Lidhje

Tiranë: Sipas avokatëve të Ylli Ndroqit, policia synon të frikësojë gazetarët e RTV ORA


Alban Qafa, një nga avokatët e sipërmarrësit Ylli Ndroqi, pronar i dy televizioneve Tv Ora dhe Tv Ora News, deklaroi sot se vendimi i gjykatës për sekuestron preventive ndaj pronave të tij erdhi pas një sërë parregullsish ligjore dhe proceduriale, për të cilat ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Prania e forcave policore dukshëm e ekzagjeruar me nënshkrimin RENEA me maska, kapuç me automatik dhe me mjete të blinduara, që u vendosën për mbi 4 orë përballë gazetarëve, flet qartë se qëllimi është për të ndalur zërin e medias” - deklaroi avokati Qafa.

Ai e quajti “të nxituar e madje qesharake” faktin që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, e njohur si SPAK, nisi procedimin penal ndaj sipërmarrësit Ylli Ndroqi më 21 korrik dhe pas një jave i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të sekuestronte pasuritë e tij.

U vendos sekuestro mbi 26 pasuri për një aktivitet biznesi 29 vjeçar. Si është e mundur që gjithë këto u hetuan brenda 7 ditëve? Policia e Shtetit deklaroi se hetimet kane zgjatur rreth 18 muaj nën drejtimin e prokurorëve të SPAK. Por trupa e parë prej 8 prokurorësh të SPAK është betuar para presidentit të Republikës më 19 dhjetor 2019, pra vetëm 8 muaj më parë. Këto janë hetime të paligjshme nga policia gjyqësore, dhe lë vend për dyshim për shmangien e qëllimshme të prokurorisë nga ky hetim dhe mundësinë e keqpërdorimit të policisë në varësi të qeverisë” - theksoi avokati i zotit Ndroqi.

Ai deklaroi se sekuestro është e paligjshme, sepse nuk ka rrezik real për humbje, marrje apo tjetërsim të pasurive të zotit Ndroqi, dhe sepse ato nuk ndikohen nga ndonjë organizate kriminale dhe as po lehtësojnë veprimtaritë kriminale.

Avokati tha se klienti i tij nuk ka gjeneralitete: emri i parë ishte Xhemail Pasmaçiu dhe e ndërroi në vitin 1993 në përputhje me ligjet në fuqi, dhe mori për mbiemër toponimin e vendlindjes, Ylli Ndroqi, por këtë nuk e bëri për t’iu fshehur ndonjë organi hetimor shqiptar apo të huaj.

Ai bëri një histori të marrëdhënieve të sipërmarrësit Ndroqi me organet tatimore qysh nga viti 1991 si tregtar në Maqedoninë e Veriut, Greqi, Itali, kredi në banka dhe veprimtari të tjera.

Janë zotëruar prej zotit Ndroqi sipas ligjeve toka bujqësore, pylli, banesa, njësia exchange e valutave, automjetet të blera me kredi nga bankat, edhe TV ORA e kredituar nga bankat; të gjitha të audituara dhe të dokumentuara nga autoritetet” - deklaroi avokati i sipërmarrësit Ndroqi.

Agjencia e Pasurive të Sekuestruara mori të hënën nën administrim pasuritë e sipërmarrësit Ylli Ndroqi, i dyshuar për veprimtari kriminale.

Sipas vendimit të Gjykatës dhe kërkesës së SPAK-ut, për këto prona është caktuar një administrator nga Agjencia dhe po merret në shqyrtim dokumentacioni i një serie pronash të tij. Mes këtyre pronave është edhe radio-televizioni ORA.

Gazetarët e Televizionit ORA dhe komuniteti i gazetarëve shprehën shqetësim për praninë e një numri të pazakontë forcash policore në mjediset e televizionit.

Policia shkoi të hënën pranë RTV Ora për të shoqëruar inspektorët e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe zyrtarë të policisë gjyqësore për të zbatuar vendimin e gjykatës pas kërkesës së SPAK-ut për të sekuestruar pasuritë e sipërmarrësit Ylli Ndroqi.

Gjykata pranoi kërkesën nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, për vënien nën sekuestro të pasurive të sipërmarrësit Ylli Ndroqi, i dyshuar të jetë përfshirë në të kaluarën në trafik droge.

Sipas njoftimit zyrtar, në gushtin e vitit 1998 Ylli Ndroqi u arrestua në Turqi si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, së bashku me 6 persona të tjerë.

Po sipas SPAK-ut, Interpol Roma/Itali konfirmoi se në vitin 2004 Ylli Ndroqi ishte organizator i trafikimitt të drogës për një grup kriminal, ndaj është arrestuar në shkurt 2015, bazuar në urdhër arrestin e vitit 2006 nga Prokuroria e Milanos.

Por zoti Ndroqi dhe avokatët e tij pohuan se sulmet janë të motivuara politikisht për shkak të lajmeve në RTV Ora dhe përplasjeve gjyqësore me bashkinë e kryeqytetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG