Lidhje

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut


Shkup, shpallen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Në Maqedoninë e Veriut, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të votimeve të 15 korrikut, pasi kishin kaluar afatet e ankesave të partive tek Gjykata Administrative. Vendet e fituara nga partitë në parlamentin e ri mbeten të pandryshuara nga rezultatet paraprake.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konformoi vendet në parlament të partive dhe ato janë si vijon: Lidhja Social Demokrate me koalicionin e partive të vogla ka 46, VMRO-DPMNE-ja 44, Bashkimi Demokratik për Integrim 15 vende, koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa 12, “E Majta” 2 dhe Partia Demokratike Shqiptare 1 vend deputeti në parlamentin prej 120 vendesh.

Gjykata Administrative të premten i hodhi poshtë të gjitha ankesat e Aleancës dhe Alternativës, të partisë E Majta dhe të partisë tjetër të re, Integra.

Aleanca për Shqiptarët e zotit Ziadin Sela me Alternativën e zotit Afrim Gashi janë ankuar për vjedhje votash, sipas tyre nga Bashkimi Demokratik për Integrim, sidomos në zonën e Kërçovës dhe ende pa vendosur Gjykata Administrative mbi ankesën e tyre, ato kanë paralajmëruar për të hënën një protestë në Shkup.

Parlamenti i ri duhet të mblidhet në fillim të gushtit, ndërsa presidenti i vendit brenda një afati dhjetë ditor duhet t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë partisë me më tepër vende në parlament, teksa ajo duhet të garantojë numrin e shumicës prej 61 deputetësh për ta votuar qeverinë e re.

Ndërkohë, asnjëra prej partive nuk ka konfirmuar për bisedimet eventuale që mund të jenë duke u zhvilluar mbi koalicionin qeveritar. LSDM do të arrinte numrin prej 61 deputetësh me BDI-në, por në mes dy ish-partnerëve qeveritarë janë ftohur raportet që kur drejtuesi social-demokrat Zoran Zaev qe shprehur para zgjedhjeve se “do të ishte mirë për shtetin dhe për vetë BDI-në që ajo të kalonte në opozitë” dhe më pas një audio-regjistrim i publikuar në Youtube ku Zaev dëgjohej duke thënë se “votat e tyre (të BDI-së apo të shqiptarëve) nuk vlejnë pesë para”.

Megjithatë, zyrtarë të BDI-së nuk e kanë fshehur dëshirën për të qenë në koalicion sërish me LSDM-në, për shkak të proceseve të filluara dhe punëve që u kanë ngelur për gjysmë. Por, këtij koalicioni do t’i duheshin edhe disa deputetë për të fituar një qëndrueshmëri më të madhe. BDI-ja duket se ka zbutur së fundmi retorikën lidhur me kushtin për kryeministrin shqiptar dhe zyrtarët e saj theksojnë tre kushtet kryesore për të qenë në koalicion qeverisës dhe ato janë: respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe i marrëveshjes me Bullgarinë fqinje për çështjet e historisë dhe kulturës midis popujve bullgar dhe maqedonas.

Varianti i një qeverie me VMRO-në do të kërkonte përfshirjen edhe të partisë ekstreme “E Majta” me dy deputetët e saj, teksa drejtuesi i saj Apasiev njihet për retorikën antishqiptare dhe kundër NATO-s dhe me këtë e përjashton mundësinë e të qenit në një koalicion qeverisës me partitë shqiptare.

Zoran Zaev, si mandatar potencial, ndodhet me pushime dhe ai ka lënë të kuptohet se bisedimet do t’i nisë pas dy gushtit. Nga ana tjetër, edhe VMRO-ja nuk heq dorë nga synimet për formimin e koalicionit qeveritar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG