Lidhje

Sekretari amerikan i Shëndetësisë vizitë në Tajvan, reagon ashpër Kina


Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane Alex Azar pritet të vizitojë Tajvanin në ditët në vijim, një veprim që ka shkaktuar zemërimin e Kinës, e cila e konsideron ishullin e vetëqeverisur pjesë të saj. Në një deklaratë të lëshuar të martën vonë, agjencia amerikane njoftoi se "vizita historike e zotit Azar do të forcojë partneritetin SHBA-Tajvan dhe bashkëpunimin mes tyre për të luftuar pandeminë globale".

Në njoftim thuhej se zoti Azar vlerësonte "suksesin e jashtëzakonshëm të Tajvanit në përpjekjet ndaj COVID-19 si një shoqëri demokratike e lirë dhe transparente".

Zoti Azar do të zhvillojë bisedime me ekspertë të shëndetësisë të Tajvanit lidhur me mënyrën se si e ka trajtuar ishulli pandeminë e koronavirusit dhe rolin e tij si një furnizues i besueshëm botëror me pajisje mjekësore e teknologji kritike.

Në muajin prill zoti Azar zhvilloi një konferencë të rrallë telefonike me homologun e tij të Tajvanit, ministrin e Shëndetësisë Chen Shih-chung.

Zyrtarët e përfaqësisë së Tajvanit në Uashington i thanë "Zërit të Amerikës" në një mesazh me email se "mezi presin të forcojnë bashkëpunimin mbi pandeminë dhe fusha të tjera si mjeksia, siguria e zinxhirit të furnizimit dhe shëndetit global".

Ministria e jashtme e Tajvanit njoftoi se gjatë vizitës së tij zoti Azar do të takohet gjithashtu edhe me Presidentin Tsai Ing-wen.

Të mërkurën zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin u tha gazetarëve në Pekin se Tajvani ishte "çështja më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet Kinë-SHBA” dhe i kërkoi Uashingtonit t'u japë fund të gjitha formave të kontaktit zyrtar me ishullin për të shmangur dëmtimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Zoti Weng tha se ministria i ka dërguar një notë proteste të fortë zyrtarëve në Uashington.

Kina dhe Tajvani u ndanë pas luftës civile në vitin 1949 pasi forcat nacionaliste të Chaing Kai-shek-ut u dëbuan nga territori kinez nga forcat komuniste të Mao Zedong-ut dhe u vendosën në ishull.

Por Pekini e konsideroi Tajvanin një provincë të shkëputur dhe është zotuar ta aneksojë atë me çdo mjet të nevojshëm, përfshirë dhe pushtimin ushtarak. Sekretari Azar do të jetë zyrtari amerikan më i lartë në kabinetin qeverisës që viziton ishullin që nga viti 1979, kur Uashingtoni ndryshoi zyrtarisht lidhjet diplomatike, nga Taipei me Pekinin. Ai do të jetë gjithashtu i pari zyrtar i kabinetit qeverisës amerikan që viziton Tajvanin që nga vizita në 2014 e administratores së Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit Gina McCarthy.

Vizita e tij e planifikuar është lëvizja më e fundit e administratës së Presidentit Donald Trump për të krijuar lidhje më të forta me Tajvanin dhe që me siguri do të ndezë më tej tensionet me Kinës lidhur me çështje të tregtisë, teknologjisë, kontrollit shtrëngues të Pekinit ndaj Hong Kongut si dhe rreth akuzave të administratës mbi shpërthimin e koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në qytetin kinez të Wuhanit, në fund të vitit të kaluar.

Tajvani ka pasur sukses befasues në bllokimin e koronavirusit me vetëm 476 raste të konfirmuara dhe shtatë vdekje. Tajvani nuk është as anëtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe as i Kombeve të Bashkuara për shkak të kundërshtisë së Pekinit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG