Lidhje

Covid-19, Universiteti i Karolinës së Veriut anulon mësimin në kampus 


FILE - People remove belongings on campus at the University of North Carolina in Chapel Hill, N.C., March 18, 2020.
FILE - People remove belongings on campus at the University of North Carolina in Chapel Hill, N.C., March 18, 2020.

Universiteti i Karolinës së Veriut në Chapel Hill, një nga universitet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, anuloi procesin mësimor në sallat e mësimit pas një shpërthimi të koronavirusit.

Kalimi i papritur plotësisht tek mësimi në distancë vjen një javë pas fillimit të semestrit të vjeshtës. Universiteti kishte krijuar mundësinë e mësimit në distancë për shumicën e lëndëve mësimore në muajin mars pas vendosjes së masave kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Të hënën, zyrtarët e universitetit thanë se 177 nxënës kishin rezultuar pozitiv për koronavirusin dhe 350 të tjerë ishin në vetëizolim në konviktet dhe banesat jashtë kampusit për shkak të ekspozimit të mundshëm ndaj personave të infektuar.

"Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pakënaqësinë që këto ndryshime do të shkaktojnë për shumë studentë dhe prindërit e tyre", thuhet në një deklaratë me shkrim të kancelarit të Universitetit të Karolinës së Veriut në Chapel Hill, Kevin M. Guskiewicz, dhe dekanit, Robert A. Blouin.

"Ne kemi punuar me zell për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe të sigurtë të jetes dhe mësimit në kampus, por besojmë se të dhënat aktuale paraqesin një situatë të papërballueshme."

Rreth 30,000 studentë universitarë, të magjistraturës dhe doktoraturës studiojnë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Zyrtarët e shkollës thanë se shumë studentë përdorin maskat në kampus dhe po zbatojnë masat e distancimit fizik.

Për përhapjen e koronaviorusit, ata fajësuan një numër të vogël studentësh, të cilët shkuan në restorante ku ofrohet alkool dhe ahengje jashtë kampusit, duke mos respektuar masat e distancimit fizik.

Të paktën dy universitete të tjera, Universiteti Shtetëror i Oklahomës dhe Univeristeti Notre Dame, kanë raportuar shpërthime të Covid-19, dhe zyrtarë në disa universitete të tjera thanë se ata kishin frikë se e njejta gjë mund të ndodhte edhe në universietetet e tyre.

Virus Outbreak Higher Education
Virus Outbreak Higher Education

Zyrtarët e Universitetit Shtetëror të Oklahomës kanë urdhëruar një grup studentësh që të vetëizolohen, pasi në konviktin e tyre ishin konfirmuar 23 raste me koronavirus.

Të paktën 58 studentë në Universitetin Notre Dame në Indiana kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 që nga fillimi i gushtit. Zyrtarët e univerisitetit u njoftuan për këto raste të premten në mbrëmje. Studentët dhe personeli i universitetit u njoftuan për rastet të shtunën përmes një emaili, sipas mediave lokale.

"Si student, unë jam tepër i shqetësuar", tha Ryan Novozinsky, student i vitit të tretë në Universitetin Shtetëror të Oklahomës. "Unë duhet të komunikoj me këta njerëz. Do të ketë profesorë me të cilët ata komunikojnë dhe janë në distancë të afërt fizike, duke filluar nga sot, që nuk do të mund ta luftojnë këtë (koronavirusin)".

Shumë kolegje amerikane ofrojnë mësim përmes internetit dhe në kampuset e tyrekëtë vjeshtë, duke nxitur thirrjet nga studentët për ulje të kostos së shkollimit. Dy divizionet kryesore të ligës së futbollit amerikan në nivel kolegji, Big Ten dhe Pac-12, kanë anuluar garat për sezonin vjeshtor, dhe është e paqartë se çfarë vendimi do të marrin divizionet e tjera.

"Nëse nuk doni të mbroni veten tuaj dhe nuk doni të mbroni familjen, miqtë dhe mijëra vende pune, ndoshta, ju do të dëshironit të mbronit sezonin e futbollit kështu që ne të mund ta zhvillojmë atë këtë vjeshtë", tha Walt Maddox, kryebashkiaku demokrat i Tuskalusës në Alabama, ku ndodhet Universiteti i Alabamës. Fotografitë e studentëve pa maska dhe duke mos repsektuar masat e dsitancimit fizik janë shfaqur në mediat sociale.

Shtohen rastet e infeksioneve në azilet e pleqve

Numri i rasteve të infektuarve me koronavirus në azilet e pleqve në Shtetet e Bashkuara u rrit në afro 80 përqind mes fundit të qershorit dhe fundit të muajit korrik, sipas një raporti të publikuar të hënën nga Shoqata Amerikane e Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrës Kombëtare për Azilet e Pleqve.

Ekspertët thonë se vizitorët dhe punonjësit e azileve të pleqve që ishin asimptomatikë mund të fajësohen pjesërisht për shtimin e rasteve me shpejtësi.

Megjithatë, shefja e qendrave që mbikëqyrin shëndetin e moshës së tretë dhe shërbimet mjekësore, Seema Verma, tha se inspektorët federal dhe të shteteve “kanë vënë re punonjës që nuk lanin duart, duke u mbledhur në dhomat e pushimit dhe që nuk kishin veshur siç duhet pajisjet e mbrojtjes personale. Të gjitha testimet në botë mund të dalin keq nëse punonjësit nuk zbatojnë praktikat themelore të kahershme për kontrollin e përhapjes së infeksionit që qeveria federale ka autorizuar për vite me radhë.”

Shpërthimi i madh i COVID-19 në Shtetet e Bashkuara ishte në një shtëpi pleqsh pranë qytetit Siatëll në muajin shkurt. Të moshuarit janë kryesisht të rrezikuar nga koronavirusi dhe shumë prej tyre kanë probleme shëndetësore të mëparshme që e bëjnë të pamundur që ata pacientë të sherohen nëse preken nga koronavirusi.

Disa ilaçe ekzistuese tregojnë shenja premtuese

Shkencëtarët në Fakultetin Pritzker të Inxhinierisë Molekulare në Unviersitetin e Çikagos kanë gjetur se një ilaç që përdorej për trajtimin e çrregullimeve bipolare dhe humbjen e dëgjimit, tregon premtime si një trajtim i mundshëm për COVID-19. Sipas këtij studimi, ilaçi lidhet vetvetiu me një enzimë kryesore që lejon virusin të shumohet.

Ilaçi Ebselen bllokon funksionimin e kësaj enzime, thonë hulumtuesit. Shkencëtarët thanë se filluan studimin me një synim për gjetjen e një dobësie tek koronavirusi sepse kjo ndjeshmëri mund të ishte e dobishme në zhvillimin e terapive të reja kundër Covid-19. Sudimi është publikuar në revistën “Science Advances” me 14 gusht.

Virusi përhapet në Francë dhe Libi

Policia franceze u dislokua në rajonin e Marsejës të hënën për siguruar zbatimin e rregullave të reja për tregjet e fermerëve në natyrë.Në Francë ka patur disa reagime të dhunshme lidhur me zgjerimin e mandateve për përdorimin e maskave.

Franca njoftoi më shumë se 3 mijë raste të reja vetëm në një ditë të dielën, një nga shifrat më të larta të infektimeve që kur ai vend liroi masat e mbylljes së vendit në muajin maj. Franca ka patur 242,650 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 30, 302 të vdekur, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Zyrtatët e shëndetësisë në Libi thonë se kanë frikë se virusi po del jashtë kontrollit, dhe një rritje e rasteve të reja po e ngarkon edhe më tej sistemin mjekësor tashmë të tendosur nga lufta civile.

Numri i rasteve ditore me koronavirus në Libi është shtuar me disa qindra që nga përhapja e sëmundjes. Ai vend ka afro 8,200 raste të konfirmuara dhe 153 vdekje.

Zyrtarët e shëndetit thonë se shumë libianë nuk po respentojnë masën e distancimit fizik dhe po zhvillojnë dasma të mëdha dhe funerale.

“Ata duhet ta dinë se virusi është i vërtetë, viktimat janë reale dhe vdekjet janë të vërteta”, tha Ahmed al-Hasi, zëdhënës i komisionit shtetëror të shëndetësisë, përgjegjës për të luftuar virusin në pjesën lindore të Libisë.

Por disa libianë thonë se ekonomia e vendit, e shkatërruar nga lufta e ka bërë pothuaj të pamundur që ata të blejnë maska.

“Unë preferoj të blej bukë për fëmijët e mi”, tha një shofer taksie në Tripoli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG