Lidhje

Presidenti Trump shkarkon kryetarin e bordit të agjencisë TVA me arsyetimin se po punëson të huaj


Presidenti Donald Trump tha të hënën se ai ka shkarkuar Kryetarin e Bordit të Autoritetit të Luginës së Tenesisë, duke kritikuar korporatën në pronësi federale për punësim të punëtorëve të huaj.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai shkarkoi zyrtarisht kryetarin Skip Thompson dhe një anëtar tjetër të bordit, dhe ai kërcënoi se do të pushonte edhe anëtarët e tjerë të bordit nëse ata vazhdojnë të punësojnë të huaj. Thompson ishte emërua në post nga Presidenti Trump.

TVA është një korporatë në pronësi federale e krijuar në vitin 1933 për të ofruar ndihmë në vënien nën kontroll të përmbytjeve, për të prodhuar energji elektrike, plehra artificalë dhe për zhvillimin ekonomik në Luginën e Tenesisë, një rajon që u godit rëndë nga Depresioni i Madh. Rajoni përfshinë pjesën më të madhe të Tenesisë dhe pjesë të Alabamës, Misisipit, Kentakit, Xhorxhiasë, Karolinës së Veriut dhe Virxhinias.

Ai gjithashtu tha se bordi i TVA-së menjëherë duhet të punësojë një kryeshef të ri ekzekutiv i cili "vendos interesat e amerikanëve në radhë të parë". Sipas Presidentit Trump, shefi ekzekutiv, Jeff Lyash, fiton 8 milionë dollarë në vit.

"Drejtori i ri Ekzekutiv nuk duhet të paguhet më shumë se 500,000 dollarë në vit", tha Presidenti Trump. “Ne dëshirojmë që TVA të ndërmarrë veprime për këtë menjëherë. Kjo duhet të shërbejë si një paralajmërim për çdo bord të emëruar federal: Nëse tradhtoni punëtorët amerikanë, do të dëgjoni dy fjalë: "Të pushuar nga puna."" Presidenti Trump tha se Autoriteti i Luginës së Tenesisë po zëvendësonte shumë nga punëtorët e tij vendas të teknologjisë me kontraktuesë që mbështeten shumë tek punëtorët e huaj, bazuar në programin e vizave H1-B.

"Të gjithë punonjësit e TVA-së janë shtetas amerikanë", tha zyrtari për marrëdhëniet me publikun i kësaj agjencie, Jim Hopson. "Të gjitha punët që lidhen me departamentin e Teknologjisë së Informacionit të TVA-së duhet të kryhen në Shtetet e Bashkuara nga individë që mund të punojnë ligjërisht në këtë vend."

"Si një korporatë (e qeverisë) federale, anëtarët e Bordit të TVA-së i shërbejnë Presidentit (presidenti ka të drejt t’i shkarkoj)," shtoi Hopson.

Ndërsa Presidenti Trump po takohej me punëtorë që së shpejti do të pushoheshin nga Autoriteti i Luginës së Tenesisë, Presidenti Trump lexoi një mesazh që iu dha atij nga shefi i personelit, Mark Meadows që thoshte se Shefi Ekzekutiv i TVA-së, Jeff Lyash kishte telefonuar Shtëpinë e Bardhë dhe kishte premtuar se do të trajtonte shqetësimet e punonjësve. Disa nga të pranishmit, të cilët pritet të marrin rrogën e tyre të fundit në fund të këtij muaji, u përlotën ndërsa Presidenti Trump lexoi mesazhin.

Presidenti Trump e pranoi që ai u ndërgjegjësua për këtë çështje pasi pa një reklamë televizive të prodhuar nga Punonjësit Amerikanë të Sektorit të Teknologjisë, një ogranizatë jofitimprurëse që po bën thirrje për kufizimin e vizave për punonjësit huaj të sektorit të teknologjisë, që u transmetua në kanalin Fox News.

Grupi, i udhëhequr nga Kevin Lynn, kritikoi TVA-në për pushimin nga puna të punëtorëve të saj dhe zëvendësimin e tyre me punonjës me kontrata duke përdorur programin e vizave për punëtorë të kualifikuara, H-1B. Zoti Lynn tha se reklama kishte për synim të bindte Presidentin Trump që të ndalonte përpjekjet e TVA-së për të transferuar tek të huajt sektorin e saj të teknologjisë së informacionit.

Presidenti Trump bëri njoftimin ndërkohë që po nënshkruante një urdhër ekzekutiv që kërkon nga të gjitha agjencitë federale që të bëjnë një kontroll të brendshëm për të parë nëse ata po i zëvendësojnë punëtorët e kualifikuar amerikanë me njerëz nga vende të tjera. Shtëpia e Bardhë tha se urdhri do të ndihmojë që të ndalojë agjencitë federale që të zëvendësojnë padrejtësisht punëtorët amerikanë me punonjës të huaj me kosto më të ulët.

Urdhri pasoi njoftimin e TVA-së se do të transferonte 20 për qind të fuqisë së saj punëtore të sektorit të teknologjisë tek kompanitë e bazuara në vende të tjera. Sipas Shtëpisë së Bardhë, më shumë se 200 amerikanë të kualifikuar në Tenesi mund të humbasin vendet e tyre të punës ndaj punëtorëve të huaj me viza të përkohshme pune nga veprimi i TVA-së.

Por senatori republikan Lamar Alexander nga shteti i Tenesisë tha se TVA nuk merr para nga taksapaguesit amerikanë. Duke komentuar këtë çështje në prill, senatori Alexander tha se Shtëpia e Bardhë po përhapte dezinformata. Ai tha se pagat e shefave ekzekutivë të Autoritetit të Luginës së Tenesisë janë më të ulëta se sa ato të entiteteve të tjera të ngjashme në sektorin e energjisë në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG