Lidhje

Dokumentar mbi simbolin e betejës për të drejta civile, John Lewis 


Obit Lewis
Obit Lewis

Për më shumë se gjysmë shekulli, simboli i betejës për të drejta civile, John Lewis, i cili u nda nga jeta më 17 korrik, nuk e ndali betejën kundër ndarjes racore dhe për të drejtën e votës. Një dokumentar i ri mbi jetën e tij, realizim i kineastes Dawn Porter, rrëfen jetën dhe veprën e tij.

“Kam një filozofi të thjeshtë. Kur sheh diçka që nuk shkon, që është e padrejtë, duhet të ngresh zërin. Duhet të futesh në kokëçarje, në problem. Probleme të vyera, të nevojshme,” shprehej John Lewis.

Jeta e aktivistit legjendar rrëfehet në dokumentarin e kineastes Dawn Porter, me titull: John Lewis, Problem i Vyer”.

“Sot marshojmë për t’i treguar botës për fatin e qindra mijëra amerikanëve me ngjyrë pa të drejtën e votës,” tha Lewis gjatë marshimit në Selma.”

Me pamje nga arkiva, dokumentari rindërton 60 vjet aktivizëm gjatë jetës së zotit Lewis. Në 1963 ai ishte një ndër organizatorët e Marshimit në Uashington. Në 1965, ai ishte një ndër udhëheqësit e marshimit mbi urën Edmund Pettus në Montgomeri të Alabamës kundër ndarjes racore dhe për të drejtën e votës.

Gjatë atij marshimi, demonstruesit paqësorë, përfshirë zotin Lewis, u sulmuan nga policia gjatë asaj që u quajt “E Diela e Përgjakshme”.

“Më goditën në kokë, më lëshuan gjunjët dhe mendova se do të bija nga ura,” tregonte zoti Lewis.

Disa orë para vdekjes së tij më 17 korrik, producentja e dokumentarit, Erika Alexander foli me Zërin e Amerikës mbi karakterin dhe bindjet e tij politike.

“Ai e kishte të qartë se mjeti më i fuqishëm paqësor për ndryshim në çdo lëvizje është e drejta e votës. Prandaj punoi shumë për ta mbrojtur këtë të drejtë. Ai donta ta mbronte për të gjithë. Ai nuk binte në pesimizëm sepse e kuptonte në thelb Amerikën”.

Përmes intervistave dhe xhirimeve nga aktivitetet publike, Dawn Porter përcjell betejën deri në fund të jetës për standardet të drejta dhe transparente legjislative për procesin e votimit, reformat në kujdesin shëndetësor, imigracionin dhe kontrollin e dhunës nga armët.

“Nuk do të gjendet njeri që e zëvendëson,” tha aktivistja Stacey Abrams.

“Ai është njeriu më i guximshëm që kam takuar ndonjëherë,” tha ligjvënësi Jim Clyburn.

“Një numër shumë i madh njerëzish kanë vdekur në betejën për t’i ofruar çdo amerikani të drejtën e votes,” thoshte zoti Lewis.

“Ai sfidonte ndërgjegjen e Kongresit,” tha për të Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Gjatë prezantimit të filmit Selma në 2014, mbi marshimin nga Selma në Motgomeri të Alabamës me thirrjet për të drejta civile, zoti Lewis foli me Zërin e Amerikës mbi forcën e qëndresës paqësore.

“Ne ishim të gatshëm të rriheshim, të keqtrajtoheshim nga policia, të burgoseshim me qëllim që të arrinim të përfshiheshim në procesin demokratik. Ne dolëm fizikisht me trup përballë sistemit. Marshimi në Selma e ndryshoi Amerikën. Presidenti Carter, Presidenti Clinton, Presidenti Obama ndoshta nuk do të ishin zgjedhur në krye të vendit po të mos kishte ndodhur marshimi në Selma”.

Kur e pa veten të portretizuar nga aktori Stephan James, aktivisti tha se u emocionua:

“Desha t’i them aktorit: ma kthe çantën, ma kthe pardesynë. M’u duk sikur shihja veten të ri, 23-25 vjeç kur po kaloja urën me të tjerët, me çantën në shpinë”.

"Ka forca sot në Amerikë që duan të na kthejnë prapa. Por nuk do të kthehemi. Ne po ecim përpara”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG