Lidhje

Kosovë: 7 viktima dhe 250 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi


Autoritetet në Kosovë thanë se në 24 orët e fundit 7 persona humbën jetën si pasojë e COVID 19, ndërkaq u regjistruan edhe 250 raste të reja të të prekurve nga kjo sëmundje.

Rastet e reja e çuan në 256 numrin e përgjithshëm të atyre që kanë humbur jetën nga pasojat e virusit, ndërsa në 9 mijë e 49 numrin e të infektuarve.

Numri më i madh i rasteve u regjistrua sërish në Prishtinë, pasuar nga Mitrovica, Peja, Gjilani dhe Prizreni.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 126 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 4 mijë e 989 raste.

Gjatë ditës, sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë, u hodhën në protestë para qeverisë së Kosovës me kërkesën për rritjen e pagesës për ata që punojnë në ndërrimin e natës.

Sipas sindikatës, një ndërrim i natës për këta punonjës shëndetësorë që zgjatë 12 orë paguhet 18 euro ndërsa kërkesa e tyre është që kjo shumë të dyfishohet në 36 euro.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, tha se protesta është thirrje për shtim të kujdesit për këtë komunitet që sipas tij ndodhet në vijën e parë të përballjes me koronavirusin.

“Unë besoj që kjo protestë është jashtëzakonisht e fuqishme sot që jeni duke e parë prapa meje sepse këta janë heronjtë që i quajti qytetari por në fakt heronj vetë në gjuhën e mirë dhe të bukur por në realitet ata sot paguhen 18 euro në një ndërrim të natës, e kërkesa jonë e drejtë dhe direkt ka qenë që nga 18 euro të bëhet 36 euro”, tha ai.

Zoti Havolli tha se një pjesë e këtyre punonjësve shëndetësorë përballet me rrezik të vazhdueshëm.

“Këto kërkesa nuk kanë të bëjnë me rroga por për një motivim që duhet t’u jepet këtij komuniteti i cili për dy javët e kaluara janë rreth 800 të infektuar në vend të punës. Ne nuk dimë se si mund t’i motivojmë dhe ndalemi ata që ta kenë një energji shtesë duke u kujdesur ende më shumë për të ruajtur vetën nga COVID-19”, tha ai.

Kosova po përballet muajve të fundit me periudhën më të rëndë shëndetësore që nga shfaqja e pandemisë, me numër të lartë të të infektuarve me COVID-19 dhe të viktimave nga pasojat e tij.

Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi mbrëmë se është prekur nga koronavirusi. Ai tha se do të qëndroj në izolim për dy javët në vazhdim dhe do të kryej detyrimet nga shtëpia.

Edhe zyrtarë të tjerë të partive politike dhe institucioneve janë prekur nga koronavirusi.

Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes pasi që sipas tyre spitalet e Kosovës po përballen me mbingarkim të kapaciteteve pasi që aktualisht Kosova ka rreth 700 shtretër për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG