Lidhje

Të drejtat e votimit në qendër të vëmendjes para zgjedhjeve të nëntorit


FILE- Cages loaded with ballots in U.S. Postal Service bins rest behind a worker at a Board of Elections facility in New York, July, 22, 2020.
FILE- Cages loaded with ballots in U.S. Postal Service bins rest behind a worker at a Board of Elections facility in New York, July, 22, 2020.

Përpara zgjedhjeve të diskutueshme, partitë politike në SHBA dhe grupet ligjore janë duke zhvilluar beteja të ashpra mbi të drejtat e votimit në shtete të shumta që mund të përcaktojnë rezultatin e garës presidenciale

Betejat pasqyrojnë një luftë kryesisht partiake mbi atë nëse shtetet duhet të japin përparësi ruajtjes dhe zgjerimit të pjesëmarrjes demokratike apo të ndërmarrin hapa kufizuese për të siguruar që mos të hidhen vota mashtruese.

“Shtypja e të drejtës së votimit është reale. Është një kërcënim për demokracinë, "tha Kristen Clarke, presidente dhe drejtore ekzekutive e Komitetit të Juristëve për të Drejtat Civile Sipas Ligjit. Organizata e saj ka luftuar në gjykata për të mbrojtur të drejtën e votës që nga viti 1965, kur Akti për të Drejtat e Votimit u nënshkrua në ligj nga Presidenti i atëhershëm Lyndon B. Johnson.

Shtypja e të drejtës së votës i referohet taktikave që synojnë të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve duke dekurajuar ose parandaluar grupe specifike të njerëzve nga votimi.

"Këto janë skema që kryhen shpesh kundër njerëzve me ngjyrë, kundër komunitetit latino dhe komunitetit aziatiko-amerikan," i tha zonja Clarke Zërit të Amerikës. Mbrojtësit e të drejtave të votës thonë se ata janë veçanërisht të shqetësuar për të ashtuquajturat praktika të spastrimit, në të cilat disa votues të ligjshëm hiqen nga listat e regjistrimit.

Ato që disa i shohin si shtypje të votës, të tjerë i shohin si hapa të domosdoshëm për të mbrojtur integritetin e votimit.

"Mashtrimi në votime është real, dhe disa njerëz do të mashtrojnë," tha Rick Esenberg, president dhe këshilltar i përgjithshëm i Institutit Uiskonsën për Ligj dhe Liri. Organizata e tij ka ngritur një padi ku pretendon se komisioni shtetëror i zgjedhjeve e injoroi ligjin duke lënë në listat e votimit gati 200,000 regjistrime të vjetra. Ligji shtetëror kërkon që agjensia të heqë emrat e votuesve nëse merr "informacion të besueshëm" se ata individë kanë lëvizur. "Një pastrim i tillë i listave të votuesve përmirëson saktësinë dhe parandalon mundësinë e mashtrimit", tha Esenberg për Zërit të Amerikës.

Në mbarë vendin, rreth 33 milionë amerikanë u pastruan nga listat e votuesve mes viteve 2014 dhe 2018, sipas Qendrës Brennan, një organizatë jo partiake dhe institut i politikave publike me zyra në Nju Jork dhe Uashington. Studimet e kësaj qendre kanë zbuluan se rritja e numrit të votuesve të hequr nga listat e votimit e ka tejkaluar rritjen e votuesve të regjistruar dhe atë të popullsisë totale.

Fushëbeteja në Uiskonsën

Votuesit në Uiskonsën mund të përcaktojnë se cili do të jetë presidenti i ardhshëm. Ky shtet tregoi se ishte i rëndësishëm për fitoren e Presidentit Donald Trump në vitin 2016. Ai e ndryshoi prirjen e këtij shteti që kishte anuar nga demokratët, duke mposhtur Hillary Clinton-in me më pak se 23,000 vota nga 2.7 milionë të hedhura. Sot, analistët politikë e shohin atë si një shtet që duhet të fitohet si për Trump-in, e republikanëve, ashtu edhe për sfiduesin e tij të partisë demokrate, ish nënpresidentin Joe Biden.

Çështjet e shumta gjyqësore kërkojnë të mbajnë lista të sakta të regjistrimit të votuesve. Disa duan mbrojtje të fuqishme të votimit ndërsa të tjerët po kërkojnë qasje më të madhe për votuesit. Betejat ligjore vijnë pasi zyrtarët e zgjedhjeve në Uiskonsën hoqën 14 përqind të votuesve të shtetit nga listat e regjistrimit mes vitit 2016 dhe 2018, gati dyfishin e mesatares kombëtare.

Studiuesit demonstruan se votuesit me ngjyrë kishin gati dy herë më shumë të ngjarë të hiqeshin nga listat e votimit sesa votuesit e bardhë që jetonin në komunitetet periferike. Shteti themeloi gjithashtu një ligj të rreptë të identifikimit të votuesve në vitin 2016.

"Në Milluoki dhe vende të tjera, kemi parë që një ligj i rreptë i identifikimit me fotografi ua bën më të vështirë pjesëmarrjen votuesve me ngjyrë dhe pakicave të tjera," tha zonja Clarke. "Kohët e fundit, në mes të pandemisë, në prill shteti mbajti zgjedhje paraprake kur pamë imazhe befasuese, me radhë të gjata të votuesve kryesisht afrikano-amerikanë që prisnin të hedhin votën në një qytet që kaloi nga një sistem me 180 qendra votimi në vetëm pesë", tha ajo.

Mashtrimet në votime dhe votimi i parakohshëm

Disa sfida ligjore janë përqendruar në përpjekjet për të parandaluar mashtrimet dhe parregullsitë e tjera në votime.

"Votuesit e Uiskonsënit meritojnë të kenë besim në integritetin e zgjedhjeve të këtij viti. Shpresojmë që Gjykata e Lartë të pranojë të rishikojë çështjen tonë dhe të sigurojë qartësi për veprimet e Komisionit të Zgjedhjeve në Uiskonsën," tha zoti Esenberg. Ai beson se saktësia e listës së votuesve është veçanërisht e rëndësishme gjatë pandemisë, pasi më shumë njerëz mund të preferojnë votimin e hershëm dhe fletëvotimet në mungesë me postë në vend që të shkojnë në vendet e votimit në ditën e zgjedhjeve.

Gjatë dekadës së fundit, më shumë shtete kanë lejuar votimin e hershëm. Në korrik, një gjykatë federale e apelit rivendosi një ligj të mbështetur nga republikanët që i lejon zyrtarët e zgjedhjeve lokale të ofrojnë një periudhë dy javore votimi të hershëm para ditës së zgjedhjeve. Në zgjedhjet e kaluara në Uiskonsën Milluoki ofroi gati gjashtë javë votim të hershëm.

"Lufta për të drejtat e votimit do të jetë një çështje e ngarkuar politikisht deri në zgjedhje", thotë Willie Black, një profesor i shkencave sociale në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Jugut.

"Demokratët do të sfidojnë taktikat e shtypjes së votës, ndërsa republikanët do të bëjnë presion për më shumë kufizime votimi dhe më pak votime të hershme," i tha zoti Black Zërit të Amerikës. Ai shtoi se ka të ngjarë të ketë më shumë sfida ligjore në lidhje me votimin e hershëm dhe zgjerimin e votimit me postë.

Një pamje e përgjithshme

Shumë vëzhgues shohin një rritje të numrit të betejave ligjore për të drejtat e votimit që nga një vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 2013, (Qarku Shelbi në Alabama kundër Holderit), i cili rrëzoi dy dispozita në Aktin e të Drejtave të Votimit të vitit 1965 si antikushtetuese. Një nga vendimet hoqi kërkesat që disa shtetet dhe lokalitete të fitojnë paraprakisht miratimin federal para se të vendosin ndryshime në ligjet apo praktikat e tyre të votimit.

"Pa një proces rishikimi federal, ne kemi parë taktikat e shtypjes së votës masivisht në të gjithë vendin," tha Clarke. "Studimet kanë treguar që shkalla e spastrimit të listave të votuesve është gati 40 përqind më e lartë në shtetet me praktika të diskriminimit të votimit në të kaluarën."

Clarke tha se organizata e saj zbuloi se votues në Xhorxhia, Teksas, Karolinën e Veriut dhe Florida patën më shumë kufizime pas vendimit të Gjykatës së Lartë, duke shtuar, "Ne do të luftojmë në gjykata për të hequr skemat e pastrimit dhe përpjekjet për të mbyllur qëndrat e votimit".

"Unë mendoj se rregullat e votimit në shtetet jugore dhe qëndrore do të jenë në qendër të vëmendjes" në garën e vitit 2020, tha zoti Black. "Ne po përgatitemi për nivele të larta historike të pjesëmarrjes së votuesve, kështu që ka shumë punë për të bërë që shtetet të jenë të përgatitura për të zhvilluar zgjedhje të hapura dhe të suksesshme në nëntor".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG