Presidenti amerikan, Donald Trump tha të premten se është i gatshëm të ndërmarrë masa ekzekutive, pasi anëtarët e Kongresit përsëri dështuan në përpjekjet për të arritur një marrëveshje lidhur me paketën e ndihmave për dhjetra miliona amerikanët që kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Zoti Trump tha në një konferencë për shtyp se po përgatiten urdhra ekzekutivë për të ruajtur pagesat e ndihmës sociale deri në fund të vitit, për të shtyrë afatin për shlyerjen e huave të studentëve dhe për të falur interesat për huatë dhe zgjatur afatin e ndalimit të nxjerrjes nga shtëpit të njerëzve që nuk mund të paguajnë qeratë deri në fund të vitit.
Nuk është ende plotësisht e qartë nëse ai ka autoritetin ligjor të ndërmarrë veprime të tilla ekzekutive. Po ashtu nuk ishte plotësisht e qartë se si do të fuksiononin këto masa, nëse ekzekutohen. Për shembull, nëse taksat për rrogat shtyhen për më vonë, nuk është e qartë nëse punonjësve do t'u duhet t'i paguajnë më pas në mënyrë retroaktive dhe nëse do të bëhej fjalë për një pagesë të vetme, apo të ndarë me këste.
Ligjvënësit republikanë nuk janë të interesuar për një paketë ekonomike që kushton më shumë se 1 trilionë dollarë. Demokratët nuk pranojnë një paketë më pak se 2 trilionë dollarë. Nuk duket të ketë hapësirë për të negociuar mes këtyre shifrave. Sipas njoftimeve, ligjvënësit nuk kanë planifikuar takime të mëtejshme.
Për miliona amerikanë kompensimi javor prej 600 dollarësh për papunësinë që kishin marrë që nga fillimi i pandemisë në mars, u ndërpre. Agjencitë e shërbimeve sociale kanë paralajmëruar se mungesa e pagesave të papunësisë mund të shkaktojë pasiguri ushqimore dhe përzënien nga shtëpitë për miliona amerikanë.
Facebook Forum