Lidhje

Si ngjalli interesin e mbarë botës për muzikën xhaz Willis Conover


Një nga punonjësit më të famshëm të rrjeteve amerikane të transmetimeve ndërkombëtare të shekullit të 20 ishte përgjithësisht i panjohur në vendin e tij. Por Willis Conover, drejtues i emisionit të Zërit të Amerikës "Ora e Xhazit", ishte një personalitet me famë nga Varshava deri në Moskë, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Në 100 vjetorin e lindjes së tij, Mike O’Sullivan kujton ndikimin e Willis Conover-it.

Ditë të errëta për ata që gjendeshin pas Perdes së Hekurt, pasi Bashkimi Sovjetik shtriu kontrollin e tij deri në perëndim, në Gjermaninë Lindore.

Nga Uashingtoni, tingujt e një tjetër bote dëgjoheshin në radio.

"Kjo është 'Ora e Xhazit' e Zërit të Amerikës", çelte emisionin Willis Conover.

Thelonious Monk dhe Dizzie Gillepsie ishin ndër yjet e shumtë të xhazit që u shfaqën në programin e Willis Conover-it, duke tërhequr miliona dëgjues për mbi 41 vjet.

"Vinin në Zërin e Amerikës për xhazin dhe vazhdonin me lajmet", thotë Nicholas Cull, i Universitetit të Kalifornisë Jugore.

Lajme që ata nuk mund t'i merrnin në vendet e tyre.

"Muzika e xhazit simbolizon lirinë që kemi në Amerikë, diçka që jo çdo vend e ka", thoshte në radio Willis Conover.

"Xhazi si një formë arti nuk ishte thjesht një gjë e mrekullueshme për ta dëgjuar, por ishte diçka prej së cilës njerëzit mund të mësonin pa e kuptuar domosdoshmërisht se po mësonin prej saj", thotë Geoffrey Cowan, ish-drejtor i Zërit të Amerikës.

Willis Conover ofroi inkurajim për adhuruesit e xhazit në bllokun e Lindjes dhe, në vitin 1956, gjatë kryengritjes hungareze kundër dominimit sovjetik.

"Programi i vitit 1956 përfshinte muzikantë hungarezë që i kishin dërguar fshehurazi një kasetë Willis Conover-it", tregon Maristella Feustle, e Universitetit të Teksasit Verior.

"Është këtu për botën dëshmia e tyre e gjallë në gjuhën universale të muzikës", thoshte Willis Conover.

Zoti Conover shoqëroi turnetë e xhazit të Departamentit të Shtetit në Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Një teknik i Zërit të Amerikës, i cili më vonë punoi me Conover-in në shfaqjet e tij, ka kaluar shumë orë duke dëgjuar rrëfimet e tij.

"Gjendej aq thellë në botën e xhazit; muzikantët e njihnin dhe i besonin. Kjo ishte shumë e rëndësishme sepse kur ai filloi të punojë në Zërin e Amerikës, disa muzikantë e kritikuan. Në fakt, ishte ai që hapi pjesën tjetër të botës, kryesisht vendet e bllokut të Lindjes, me këtë muzikë", thotë Jim Cook, muzikant xhazi dhe teknik në Zërin e Amerikës.

"Ky është Zëri i Amerikës, Uashington D.C.", këndonte Louis Armstrong në valët e Zërit të Amerikës.

Willis Conover vdiq në vitin 1996, por la një trashëgimi. Ai e prezantoi botën me energjitë krijuese të xhazit dhe vendin që e lindi këtë muzikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG