Lidhje

Politikat energjetike në platformat e kandidatëve presidencialë


Presidenti Donald Trump ishte në Teksas këtë javë, për të folur për politikën e tij të “rikthimit të mbizotërimit në energji” në Shtetet e Bashkuara dhe kritikoi planin e rivalit të tij demokrat Joe Biden për energji të pastër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara analizon planet e dy kandidatëve për industrinë e energjisë, që është prekur rëndë nga pandemia dhe për të përballuar sfidat globale të mjedisit.

Kandidatët për president dhe politikat për energjinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Presidenti Donald Trump vizitoi njëplatformë nafte në Teksas këtë javë, duke e vënë theksin tek mesazhi i tij për rikthimin e mbizotërimit në fushën e energjisë. Ai e zgjeroi autorizimin për eksportin e gazit natyror të lëngshëm dhe nënshkroi leje për eksportin e naftës bruto të Teksasit.

Zoti Trump theksoi kontrastin mes planit të tij dhe atij të rivalit të tij demokrat, Joe Biden.

“Nuk mendoj se Biden do të dalë mirë në Teksas. Nuk e llogarit më. Platforma e tij nuk përfshin metodën fracking. Nëse këta politikanë të s majtës së skajshme, marrin pushtetin, ata do të shkatërrojnë jo vetëm industrinë tuaj por gjithë ekonominë amerikane. Programi i tyre përfshin rinënshkrimi i marrëveshjes së Parisit, të shpenzojnë miliarda dollarë që të na bëjnë jokonkurrues”, tha Presidenti Trump.

Teksasi ka votuar për republikanët në çdo zgjedhje që nga viti 1980. Por anketat e fundit tregojnë se zoti Biden ka një epërsi të lehtë ndaj presidentit Trump, pjesërisht për shkak të menaxhimit të pandemisë.

Ky shtet ka një varësi të madhe tek nafta dhe gazi, një industri e goditur rëndë nga COVID-19. Qindra-mijëra vetë kanë humbur vendet e punës. Kjo përbën problem për zotin Trump dhe partinë e tij, thotë strategjisti republikan nga Teksasi, Brendan Steinhauser.

“Sepse shumë nga punëtorët e kësaj industrie në Teksas janë republikanë dhe të gjitha fondet që jepen për mbështetjen e kandidatëve republikanë dhe Partisë Republikane, përfshirë Presidentin Trump, vijnë nga industria e energjisë”, thotë ai.

Në mes të korrikut, zoti Biden paraqiti planin e tij për të investuar 2 trilionë dollarë gjatë katër vjetëve, për të përshpejtuar përdorimin e energjisë së pastër në sektorët e transportit, energjisë elektrike dhe ndërtimit.

Fushata e tij e ka paraqitur këtë plan si pjesë e një sërë propozimesh për të ringritur ekonominë e dëmtuar rëndë nga pandemia dhe për të mbrojtur mjedisin.

“E vetmja gjë që i del nga goja për presidentit për ndryshimet klimatike, është ‘mashtrim’. Për mua, strategjia për mjedisin do të thotë ‘vende pune’”, thotë zoti Biden.

Ndërkohë fushata e zotit Trump thotë se programi i zotit Biden po paralizon industrinë e energjisë.

Strategjisti demokrat, Jared Leopold thotë se këto sulme nuk do të funksionojnë.

“Në shumë nga shtetet që janë sheshbeteja në zgjedhje, ka më shumë vende pune të lidhura me energjinë e pastër, sesa me atë tradicionale. Thjesht shihet ndryshe. Prandaj mendoj se zoti Biden e ka formuluar me zgjuarsi energjinë e pastër dhe mjedisin, si pjesë qendrore të planit të tij ekonomik”, thotë ai.

Nga ana tjetër, administrata e Presidentit Trump thotë se ka shënuar sukses në fushën e energjisë, duke i dhënë fund ndalimit të nxjerrjes së qymyrit, duke hequr rregullat e administratës Obama, dhe duke lejuar kërkimet për energji në territore publike, përfshirë në pjesë të Rezervatit të Alaskës.

Por këto lëvizje kanë hasur kundërshtimin e fortë të ambjentalistëve. Zgjedhjet e nëntorit do të përcaktjnë se ç’drejtim do të marrin çështjet e mjedisit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG