Lidhje

Reforma zgjedhore, tjetër mbledhje pa mirëkuptim e Këshillit Politik


Këshilli Politik sapo përfundoi një tjetër mbledhje në Tiranë, ku u diskutuan ndryshimet kushtetuese, që janë në programin e Kuvendit për t’u votuar të enjten.

Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, doli e para dhe entuziaste nga mbledhja 4 orëshe, duke thënë se “më në fund po fitojnë qytetarët dhe se u arrit një kompromisi për hapjen e listave zgjedhore plotësisht”.

Ajo shtoi se kishte duruar çdo sulm dhe kritikë për këtë rezultat të sotëm dhe se ishte e gatshme të bashkëpunonte edhe me Partinë Demokratike për mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm politik në Shqipëri.

Por përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se opozita parlamentare kishte paraqitur një kompromis, ndërsa ajo jashtë-parlamentare po përpiqet të bllokojë diskutimin mbi koalicionet dhe listat e hapura.

Ai tha se hapja 100 për qind e tyre mund të diskutohet gjatë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Ndërsa për koalicionet zoti Gjiknuri tha se Partia Socialiste propozoi një kompromis, që mund të merret si shembull një nga modelet e vendeve anëtare të hapësirës së OSBE-së.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ishte edhe më kritik, kur tha se socialistët po veprojnë në mënyrë të njëanshme me Kushtetutën dhe synojnë të prishin marrëveshjen e 5 qershorit.

“Kërkuam nga Partia Socialiste që të shprehet për hapjen 100 për qind të listave por ata nuk pranuan dhe nuk kanë lëvizur aspak nga qëndrimi i tyre. Ne propozuam të bëjmë një amendament për listat 100 për qind, pa prekur asgjë tjetër” - tha zoti Bylykbashi.

Sipas tij, ideja për ndryshimet kushtetuese është një lojë e kryeministrit Rama për të ndryshuar rregullat e lojës para zgjedhjeve dhe për të bërë konfuzion.

“Jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimin me transparencë dhe konsensus. Duam me mirëkuptim të hapim listtat 100 për qind dhe jo 2/3 si propozon PS-ja” - tha zoti Bylykbashi.

Përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili, shtoi se prej 6 muajsh në komisione dhe në Këshill askush nuk ka kërkuar asnjëherë të ndryshojë koalicionet parazgjedhore dhe tema e vetme kanë qenë listat e hapura.

“Socialistët po bëjnë ndryshime të njëanshme me deputetë të PS-së dhe me disa individë të shkëputur në parlament. Nëse vazhdojnë kështu, janë duke bërë një puç kushtetues. Ne duam thjesht listat 100 për qind jo 2/3 dhe të mos preken koalicionet” - tha zoti Vasili.

Kryeministri Rama reagoi përmes Twiterit pak minuta pas mbledhjes së Këshillit Politik, duke përsëritur se Kuvendi më 30 korrik voton hapjen e listave.

“Risitë kushtetuese nuk pengojnë asgjë për ju! - u tha zoti Rama opozitarëve. - Ju doni lista të hapura 100%! Votimi i 30 korrikut nuk e pengon këtë. Jemi gati ta diskutojmë pa humbur asnjë ditë pas 30 korrikut. Ju doni koalicion parazgjedhor s'e nuk ndaheni dot nga LSI! As këtë s'e pengon votimi i 30 korrikut. Edhe këtë e zgjidhim po të keni vullnet pozitiv”.

Zoti Rama tha se pengesa e opozitës sot nuk është kushtetuese, as juridike, po thjesht politike, sepse synon të marrë peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde.

Opozita e Bashkuar zhvilloi sot një takim me ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së për të shprehur qëndrimin mbi Reformën Zgjedhore.

Përfaqësuesit e opozitës floën mbi “veprimet e njëanshme që ka ndërmarrë kryeministri Rama për prishjen e konsensusit të arritur me Marrëveshjen e 5 Qershorit”.

Ata pohuan se logjika e “faktit të kryer” që përdor zoti Rama është përpjekje e vazhdueshme për të minuar dialogun politik mes palëve dhe cënon besimin tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët, në mënyrë të përsëritur, po bëjnë thirrje për dialog, duke theksuar se gjithëpërfshirja është standard për refomës zgjedhore.

“Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës ndryshon elementët bazë të sistemit zgjedhor, bie ndesh me Marrëveshjen e 14 Janarit, minon Marrëveshjen e 5 Qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit” - pohuan përfaqësuesit e opozitës në takimin me diplomatët amerikanë dhe europianë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG