Lidhje

9 viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut


9 persona e kanë humbur jetën si rezultat i koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, ku nuk kalon ditë pa viktima dhe të diagnostikuar që arrijnë numra treshifrorë. Tre nga viktimat e ditës së fundit janë nga Shkupi, dy nga Gostivari dhe po aq nga Kumanova, si dhe nga një në Strugë e në Shtip. Ata ishin të moshës nga 48 në 92 vjeç. Shtatë prej tyre kanë vdekur në spital, ndërsa dy të tjerë në kushte jashtaspitalore, por që janë konfirmuar si bartës të COVID-19.

137 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit, prej tyre më së shumti, 60 në Shkup; në qytetin e Shtipit ku ka disa vatra në fabrika të fasonerisë janë shënuar 16 raste; në Kumanovë 13, në Gostivar 11, në Tetovë 5 raste, dhe nga 3, nga 2 e nga 1 të infektuar nëpër zona të tjera. Në Komunën e Çairit në kryeqytet, të banuar me shumicë shqiptare vazhdon të jetë numri më i lartë i rasteve aktive, 269.

Autoritetet shëndetësore, nga ana tjetër thonë se po ulet përqindja e të infektuarve me koronavirus që shtrohen nëpër spitale. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bëri të ditur se për një periudhë pak më të gjatë se një mujore numri i të hospitalizuarve është zvogëluar për 1,8 përqind. “Gjatë dy javëve të kaluara edhe krahas rritjes së butë të rasteve aktive, përqindja e personave të hospitalizuar shënon një rënie prej gati 2%, përkatësisht nga 11,5% më 15 korrik në 9,7% më 23 korrik”, njoftoi ministri.

Numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut që nga shpërthimi i pandemisë ka arritur në 460. Disa ekspertë vlerësojnë se sikur të mos numëroheshin viktimat e testuara pas vdekjes që nuk janë paraqitur si të sëmurë nga koronavirusi, atëherë vendi do të kishte shkallën e njejtë ose edhe më të ulët të vdekshmërisë nga COVID-19 në rajon.

Ndërkohë, vazhdojnë të jenë në fuqi masat për mbajtjen e detyrueshme të maskave të fytyrës nëpër vende publike, por ky urdhër jo gjithmonë respektohet. Objektet hotelierike dhe të gastronomisë punojnë pothuaj se pa pengesa, ndërsa 5 javë para fillimit të vitit shkollor, autoritetet ende nuk dinë se si do të veprojnë; se a do të hapen shkollat me turne, apo një kombinim në mes mësimit online dhe pranisë fizike në klasa, apo ndonjë variant të tretë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG