Lidhje

Shkup, Zaev-Ahmeti arrijnë marrëveshjen për qeverisjen


Udhëheqësit e Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti finalizuan të martën marrëveshjen për koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

Zoti Zaev do të jetë kryeministër për pothuajse gjithë mandatin, por sipas marrëveshjes në njëqind-ditëshin e fundit, posti i kreut të qeverisë do t’i lihet partisë shqiptare. Kryetari i parlamentit do të jetë nga radhët e BDI-së. Talat Xhaferi do të vazhdojë të qëndrojë në krye të legjislativit.

As zoti Zaev as zotit Ahmeti nuk dhanë hollësi të tjera lidhur me ndarjen e ministrive të rëndësishme, si ajo e Rendit, e Financave apo e Mbrojtjes.

Ata thanë në një konferencë të përbashkët shtypi se marrëveshja u arrit përmes një veprimi të guximshëm të të dyja palëve.

Socialdemokrati Zaev tha se “marrëveshja e koalicionit për krijimin e shumicës parlamentare, për ndarjen e përgjegjësive, përbërjen dhe parimet e qeverisë së re me mandat të plotë do t’i përkushtohet në katër vitet e ardhshme interesit të qytetarëve dhe të shtetit”. Ai shtoi se marrëveshja do të kalojë sonte dhe nesër në organet më të larta të të dy partive siç janë Këshillat Qendrorë për t’u miratuar.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës si dhe Lëvizja Besa që doli në zgjedhje bashkë me LSDM-në.

Zoti Zaev shprehu mirënjohje për ate që e cilësoi: “madhështi, durim e mençuri” nga ana e zotit Ahmeti për këtë marrëveshje.

Zoti Ahmeti tha se është shumë i bindur se ky vendim i marrë sot do të mirëpritet nga çdo qytetar i vendit dhe nga partnerët që kanë ndihmuar shtetin në rrugën e tij drejt integrimit euro-atlantik. Ai iu shmang pyetjeve lidhur me tërheqjen nga këmbëngulja e deritashme për një kryeministër shqiptar, ndërsa tha se deri tani shqiptarët në qeveri kanë dëshmuar forcimin e besimit mes komuniteteve.

“Çështja e kryeministrit ka qenë dhe mbetet një porosi që afron dhe që komuniteti shqiptar të dëshmojë për një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme me qytetarë të bashkuar”, tha Ahmeti. Ai e quajti të guximshëm vendimin e zotit Zaev që në njëqind ditët e fundit vendin t’ia lërë në dorë një përfaqësuesi të BDI-së.

Marrëveshja u arrit në kuadër të afatit prej 20 ditësh nga seanca hapëse e parlamentit.

Lidhja Social Demokrate me katër deputetët e Lëvizjes Besa ka 46 vende dhe me 15 deputetët e BDI-së përbëjnë shumicën e nevojshme prej 61 votash në parlament për ta miratuar kabinetin e ri qeveritar, ndërkohë që koalicionit i bashkohet edhe deputeti i vetëm i Partisë Demokratike Shqiptare.

Social-demokrati Zoran Zaev ka paralajmëruar qysh në fushatë se do ta zvogëlonte numrin e anëtarëve në kabinet duke hequr shtatë ministrat pa portofol.

Ndërkohë edhe sot kanë vazhduar përplasjet midis BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët. BDI-ja akuzon këtë të fundit për mungesën e dinjitetit dhe përpjekjet për minimin e bisedimeve për qeverinë “duke u endur korridoreve të LSDM-së dhe VMRO-së me lutje për mosrealizimin e kërkesave të shqiptarëve”, siç thuhet në një komunikatë.

Nga ana tjetër “Aleanca” kërkonte nga BDI-ja që të kalojë në opozitë për shkak se nuk arriti ta realizojë premtimin për "kryeministrin e parë shqiptar" në Maqedoninë e Veriut, që ishte një mashtrim, sipas saj, i elektoratit shqiptar.

Sidoqoftë, qeverinë e re e presin shumë sfida, si ballafaqimi me pandeminë e koronavirusit, lufta kundër korrupsionit, bisedimet me Bashkimin Evropian dhe reformat në gjyqësor.

LSDM-ja dhe BDI-ja pritet të vazhdojnë edhe realizimin e një sërë premtimesh që nga mandati i kaluar, siç është vetingu i politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve të larta, apo pastrimi, siç e quan z. Zaev i radhëve të prokurorëve dhe gjykatësve nga të korruptuarit, e më pas regjistrimi i popullsisë e reforma të tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG