Lidhje

A ka rrezik për infeksion të dytë nga koronavirusi?


A mund të infektohesh më shumë se një herë nga koronavirusi?

Shkencëtarët nuk kanë një përgjigje të konfirmuar por besojnë se është e mundur.

Ekspertët e shëndetësisë mendojnë se ata që e kanë kaluar COVID-19 do të kenë një lloj imuniteti ndaj sëmundjes. Por shkencëtarët nuk janë të sigurtë se sa efektiv është ky imunitet dhe për sa kohë zgjat.

Ka pasur njoftime se disa persona kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin disa javë pasi mendohej se e kishin kaluar. Kjo ka çuar në interpretime se personi mund të jetë infektuar për herë të dytë. Po ashtu një mundësi tjetër është se është i njëjti infeksion, që vazhdon të diktohet edhe pas më shumë se dy javësh.

Shkencëtarët thonë se nuk ka raste të dokumentuara që një person, pasi rezulton për herë të dytë pozitiv, infekton dikë tjetër.

Studimet me viruse të ngjashme tregojnë se një person mund të sëmuret përsëri 3 muaj deri në një vit pas infeksionit të parë. Por është ende herët të thuhet nëse kjo është e vërtetë edhe për koronavirusin.

"Këto janë përfundime shkencore ende të pakonfirmuara”, thotë Dr. Philip Landrigan, drejtor i programit për shërndetin publik në Kolegjin e Bostonit.

Një studim i vogël amerikan, i publikuar javën e kaluar, arriti në përfundimin se antitrupat që luftojnë virusin mund të ekzistojnë vetëm disa muaj në persona që e kaluan lehtë sëmundjen, duke lënë të hapur mundësinë që ata të infektohen përsëri. Por antitrupat nuk janë e vetmja mbrojtje ndaj virusit, pasi ka edhe elementë të tjerë të sistemit imunitar që mund të ofrojnë mbrojtje.

Ka rëndësi të vërtetohet nëse një individ që e ka kaluar sëmundjen mund të infektohet përsëri. Pasi nëse ekziston ky rrezik, ai do të minonte idenë e “pasaportave të imunitetit” për të kthyer njerëzit në punë. Po ashtu ky rrezik do t’u jepte një goditje shpresave që zbulimi i vaksinës do të sillte garanci mbrojtëse afat-gjatë kundër sëmundjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG