Lidhje

Republikanë me peshë mbështesin demokratin Joe Biden në Kuvend


I
I

John Kasich, ish-guvernatori republikan i shtetit të Ohajos, doli jashtë linjës së partisë së tij të hënën kur foli në Kuvendin Kombëtar Demokrat në mbështetje të kandidatit presidencial të pritshëm demokrat, Joe Biden.

“Unë kam qenë gjithmonë republikan, por përkatësia partiake vjen pas përgjegjësisë ndaj vendit tim. Prandaj vendosa të flas në këtë kuvend. Në kohëra normale, diçka e tillë ndoshta nuk do të kishte ndodhur kurrë, por këto nuk janë kohëra normale ", tha zoti Kasich në fjalimin e tij të regjistruar në natën e hapjes së kuvendit katër-ditorë të Partisë Demokrate.

Zoti Kasich, i cili ishte një nga rivalët më të ashpër të Presidentit Donald Trump në garën për të marrë emërimin presidencial republikan në vitin 2016 dhe ishte i fundit që doli nga gara, është ndoshta republikani më i spikatur që kundërshton rizgjedhjen e presidentit Trump dhe mbështet kandidaturën e zotit Biden.

Fjalimi i tij, ndërsa u mirëprit qartë nga fushata e zotit Bidenit, u hodh poshtë nga republikanët konservatorë që e cilësuan atë si tradhëti dhe për përfitime personale. Edhe disa demokratë progresistë u ankuan se zotit Kasich po i jepej një vëmendje e pamerituar natën e parë të kuvendit.

Konservatori anti-Trump

Një republikan i përjetshëm, Kasich ishte një konservator i paepur dhe i guximshëm kur shërbeu si ligjvënës në vitet 1990. Ai u bë kryetar i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve në kohën kur Newt Gingrich ishte kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve dhe u angazhua në negociata të debatueshme me Presidentin e atëhershëm demokrat Bill Klinton për të miratuar reformën e ndihmës sociale, uljen e taksave dhe një buxhet të ekuilibruar.

Zoti Kasich ishte gjithashtu një mbështetës i lëvizjes Tea Party në vitin 2010 që kundërshtoi përpjekjen e ish-Presidentit demokrat Barack Obama për të zgjeruar programin Medicaid, një program i mbështetur nga qeveria që ofron kujdes shëndetësor për të varfërit.

Më vonë, si një guvernator i Ohajos për dy mandate, Kasich mbajti një qëndrim më të moderuar dhe praktik, duke bërë kompromise me opozitën për të miratuar legjislacione dhe përfundimisht ra dakord të zgjeronte programin Medicaid në shtetin e tij.

Zoti Kasich ka qenë një kritik i vazhdueshëm i politikës së presidentit Trump Amerika e Para, veçanërisht për praktikat e tregtisë proteksioniste, rregulloret kufizuese të imigracionit dhe ato që ai i quajti taktika "përçarëse" të presidentit që kanë rritur polarizimin politik në vend.

Kasich mbështeti procesin e ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump nën pretendimin e mbajtjen së ndihmës për Ukrainën për të siguruar favore politike kundër Biden-it dhe djalit të tij, Hunter Biden. Presidenti Trump përfundimisht u lirua nga akuzat në një gjyq në Senat që përfundoi më 5 shkurt.

Në vitin 2016, Kasich tha se ai nuk votoi për Trump-in, por nuk mund të mbështeste as kandidaten demokrate Hillary Clinton. Në vend të kësaj, ai hodhi votën e tij për ish-senatorin John McCain nga Arizona, i cili ishte kandidati presidencial republikan i vitit 2008. McCain vdiq në gusht të vitit 2018.

Në hapjen e kuvendit demokrat të kësaj jave, Kasich së bashku me republikanë të tjerë të zhgënjyer - ish-ligjvënësja e shtetit të Nju Jorkut Susan Molinari, ish-guvernatoren e Nju Xhersit Christine Todd Whitmanand dhe Meg Whitman, drejtore ekzekutive e kompanisë Quibi - shprehën mbështetje për Biden-in dhe po përpiqen të bindin gjithashtu republikanët e tjerë që të kapërcejnë vijat partiake dhe të votojnë kandidatin demokrat.

"Unë e di se Joe Biden-i, me përvojën, mençurinë dhe vendosmërinë e tij, mund të na bashkojë për të na ndihmuar të gjejmë rrugën më të mirë", tha Kasich.

Projekti Lincoln, një komision i aksionit politik kundër Trump-it, i udhëhequr nga republikanët, gjithashtu ka publikuar reklama që mbështesin fushatën e Biden-it.

"Ata pak a shumë po krijojnë këtë portë që të ndjehen mirë ata republikanë që nuk po e votojnë kandidatin republikan", tha strategu republikan Rob Stutzman në një intervistë me Zërin e Amerikës.

Asnjë republikan nuk e ka fituar ndonjëherë presidencën pa fituar shtetin e Ohajos ku ka shërbyer zoti Kasich si guvernator. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2016, zoti Trump fitoi në Ohajo me më shumë se 8 pikë përqindje ndaj zonjës Klinton. Sondazhet e fundit në Ohajo tregojnë një garë shumë të ngushtë mes zotit Biden dhe zotit Trump.

Kasich përballë kritikëve

Fushata e Presidentit Trump ka minimizuar dezertimin e zotit Kasich, dhe kritikët thonë se John Kasich është nxitur nga ambiciet e tij të ardhshme presidenciale.

"A e ndaloi ai ndonjëherë kandidimin për president? A u tërhoq ai zyrtarisht në vitin 2016 apo ende po kandidon në të vërtetë?" pyeti gjatë një interviste të fundit me Associated Press, komentatori konservator Ben Shapiro.

Barry Bennett, një këshilltar republikan që punon për republikanë të shumtë në Ohajo, e përshkroi Kasich-in si një "politikan të papunë që kërkon audiencë të dëshpëruar", në një intervistë për gazetën Roll Call.

Edhe disa demokratë progresistë, ishin të pakënaqur që konservatori Kasich, i cili mbështet kufizimet e abortit dhe kundërshton planin për të vendosur kujdes shëndetësor universal dhe për të rritur programet e ndihmës ekonomike, iu dha një kohë e çmuar për të folur në kuvend.

Ligjvënësja demokrate progresiste Alexandria Ocasio-Cortez, një yll në rritje në parti, të cilës i është dhënë vetëm një minutë kohë për të folur në kuvend, tha të hënën në Twitter se ndërsa Kasich është i mirëpritur të shprehë mbështetjen e tij për Biden, "një republikan që lufton kundër të drejtave të grave nuk duhet të thotë se kush është apo nuk është përfaqësues i partisë demokrate. "

Votime për palën kundërshtare

Ndërsa ndodh rrallë që një udhëheqës me peshë i një partie të flasë në kuvendin e partisë kundërshtare, nuk është diçka e pashembullt.

Senatori demokrat Zell Miller nga Xhorxhia miratoi rizgjedhjen e Presidentit George W.Bush në Kuvendin Kombëtar Republikan në vitin 2004.

Senatori i atëhershëm Joe Lieberman nga Kënektikati, i cili kishte qenë kandidat demokrat për nënpresident në vitin 2000, foli në kuvendin republikan 8 vjet më vonë për të mbështetur senatorin McCain.

Dhe në vitin 2016, Michael Bloomberg, i cili kishte qenë një kryetar bashkie republikan i qytetit të Nju Jorkut, mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar Demokrat që mbështeti Hillary Klintonin.

XS
SM
MD
LG