Në Shqipëri, policia njoftoi sot se ka arrestuar përfaqësuesin në Ballkan, të një prej familjeve mafioze të Ndrangheta-s italiane. Bujar Sejdini, me nofkën “xhaxhai”, përfundoi në pranga gjatë një operacioni të përbashkët policor të zhvilluar njëkohësisht dhe në Kosta Rika e Argjentinë, në kuadër të projektit “I-CAN” (Bashkëpunimi i interpolit kundër Ndragheta-s), një nismë e koordinuar nga Criminalpol-i dhe që ka si synim kapjen e kriminelëve të arratisur dhe goditjen e pasurive të grupeve mafioze në të gjithë botën.
Sejdini, sipas të dhënave të Policisë ishte i lidhur me klanin “Bellocco”. Ai mësohet të ketë marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kilogramëve kokainë në Spanjë. Dy muaj më parë, për llogari të të njejtit hetim, ishte arrestuar në Elbasan, Adrian Cekini, person i shpallur paraprakisht në kërkim.
Gjatë operacionit të sotëm, në kryeqytetin e Argjentinës, u arrestuan 3 italianë dhe një argjentinas, të cilët bënin lidhjet mes Ndrangheta-s italiane dhe grupeve jug-amerikane të narkotrafikut.
Fabio Pompetti, i lindur në Argjentinë, mundësonte, falë një rrjeti lidhjesh, anashkalimin e sistemeve kundër pastrimit të parave dhe lehtësonte kalimin në doganë duke evituar kontrollet. Për shumë vite mësohet të ketë qenë lidhja mes furnizuesve jug-amerikane me Ndargheta-n.
Ferdinando Sarago’, i lindur në Reggio Calabria, ishte korrier dhe njeri i besuar i Ndrangheta-s, i cili udhëtonte shpesh mes Kalabrisë dhe vendeve të Amerikës së Jugut. Ai kryente për llogari të familjeve mafioze detyra të ndryshme operative dhe transport të dokumenteve sekrete.
Ndërsa Giovanni di Pietro, i lindur në Romë dhe i njohur ndryshe si Massimo Pertini, rezident në Buenos Aires, ishte personi që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane, duke u marrë direkt me eksportin e substancave narkotike.
Një tjetër italian, Franco D’Agapiti, bashkëpronar i një hoteli-kazino, u arrestua në Kosta Rika. Ai mësohet se ishte pikë referimi për organizatat kriminale. Roli i tij ishte që të bënte të mundur dërgimin e kokainës në Itali, si dhe u siguronte anëtarëve të organizatës bazën logjistike dhe akomodimin në Kosta Rika.
Facebook Forum