin e gjykatës së Apelit thuhej se zoti Pack duket se nuk gëzon të njëjtin autoritet mbi Fondin jofitimprurës të Teknologjisë së Hapur, të përqendruar tek interneti, autoritet të cilin ai e ka mbi agjencitë e tjera që mbikëqyr të financuara nga qeveria.
"OTF nuk është transmetues ... dhe nuk është aq i ngjashëm me agjencitë që transmetojnë të listuara në mënyrë të qartë në ligjin që kontrollon veprimet e drejtorit ekzekutiv të USAGM-së", thuhej në vendimin e një trupe gjykuese prej tre gjyqtarësh. "Autoriteti ligjor i Pack ... nuk duket se përfshin kontrollin mbi bordit ose operacionet e OTF-së".
Zoti Howell i kundërshtoi shqetësimet në lidhje me zëvendësimin e anëtarëve të bordit nga zoti Pack, por trupa gjykuese e apelit nuk u pajtua me këtë vendim dhe tha se anëtarët e bordit të OTF-së që kundërshtojnë shkarkimin e tyre, kanë të ngjarë ta fitojnë çështjen e tyre në fund të procesit.
"Veprimet e qeverisë kanë rrezikuar marrëdhëniet e OTF-së me organizatat partnere të saj, duke bërë që ato të frikësohen mbi sigurinë e tyre", thuhej në vendimin e gjykatës. “Në mungesë të një vendimi gjyqësor gjatë procesit të apelimit, OTF-ja po përballej me një rrezik në rritje që vendimet e saj të ndërmerreshin prej qeverisë, gjë që do të shkaktonte dëmtim të reputacionit dhe do të humbiste aftësinë për të vepruar në mënyrë efektive nën dritën e dy bordeve që bien ndesh me njëri-tjetrin e që ekzistojnë aktualisht”.
As zoti Pack dhe as zyrtarët e USAGM-së nuk iu përgjigjën një kërkese të "Zërit të Amerikës" të martën për komente rreth vendimit.
Një përfaqësuesi ligjor për anëtarët e bordit të OTF-së të cilët ngritën aktpadinë nuk iu përgjigj pyetjes së "Zërit të Amerikës" në lidhje me vendimin.
Zoti Pak një producent filmash me qasje konservatore, u konfirmua në Senat muajin e kaluar pas një procesi për miratimin e tij që zgjati rreth dy vjet në Kongres për shkak të kundërshtive të demokratëve.
Në javët e para në detyrë zoti Pack shkarkoi drejtuesit e agjencive që mbikëqyr, duke i zëvendësuar ata kryesisht me zyrtarë të karrierës. Ai emëroi drejtues nga jashtë në postet drejtuese të OTF-së dhe radio “Martit”. Kritikët e emërimit të zotit Pack thonë se presidenti Trump e zgjodhi atë në një përpjekje për një mbulim mediatik më të favorshëm të punës së administratës së tij dhe se zëvendësimi që zoti Pack i bëri zyrtarëve kryesorë ka minuar efektivitetin e agjencive mediatike.
Zoti Pack i ka dalë në mbrojtje veprimeve të tij duke i quajtur pjesë të kompetencave të tij ligjore që synojnë përmirësimin dhe modernizimin e agjencive të financuara nga SHBA.
Ai ka mbrojtur gjithashtu pavarësinë editoriale të gazetarëve dhe është zotuar të mbështesë Kartën e “Zërit të Amerikës”.
Karta e “Zërit të Amerikës”, e nënshkruar në ligj në 1976, kërkon që agjencia të jetë "e saktë, objektive dhe gjithëpërfshirëse" në raportimet e saj, për të siguruar një mbulim të ekuilibruar e gjithëpërfshirës të opinionit publik amerikan dhe t’i përcjellë politikat e qeverisë amerikane “në mënyrë të qartë dhe efektive”.
Zoti Pack është drejtori i parë ekzekutiv i USAGM-së i miratuar nga Senati pas një rishikimi tërësor të strukturës drejtuese të agjencisë, të cilën Kongresi e miratoi në fund të vitit 2016 dhe që u firmos në ligj nga ish-Presidenti Barack Obama. Ndryshimet i dhanë fuqi të gjera drejtorit ekzekutiv mbi të gjithë transmetuesit civilë të financuar nga qeveria amerikane, përfshirë fuqinë për të vendosur mbi buxhetin dhe për të bllokuar fondet për agjensitë që ai nuk i sheh më si efektive.
Vendimi i gjykatës federale vjen vetem një ditë pasi Prokurori i Përgjithshëm i Uashington, Karl Racine, depozitoi një aktpadi në gjykatë e Lartë të qytetit, ku pohon se përpjekja e zotit Pack për të marrë kontrollin e bordit të OTF-së bie ndesh me ligjin për drejtimin e organizatave jofitimprurëse.
Facebook Forum