Lidhje

SHBA, mbi 4 milionë të prekur nga koronavirusi


Në SHBA të enjten u regjistruan më shumë se 4 milionë të infektuar nga koronavirusi që prej fillimit të pandemisë. Ndërkohë vendi po përballet me qindra mijëra amerikanë të papunë që kanë aplikuar për ndihmë federale ndërsa ligjvënësit po shohin mundësinë e një tjetër paketë shpëtimi nga pandemia.

SHBA vazhdon të udhëheqë për nga numri i të prekurve me COVID-19 në rang botëror me më shumë se 4 milionë të prekur nga 15.3 milionë rasteve të konfirmuara globalisht, sipas universitetit Johns Hopkins. E njëjta situata paraqitet edhe me numrin e vdekjeve me rreth 143 mijë që kanë humbur jetën prej fillimit të pandemisë pasuar nga Brazili që renditet i dyti me 82.771 të vdekur.

Rritja e nivelit të papunësisë

Krahas rritjes së infeksioneve me koronavirus, u shënua gjithashtu një rritje e mprehtë e numrit të shtetasve amerikanë që aplikuan për pagesën e papunësisë javën e kaluar. Departamenti i Punës raportoi të enjten se rreth 1.4 milionë amerikanë kanë aplikuar për pagesën në rast papunësie, duke i dhënë fund 15 javëve rresht gjatë së cilave ishte shënuar një rënie e numrit të të papunëve. Shifrat zhgënjyese të papunësisë u publikuan ndërsa shumica në Senat e udhëhequer nga Mitch McConnell përgatitej të bënte publik të enjten një paketë të re ndihme prej 1 trilion dollarësh. Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miratoi një paketë shpëtimi prej 3.5 trilionë dollarësh dy muaj më parë dhe ka bërë thirrje për me shumë fonde për të ndihmuar shtetet e qeveritë lokale. Por Senati i udhëhequr nga republikanët këmbëngul në kufizimin e fondeve në rreth 1 trilion dollarë dhe përdorimin e parave për mbështetjen dhe mbrojtjen ligjore të shkollave, bizneseve dhe shoqatave bamirëse që kanë vendosur të rihapen.

Numër rekord vdekjesh

Ndërkohë SHBA shënoi një zhvillim të zymtë të mërkurën duke regjistruar më shumë se 1 mijë vdekje për të dytën ditë me radhë. Kalifornia tejkaloi Nju Jorkun për nga numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus. Shteti perëndimor ka mbi 422 mijë raste, përfshirë më shumë 12.100 që u regjistruan të mërkurën, një shifër ditore rekord, ndërsa Nju Jorku ka më shumë se 413 mijë raste që prej fillimit të pandemisë.

Presidenti Donald Trump bëri të ditur të mërkurën vullnetin e qeverisë amerikane për të siguruar një ndihmë shtesë prej rreth 5 miliardë dollarësh në pajisje e trajnime, për shtëpitë e pleqve, shumë prej të cilave janë pikat e nxehta të pandemisë. Sipas vlerësimeve të agjencive federale, 37 mijë të vdekur si pasojë e koronavirusit në rang vendi ishin banorë të shtëpive të pleqve. Azilet përfituan rreth 5 miliardë dollarë fonde që u miratuan nga Kongresi më parë gjatë këtij viti.

Progresi me vaksinat

Të mërkurën qeveria amerikane njoftoi se do t'i paguajë 1.95 miliardë dollarë prodhuesit të ilaçeve "Pfizer" dhe kompanisë gjermane “BioNTech” për 100 milionë doza të një vaksine kundër COVID-19, nëse provat klinike do të tregojnë se ajo është e sigurt dhe e efektshme.

Ndërkohë të enjten Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim lëshoi një raport ku rekomandonte se gati 3 miliardë njerëz nga më të varfrit në botë, duhet të marrin të ardhura të përkohshme për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së koronavirusit.

Në raport thuhet se 199 dollarë në muaj do t'i jepnin 2.7 miliardë njerëzve të ardhura bazë dhe "mundësi që të blejnë ushqime e të sigurojnë shpenzime për kujdesin e tyre shëndetësor e arsimim”.

Australia urdhëron vendosjen e maskave me detyrim

Në Australi të enjten hyri në fuqi një urdhër për vendosjen e detyruar të maskave në qytetin e dytë më të madh të vendit, Melburn, i cili është shndërruar tashmë në epiqendrën e rasteve të reja me koronavirus. Ky është urdhri më i fundit i vendosur për pesë milionë banorë të qytetit në një përpjekje për të kontrolluar infeksionet me COVID-19. Cilido mbi moshën 12 vjeç që kapet në publik pa maskë apo mbulesë për fytyrën mund të gjobitet deri në 143 dollarë. Gjithashtu punëdhënësit që shkurajojnë punonjësit e tyre për të vendosur maska, rrezikojnë një gjobë të mundshme prej më shumë se 7 mijë dollarësh.

Kryeministri David Andrews i shteti Viktorias, që ka si kryeqytet Melburnin, tha se urdhri detyrues për maskat u vendos për shkak të rritjes së infeksioneve të konfirmuara COVID-19 dhe për shkak të refuzimit nga banorët që rezultuan pozitivë, që të vetëizolohen.

Shteti i Viktorias regjistroi të mërkurën një rekord ditor për 484 raste të reja me COVID-19. Qyteti ndodhet në javën e dytë të një urdhri prej gjashtë javësh që ndalon të gjithë banorët të dalin nga shtëpia përveç rasteve kur duhet të shkojnë në punë, shkollë, për vizitë mjekësore apo për të blerë ushqime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG