Lidhje

Shtohet rezistenca globale ndaj maskave


Grumbullimi i Motoçikletave në Stërxhis të Dakotës së Jugut, 7 gusht 2020

Ekspertë të shëndetit publik kanë dalë në të njëjtin përfundim: vënia e maskave, larja e duarve dhe distancimi fizik ndihmojnë për të penguar përhapjen e koronavisurit. Por, shpjegon korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi, ndërkohë që rastet e diagnostikuara me këtë virus kanë shkuar në afro 20 milionë në shkallë botërore, lëvizja që i bën rezistencë maskave, po vë në rrezik përpjekjet parandaluese.

Të premten, në Stërxhis të Dakotës së Jugut u organizua Grumbullimi i Motoçikletave, një traditë vjetore 80-vjeçare. Pjesëmarrësit nuk dukeshin të shqetësuar nga epidemia. As spektatorët nuk dukeshin të prirur të ndiqnin këshillat e ekspertëve, të cilët thonë se distancimi fizik dhe vënia e maskës janë kritike për të penguar përhapjen e sëmundjes që deri tani ka infektuar më shumë se pesë milionë amerikanë.

“Nuk marrim masa, veprojmë si zakonisht. Mendojmë se në masë të madhe kjo është një situatë e fabrikuar, me motive të caktuara,” thotë një pjesëmarrës.

Pjesëmarrës si Jim Busch i quajnë të ekzagjeruara rreziqet që përmenden nga sëmundja, megjithëse ekspertët ofrojnë prova që dëshmojnë të kundërtën.

Presidenti Donald Trump ka vënë maskë në disa raste të rralla në publik.

Eksperti amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci thotë se masat për t’u mbrojtur janë të thjeshta në këtë pandemi:

“Shmangni turmat e çdo lloji, pavarësisht se ku organizohen sepse turmat janë përçuse të infeksionit. Mos u përpiqni të krahasoni një turmë me një tjetër. Kur je në mes të turmës, sidomos nëse nuk ke vënë maskë, do të ketë infektime të reja,” thotë Dr. Anthony Fauci.

Megjithatë në mbarë botën po fuqizohet lëvizja që sfidon këshillat e ekspertëve. Në Shtutgart të Gjermanisë u zhvillua një tubim kundër maskave.

“Kam ardhur pasi besoj tek Krishti. E gjithë kjo gjë që lidhet me koronavirusin është anti-Krisht, është kundër shpëtimtarit tonë. Shumë veta nuk e dinë se kjo në të vërtetë është një lëvizje kundër Zotit,” thotë një protestues.

Të tjerët kërkojnë përgjegjësi personale për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Po tregojnë shumë egoizëm. Rregulla të tilla janë të nevojshme në këtë periudhë, përndryshe virusi do të përhapet me shumë lehtësi. Ndoshta për të rinjtë nuk do të jetë sëmundje e rëndë, por mund të infektojnë të tjerët pa dashje”, thotë Nada, e cila merr pjesë në një demonstratë pro-maskave.

Sipas autoriteteve lokale, tubimi në Shtutgart grumbulloi rreth 2,000 pjesëmarrës. Në Dakotën e Jugut sipas zyrtarëve, rreth 100,000 vizitorë pritet të marrin pjesë gjatë Grumbullimit 10-ditor të Motoçikletave. Zakonisht ky aktivitet tërheq afro 500,000 pjesëmarrës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG