Lidhje

Tiranë: Nis Lëvizja kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve


Në Tiranë, u themelua sot Lëvizja Kombëtare “NE JEMI 1 - Së bashku Kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve”.

Lëvizja bashkoi organizata joqeveritare, Presidentin e Republikës dhe disa institucione për të drejtat njerëzore.

Shqipëri, lëvizje në mbrojtje të fëmijëve nga abuzimi seksual
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Mijëra të rinj shqiptarë marshuan disa javë më parë në rrugët e kryeqytetit në mbrojtje të një nxënëseje, që u abuzua nga roja i shkollës.

Ky ishte rasti më i fundit në një seri abuzimesh të ngjashme me vajzat në shkolla, familje dhe në komunitet.

Shoqëria civile themeloi sot në Shqipëri lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna seksuale.

Nisma erdhi pas një serie ngjarjesh dramatike me abuzime seksuale ndaj vajzave.

Krijimi i Lëvizjes Kombëtare u nxit nga rritja e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve.

Në harkun kohor të një viti 67 fëmijë dhe adoleshentë janë dhunuar, ngacmuar dhe shfrytëzuar seksualisht.

Sipas studimeve dhe anketimeve me grup-moshat përkatëse, 1 në 10 fëmijë janë viktima të dhunës dhe ngacmimit seksual në Shqipëri.

Studiuesit vlerësojnë se dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve favorizohet edhe nga paragjykimet shoqërore, sistemi i dobët i mbrojtjes së fëmijëve, tabutë mbi seksin edhe stereotipet gjinore.

Drejtuesi i Qendrës Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Altin Hazizaj, tha se Lëvizja kërkon të çlirojë shoqërinë shqiptare nga steriotipet që nuk lejojnë vajzat dhe djemtë të jenë të barabartë.

“Kjo lëvizje mbarëkombëtare synon të ulë paragjykimet mbi seksualitetin që i shndërron vajzat në objekte të sulmit, kontrollit dhe pushtetit të burrave e djemve. Është koha të jemi së bashku kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri!” - tha zoti Hazizaj.

Lëvizja kombëtare kundër Kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve u mbështet nga presidenti i Republikës, dhe disa institucione që vazhgojnë të drejtat e njeriut.

Zoti Meta tha në ceremoninë e Lëvizjes së re, që u mbajt në selinë e presidencës, se dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është abuzimi më i rëndë që ndodh në Shqipëri, me pasoja afatshkurtra dhe afatgjata.

“Të gjithë së bashku duhet të ngremë zërin për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe të përmirësojmë politikat, kuadrin ligjor dhe të ngremë barriera për të ndalur dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve. Nevojitet hartimi i një ligji të posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve në internet; Ndryshimi i Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur me fokus të veçantë mbrojtjen nga dhuna seksuale; apo Krijimi i Regjistrit Kombëtar të të dënuarve për krimet seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri. Rritja e ndëshkueshmërisë është çelësi i suksesit për të ardhmen” - tha zoti Meta.

Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është kthyer në një prej shqetësimeve kryesore për shoqërinë shqiptare.

Një muaj më parë kryqeyteti u mbush me mijëra të rinj, gjimnazistë, student, prindër e mësues që protestuan kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të një vajze 15 vjeçare nga roja i shkollës.

Ngjarja tronditi opinionin publik pasi zbuloi vetëm një pjesë të vogël të abuzimeve që ndodhin në shkollë, familje dhe komunitet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG