Lidhje

Angazhim ndërkombëtar për të zgjidhur krizën në Bjellorusi


Presidenti amerikan Donald Trump të martën tha se ai do të zhvillonte bisedime me Rusinë lidhur me situatën e krijuar në Bjellorusi pas protestave kundër udhëheqësit të vendit Aleksandër Lukashenko.

Zoti Trump tha se “protestat duket se ishin kryesisht paqësore”. Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump, shtoi se "nuk duket të ketë shumë demokraci në Bjellorusi”, një vend që ka parë një valë protestash që pas zgjedhjeve presidenciale të 10 ditëve më parë, që opozita thotë se u manipuluan.

Ndërkohë po të martën Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se kishte diskutuar rreth krizës në Bjellorusi me presidentin rus Vladimir Putin. Lajmi i paraprin një takimi urgjent të nivelit të lartë të vendeve të Bashkimit Evropian, gjatë të cilit udhëheqësit e bllokut pritet të shprehin solidaritetin e tyre me protestuesit në Bjellorusi.

Zoti Michel, i cili do të kryesojë video-konferencën e së mërkurës me 27 udhëheqësit e BE-së, nuk dha detaje rreth bisedës së tij me zotin Putin, por në një postim në Twitter ai shkruante se "vetëm dialogu paqësor dhe gjithëpërfshirës mund ta zgjidhë krizën". Një zyrtar i BE-se tha se gjatë bisedës 30-minutëshe, Michel-Putin "u diskutuan mënyrat më të mira për të inkurajuar dhe ndihmuar dialogun brenda Bjellorusisë për një fund paqësor të krizës", duke përfshirë mundësinë e lënies së kësaj çështjeje në duart e OSBE-së. Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde ka propozuar të vizitojë Minskun në rolin e saj si kryetare e radhës së OSBE-së, një organizatë sigurie që përfshin si vendet perëndimore dhe ish-republikat sovjetike, e që shpesh ndërmjetëson problematikat në rajon.

BE-ja ka rënë dakord të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve të Bjellorusisë të cilët i konsideron përgjegjës për manipulimin e zgjedhjeve të 9 gushtit dhe goditjen e dhunshme të protestave masive që pasuan zgjedhjet. Aleksandër Lukashenko, udhëheqësi prej një kohe të gjatë i Bjellorusisë, thotë se zgjedhjet i dhanë atij një fitore dërrmuese. Kundërshtarët e zotit Lukashenko thonë se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Krahas sanksioneve, udhëheqësit e BE-së pritet t'i dërgojnë një mesazh Rusisë që të mos ndërhyjë në ish-republikën sovjetike. Presidenti rus Vladimir Putin i ka ofruar ndihmë ushtarake presidentit Lukashenko “për të garantuar sigurinë e Bjellorusisë”, sipas një njoftimi të Kremlinit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi se kishte diskutuar të martën rreth situatës në Bjellorusi me presidentin Putin dhe se i kishte theksuar atij rëndësinë e garantimit të lirisë për të protestuar. Prej zgjedhjeve të 9 gushtit Bjellorusia është tronditur nga protestat masive dhe ndërhyrja e dhunshme e policisë.

Kremlini bëri të ditur se Presidenti rus ka zhvilluar një bisedë telefonike të martën edhe me homologun të tij francez Emmanuel Macron. Në njoftim thuhej se zoti Putin i tha zotin Macron se ndërhyrja në punët e brendshme të Bjellorusisë, ose ushtrimi i presionit mbi udhëheqjen e vendit, ishte diçka e papranueshme. Po sipas Kremlinit të njejtin mesazh ai i ka përcjellë edhe kancelares gjermane Angela Merkel.

Po sot (e martë) Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, nderoi me medalje zyrtarët e policisë, të cilët në 10 ditët e fundit e kanë ndihmuar atë të shtypë protestuesit që kërkojnë largimin e tij nga pushteti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG