Në Shqipëri, nëndrejtoresha aktuale e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj (Veizi) u përzgjodh si emri që i propozohet Këshillit të Lartë të Prokuorirsë për t’u emëruar në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, një agjenci e re e parashikuar nga Reforma në Drejtësi. Zonja Hajnaj, mbeti kandidatja e vetme për këtë post, pasi tre kandidaturat e tjera u skualifikuan.
“Komisioni pasi shqyrtoi dokumentacion e katër kandidatëve që kishin ngelur ne garë, konkretisht. Z.Artur Beu, z.Ervin Hodaj, z.Idajet Faskaj dhe znj. Aida Hajnaj , në raport me kriteret e parashikuara që duhet të plotësojë Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendosi që t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, emërimin e znj.Aida Hajnaj, në pozicionin Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një mandat pesëvjeçar", bëri të ditur Prokuroria e Posaçme antikorrupsion, SPAK, në një njoftim të sajin.
Përzgjedhja e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ju nënshtrua një procesi të gjatë, të vëzhguar nga afër nga ekspertë amerikanë dhe europianë. Për herë të parë, kandidatët u detyruan të kalojnë përmes testit të poligrafit (makinës të së vërtetës) si dhe një sërë provash të tjera.
Emërimi i zonjës Hajnaj, do të duhet të marrë pëlqimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku vendimi merret me shumicën e thejshtë të anëtarëve.
Pak pas njoftimit për përzgjedhjen e zonjës Hajnaj në krye të BKH-së, ambasadorja amerikane Yuri Kim e vlerësoi vendimin si “një hap tjetër përpara në rrugën drejt reformës në drejtësi”. Zonja Kim kujtoi se anëtarët e BKH-së do të marrin trajnim në Shtetet e Bashkuara. “Ndalesa tjetër: Trajnimi i tyre me FBI-në dhe më të mirët e ligjëzbatuesve amerikanë. Gurë mbi gur bëhet mur”, shkroi ambasadorja amerikane.
Pak ditë më parë, Partia Demokratike lëshoi akuza të rënda ndaj zonjës Hajnaj, duke folur për një emërim të paracaktuar për përzgjedhjen e kreut të BKH-së, pas skualifikimit të tre kandidatëve të tjerë. “Aida Hajnaj është e mbytur në skandale”, deklaroi ish deputeti demokrat Edi Paloka. Ai tha më tej se sipas një raporti zyrtar të SHÇBA, shërbimit që kontrollon nga brenda policinë, por që nuk është marrë parasysh nga Komisioni i Vlerësimit, “në vitin 2018 janë marrë informacione të besueshme dhe konkrete, ku kjo shtetase implikohet në marrjen e shumave nga 10 mijë euro për dhënien e gradave policore në mënyrë arbitrare dhe preferenciale. Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.9668, viti 2018, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ku Aida Hajnaj dhe disa oficerë të Drejtorisë Përgjithshme dhe Akademisë së Policisë janë nën hetim”, theksoi zoti Paloka duke cituar raportin. “Ky është dokument zyrtar, por reforma në drejtësi, e marrë nën kontroll nga qeveria, e ka zhvlerësuar plotesisht. Hajna e qeverisë duhet skualifikuar, njësoj si të tjerët dhe gara për kreun e BKH-s duhet të rihapet për të përfshirë policë të ndershëm dhe me integritet. Gara duhet të jetë e drejtë dhe e pandikuar nga politika, në mënyrë që pandëshkueshmërisë së qeveritarëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri t‘i jepet fund sa më parë," deklaroi Paloka, pak ditë më parë.
Por pas kësaj deklarate të tij, ambasadorja amerikane në një postim në Twitter shkroi se “duket sikur disa po ëndërrojnë që BKH nuk do të ngrihet kurrë, ata shpresojnë se drejtësia nuk do të vijë kurrë. Ndjesë që po ju zgjojmë nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do të bëhet realitet.. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara", nënvizoi ambasadorja amerikane.
Facebook Forum