Lidhje

Presidenti Trump përsërit se votimi me postë mund të shkaktojë manipulime në zgjedhje


Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti të premten pretendimin se zgjedhjet e nëntorit mund të manipulohen për shkak të votimit me postë.

“Do të jenë të manipuluara", u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para se të udhëtonte për në Tampa të Floridës.

Komentet vijnë një ditë pasi zoti Trump, hodhi idenë e shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke shkruar në Twitter:

"Me votimin e përgjithshëm me postë zgjedhjet e 2020s do të jenë zgjedhjet më të pasakta dhe më të manipuluara në histori. Do të jetë një turp i madh për SHBA. A duhen shtyrë zgjedhjet në mënyrë që njerëzit të mund të votojnë siç duhet???”.

Zoti Trump u tha më pas gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai nuk donte shtyrjen e votimeve, por kishte shqetësime se mund të lindnin probleme nga miliona fletëvotime të dërguara me postë.

“Nuk dua vonesa. Dua të zhvillohen votimet. Por gjithashtu, nuk dua të pres për tre muaj dhe të mësoj më pas se mungojnë fletëvotime dhe se zgjedhjet nuk kanë vlerë", tha ai.

Datat e zgjedhjeve federale përcaktohen nga Kongresi dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë dispozitë për shtyrje të ceremonisë së inagurimit të Presidentit më 20 janar 2021.

Si ligjvënësit demokratë, edhe ata republikanë hodhën poshtë menjëherë çdo sugjerim se zgjedhjet mund të shtyhen.

Zoti Trump ka bërë kritika që në prill për votimin me postë. Megjithatë, përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Sekretarëve të Shtetit dhe Shoqatës Kombëtare të Drejtorëve të Zgjedhjeve në Shtete i thanë Zërit të Amerikës në korrik se nëse ka ndonjë provë në mbështetje të pretedimeve të zotit Trump për mashtrime të mundshme në votimet me postë, administrata nuk e ka ndarë me ta një informacion të tillë.

Shumica e shteteve në SHBA ofron një formë votimi me postë, të ashtuquajtura vota në mungesë, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, disa shtete kanë marrë masa për zgjerimin e perdorimit të votimit me postë në zgjedhjet e nëntorit. Pesë shtete e kryejnë përdorin vetëm votimin me postë: Kolorado, Havai, Oregoni, Uashingtoni dhe Juta.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG