Lidhje

Angazhimi i kompanive në nxitjen e pjesëmarrjes së amerikanëve në votime


Angazhimi i kompanive në nxitjen e pjesëmarrjes së amerikanëve në votime
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Qindra kompani në Shtetet e Bashkuara po përdorin metoda të llojllojshme për t'i nxitur amerikanët të votojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Shumë prej tyre u japin punonjësve pushim të paguar në ditën e zgjedhjeve, ndërsa të tjerët po ndihmojnë njerëzit të regjistrohen për të votuar, duke ofruar bileta me çmim të ulët për transportin drejt qendrave të votimit dhe duke u ofruar ushqime falas pasi të arrijnë atje. Zëri i Amerikës bisedoi me një zëdhënës të një kompanie me punonjës në të gjithë botën dhe një ekspert politik i cili thotë se këto stimuj mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në nivelin e pjesëmarrjes në votime.

Amerikanët duhet të votojnë.Ky është mesazhi i qindra drejtuesve të kompanive në të gjithë vendin që janë zotuar të mbështesin të drejtën kushtetuese të punonjësve të tyre për të votuar.

Punëtorët nuk duhet të zgjedhin midis rrogës dhe votimit, thotë JJ. Huggins, zëdhënës i Patagonias, një kompani globale e veshjeve dhe pajisjeve për aktivitete në natyrë që ka rreth 2,000 të punësuar në Shtetet e Bashkuara.

Drejtorja e Përgjithshme e Patagonias u dha të gjithë punonjësve të kompanisë një ditë të paguar pushimi në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016.

"Me këtë veprim ajo i tregoi fuqisë punëtore të Patagonias se në ditën e zgjedhjeve asgjë nuk është më e rëndësishme sesa hedhja e votës", tha zëdhënësi Higgins.

Patagonia, e cila e përshkruan veten si një kompani aktiviste, është bashkëthemeluese e levizjes jo-partiake Koha për të Votuar, e cila drejtohet nga afro 600 biznese me qëllimin për të rritur pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet amerikane.

"Unë përmenda Walmartin. Ne kemi edhe kompani të tjera si Target, Best Buy, Visa, Deloitte, JP Morgan Chase, Twitter, Uber, Lyft, që së bashku punësojnë një numër të madh njerëzish me përgatitje të llojllojshme profesionale. Ne do të kemi një ndikim shumë më të madh."

Një përfshirje e këtij niveli e kompanive është thelbësore, duke patur parasysh që 35 për qind e njerëzve me të drejtë vote kanë përmendur orarin e punës si një faktor kryesor të mospjesëmarrjes në votime.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara mbahen tradicionalisht të martën, një ditë normale pune.

"'Kompanitë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë moment për t'u dhënë punëtorëve të tyre hapësirë dhe mundësi për të votuar, si dhe të përdorin markat dhe platformat e tyre për të krijuar një kulturë të angazhimit në shoqërinë civile", tha Nora Gilbert nga organizata Vote.org.

Organizata Vote.org punon me kompani si Patagonia për të zbatuar politika dhe praktika miqësore të votimit.

"Ky është një kombinim i heqjes së pengesave që lidhen me punën dhe sigurimit të informacionit dhe burimeve në mënyrë proaktive për punonjësit e tyre", tha Nora Gilbert nga organizata Vote.org.

Në qershor, kreu i Facebookut, Mark Zuckerberg tha se kompania e tij do të ndihmojë katër milionë njerëz që të regjistrohen për të votuar.

"Kjo përfshinë informacione mbi regjistrimin e votuesve, votimin me postë dhe votimin e parakohshëm", tha ai.

Uber, kohët e fundit njoftoi se përveç pushimit me pagesë në ditën e zgjedhjeve, do të ofrojë edhe burime të tjera në platformat Uber dhe Uber Eats për të ndihmuar njerëzit të regjistrohen për të votuar dhe për të dalur në votime, dhe planifikon të ofrojë ushqime për njerëzit që do të presin në radhë për të votuar.

Numri i madh i kompanive që janë inkurajuese dhe po ofrojnë lehtësira për amerikanët që ata të votojnë është i pa precedent, thotë zonja Gilbert. Ajo do të donte të shihte një anagazhim më të madh.

"Ne do të dëshironim të shihnim 100 milionë njerëzit që nuk votuan në zgjedhjet e fundit, të votojnë këtë vit. Ne duam të gjejmë mënyra të trajtimit sistematik të këtij problemi dhe të heqim çdo pengesë në punën tonë kritike në 100 ditët e ardhshme", tha ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG