Lidhje

SHBA, Votuesit e rinj udhëhiqen nga temat në zgjedhje


Shumica e votuesve amerikanë identifikohen si republikanë apo demokratë. Por një numër gjithnjë e më i madh votuesish prezantohen si të pavarur, apo të palidhur me një parti specifike.

“Personalisht, kurrë nuk më është dukur që ndonjëra parti përfaqëson interesat e mia,” thotë për Zërin e Amerikës Ellen Moorhouse, e cila prezantohet si votuese e pavarur.

30-vjeçarja Moorhouse është zëvendës drejtoreshë për komunikimet në RepresentUs, një grup aktivist që punon për reforma në qeverisje me synimin për të rritur efikasitetin dhe për të ulur korrupsionin. 35% e amerikanëve nën 30 vjeç thonë se janë të pavarur, ose nuk kanë lidhje me një parti specifike, sipas anketës së Universitetit Harvard me të rinj, në pranverën e këtij viti.

Organizata “Independent Voting” lidh votuesit e pavarur në përpjekje për të krijuar rrjete dhe lëvizje për reformimin e procesit elektoral. Misioni i organizatës ka ndryshuar që nga formimi në vitet 1990, duke u larguar nga qëllimi fillestar për një parti politike alternative.

“Në këto momente jemi larguar nga synimi për një parti alternative, duke u përqëndruar në objektivin për fuqizimin e votuesit,” thotë për Zërin e Amerikës Jackie Salit, presidente e organizatës, duke shtuar se votuesit e pavarur duan të votojnë “për personin dhe jo për partinë”.

“Ata duan të përqëndrohen tek temat, jo tek ideologjia,” thotë ajo.

Votimet Partiake
Votimet Partiake

Në 2018, një anketë e Qendrës për Informim dhe Kërkime mbi Njohuritë dhe Angazhimin Civil (CIRCLE) pranë universitetit Tufts arriti në përfundimin se 56% e votuesve të moshës 18-24 vjeç ishin me republikanët ose me demokratët.

Ellen Moorhouse u rrit në një familje konservatore në Masaçusets. Ajo thotë se në fëmijëri, u rrit duke dëgjuar pikëpamjet për një qeveri sa më të vogël, por ajo shpjegon se bindja e saj se “qeveria nuk ka punë në dhomën time të gjumit (në zgjedhjet personale)” e ka bërë që të identifikohet si e pavarur.

“Nëse duam liri dhe të drejtën e zgjedhjes, atëherë unë kam të drejtën të mbaj armë; po ashtu unë kam të drejtën të bëj abort,” thotë zonja Moorhouse. “Nuk ka rendësi sa të papranueshme janë këto tema për të tjerë, ato janë zemra e vërtetë e lirisë, nuk ka si të të zgjedhin se cilat liri duan e cila nuk lejohen”.

Corley, një votues i pavarur që prezantohet vetëm me mbiemër, është rritur në një familje demokrate. Ai thotë se politika e identitetit e ka bërë atë dhe shokët e tij të mendojnë se janë demokratë. Por disa vjet më parë, kur bëri një listë të temave me rëndësi për të, ai e kuptoi se anonte nga republikanët.

“Na kanë mashtruar,” mendoi ai në atë moment.

Ai bëri një listë të ngjashme edhe për prindërit.

“I thashë nënës: “Mami, edhe ti je republikane, por voton për demokratët,” kujton ai.

Rreth 81% e votuesve të pavarur votojnë për një nga partitë kryesore, kur duhet të zgjedhin mes dy opsionesh, sipas një ankete të organizatës Pew.

Të dhënat e vitit 2018 nga organizata CIRCLE tregojnë se votuesit e rinj, të pavarur të cilët shprehen se marrin pjesë në votime, në një masë të konsiderueshme (40%) votojnë për kandidatë demokratë.

Megjithatë, këta votues thonë se për ta është e rëndësishme të regjistrohen si të pavarur.

“Edhe nëse sa herë shkoj në qendrën e votimit gjithmonë zgjedh një kandidat demokrat, mendoj se kur regjistrohem si i pavarur u dërgoj një mesazh demokratëve se ata nuk janë përfaqësuesit e mi të vërtetë, pasi unë preferoj politika progresiste,” thotë për Zërin e Amerikës përmes Twitterit Copeland, student në Universitetin Apalaçia në Karolinën e Veriut.

Karolina e Veriut është një ndër nëntë shtete amerikane me zgjedhje partiake gjysmë të mbyllura, ku edhe votuesit që nuk janë regjistruar me një nga partitë kryesore, mund të marrin pjesë në zgjedhjet e secilës parti. Por ata që kanë deklaruar se cilës parti i përkasin kanë të drejtë të votojnë vetëm në zgjedhjet partiake të partisë së tyre.

Shtete të tjera amerikane dhe kryeqyteti, Uashington, kanë një numër opsionesh: zgjedhje të hapura ku votuesit mund të votojnë në zgjedhjet partiake të të gjitha partive, apo zgjedhje të mbyllura ku vetëm ata që kanë deklaruar se janë me njërën parti mund të votojnë në zgjedhjet partiake.

Shumë grupe për të drejtën e votës thonë se zgjedhjet e mbyllura partiake janë një formë e kufizimit të të drejtës së votës. Disa organizata të pavarura dhe aktivistë u kanë bërë thirrje shteteve të zbatojnë procesin e zgjedhjeve të hapura.

“Kushtetuta na ka dhënë të drejtën e votës. Nuk ka gjë në kushtetutë që thotë se kemi të drejtë vetëm nëse regjistrohemi me njërën parti,” thotë për Zërin e Amerikës Javier Luque, votues i pavarur në Nju Xhërsi. “E drejta e votës nënkupton e drejtë për të votuar, prandaj duhet bërë diçka”.

Shumë votues si zoti Luque e shohin veten si të pavarur dhe thonë se janë shkëputur nga sistemi partiak në raundet e fundit zgjedhore. Sidomos ata që mbështetën pa sukses Senatorin Bernie Sanders dhe tani shprehen të zhgënjyer.

Zoti Sanders bëri fushatë mbi një numër temash që janë të rëndësishme për votuesit e pavarur nën 30-vjeç, sidomos në kushtet e pandemisë.

“Tema si sistem shtetëror për sigurimet shëndetësore për të gjithë, një rrogë bazë për nevojat minimale që u ofrohet të gjithëve, reforma në praktikat e qerasë e blerjes së shtëpive që njerëzit të mos mbeten rrugëve,” thotë zoti Luque.

“Unë jam e re, kam shumë borxhe studentore,” thotë zonja Moorhouse.

“Për mua ka rëndësi rendi dhe sistemi arsimor,” thotë zoti Copeland.

Të gjithë ata theksojnë rëndësinë e të drejtës së pacënuar të votës dhe reformave elektorale.

“Ne ndjehemi të pavarur, pasi asnjëra parti nuk përfaqëson interesat tona për të ardhmen. Si mund ta ndryshojmë strukturën e sistemit, në mënyrë që përfaqësuesit tanë të zgjedhur vërtetë të na përfaqësojnë?” pyet Ellen Moorhouse.

“Në një sistem më të mirë politik, njerëzit do të kishin më shumë liri për të votuar jashtë kufijve partiake dhe kjo do ta bënte të mundur që të mos kemi në fletëvotime kandidatë të padëshirueshëm,” thotë për Zërin e Amerikës zoti Copeland.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG