Lidhje

Tiranë, ambasada e SHBA: Mbështesim punën e SPAK


Në Shqipëri ambasada amerikane i dha të premten në mbrëmje, një mbështetje të fortë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përmes një deklarate e cila u pasua nga një postim në Twitter i ambasadores Yuri Kim.

Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur”, thekson qëndrimi i ambasadës, duke shtuar më tej se “ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”.

Ndërsa ambasadorja Kim, ishte disi më konkrete kur në postimin e saj, menjëherë pas deklaratës së ambasadës, theksonte se “çështjet e rëndësishme shoqërohen shpesh me fushata të kushtueshme, për të mbjellë dyshime dhe konfuzion, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën e për t’i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me ndëshkimin e kriminelëve të njohur- asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK-un dhe Policinë e Shtetit”, mbyllet deklarimi i saj në Twitter.

SPAK-u u vu së fundmi në qendër të vëmendjes pasi në fillim të kësaj jave njoftoi se kishte urdhëruar sekuestrimin e pasurive të sipërmarrësit Ylli Ndroqi, pronar njëkohësisht i RTV ORA dhe ORA NEWS, nën dyshimet se në të kaluarën ka qenë i përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës, dhe në të paktën dy episode është arrestuar në Turqi dhe në Itali.

Avokatët e zotit Ndroqi deklaruan se sipas tyre bëhet fjalë për një çështje me sfond politik dhe ashtu siç kishin paralajmëruar, po të premten, paraqitën ankimin ndaj vendimit të Gjykatës për sekuestron. “Ankimimi ynë është shoqëruar me të gjitha provat që vërtetojnë se pasuritë e tij janë plotësisht të ligjshme”, deklaroi avokati Alban Qafa, duke hedhur poshtë faktin e përmendur nga SPAK-u se zoti Ndroqi është arrestuar në vitin 2015 në Milano, të Italisë. Sipas tij, edhe sekuestrimi është bërë në kundërshtim me ligjin e Antimafias dhe kriteret për vendosjen e sekuestros.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG