Lidhje

Tensionet brenda Partisë Komuniste Kineze, flet zyrtarja e përjashtuar


Një zyrtare e brendshme e Partisë Komuniste Kineze e përjashtuar së fundi prej saj, po flet për tensionet në rritje mes zyrtarëve të nivelit të lartë, në një kohë kur politikat e rrepta të Presidentit Xi Jinping po e çojnë Pekinin drejt konflikteve të tjera me vendet demokratike.

Të hënën Partia Komuniste e Kinës njoftoi se një prej anëtarëve të brendshëm të saj për një kohë të gjatë, Cai Xia, një ish-profesore në shkollën elitare të Partisë Qendrore, ishte përjashtuar nga partia dhe se i ishte hequr e drejta për pension. Kohët e fundit Cai Xia ka folur në mbështetje të një kritiku tjetër të partisë, biznesmenit Ren Zhiqiang, dhe e ka quajtur udhëheqësin kinez Jinping "bos të mafias".

Në një intervistë ekskluzive me shërbimin në gjuhën Mandarin të "Zërit të Amerikës", zonja Cai tha se zoti Xi po përballet me një kundërshtim të gjerë brenda partisë dhe po bën gjithçka mundet për të ruajtur stabilitetin e brendshëm. Kjo shpesh nënkupton përdorimin e një shumëllojshmërie metodash për të shtypur zërat ndryshe.

"Ekziston një rregull mes drejtuesve të partisë. Sa më shumë presion të ketë nga jashtë, aq më shumë i frikësohen problemeve të brendshme. Falë ndryshimeve të mëdha brenda dhe jashtë vendit, ata po përpiqen të shuajnë edhe zërat më të zbehtë ndryshe për të ruajtur stabilitetin brenda partisë", tha ajo.

Sipas zonjës Cai, thelbi i punës së partisë që nga viti 2019 ka qenë “siguria politike”. Ajo tha se aktualisht në Kinë "siguri politike" do të thotë që zoti Xi ta ketë “të sigurt” pozicionin e tij si udhëheqësi më i lartë i partisë. Dëbimi i zonjës Cai ka gjasa të ketë nisur në qershor, kohë gjatë së cilës një regjistrim audio ku dëgjohej zëri i saj, u publikua në internet dhe shumë shpejt u përhap gjerësisht në median sociale kineze.

Sipas njoftimeve regjistrimi ishte realizuar gjatë një mbledhjeje mes të ashtuquajturëve "të kuqve e gjeneratës së dytë", ku zonja Cai akuzoi zotin Xi si "bos të mafias" dhe Partinë Komuniste Kineze si një "kavje politike". Ajo konfirmoi për "Zërin e Amerikës" se zëri i regjistruar ishte i saj.

Termi "i kuq i gjeneratës së dytë" nënkupton që prindërit ose gjyshërit e një personi kanë mbajtur poste të nivelit të lartë brenda partisë, një trashëgimi që garanton praktikisht, qasje më të mirë tek pushteti dhe përfitime më të mëdha ekonomike sesa ato që janë në dispozicion për një anëtar të thjeshtë të partisë. Njoftimi i së hënës për përjashtim nga partia sipas zonjës Cai sjell "probleme serioze politike" pasi ajo bëri komente që "dëmtuan reputacionin e Partisë".

Si një anëtare e “të kuqve të gjeneratës së dytë” dhe një profesore e shkollës së partisë, zonja Cai mbante një pozitë të rëndësishme brenda partisë dhe kritikat e saj qarkulluan gjerësisht në internet. Anëtarët e brendshëm të partisë rrallë flasin publikisht kundër zotit Xi. Fakti që autoritetet i hoqën gjithashtu pensionin shkaktoi një valë diskutimesh në rrjetet e mediave sociale kineze.

"Nuk është për t'u habitur të shohësh që Partia Komuniste Kineze dëbon ata që kanë mendime të ndryshme", tha zonja Cai për Zërin e Amerikës në gjuhën mandarin. “Por megjithatë lidhja e pikëpamjeve politike me pensionin apo heqja e përfitimeve është si të të mohojnë të drejtën për të jetuar. Kjo tronditi gjithë shoqërinë kineze", tha ajo.

Zonja Cai shtoi se ka në plan të ankohet për vendimin dhe të përdorë ligjin për të mbrojtur të drejtat e saj “pavarësisht se cili do të jetë rezultati".

Zonja Cai është intelektualja më e fundit që ndëshkohet për qëndrimin e saj kritik ndaj Presidendit Xi. Në korrik profesori i së drejtës Xu Zhangrun, i cili i ka shprehur hapur mendimet e tij, u shkarkua nga universiteti Tsinghua për botimin e artikujve kritikë ndaj udhëheqjes kineze.

Disa javë më parë, Ren Zhiqiang, një biznesmen me ndikim i njohur me nofkën "Reni, topi i madh" për shkak të sulme të hapura ndaj Partisë Komuniste dhe zgjerimit të pushtetit të presidentit Xi, u dëbua nga partia dhe pritet të përballet me akuza penale.

Lindur në vitin 1952, zonja Cai ka qenë prej kohësh anëtare e brendshme e Partisë Komuniste Kineze dhe gjithashtu një mbrojtëse e fortë e liberalizimit politik. Zonja Cai ka studiuar dhe ka dhënë mësim mbi ideologjinë e Partisë Komuniste në shkollën e Partisë Qendrore të Kinës që nga viti 1992. Themeluar në vitin 1933 dhe me nofkën "djepi i kuadrove të Partisë Komuniste Kineze", shkolla e Partisë Qendrore është një institut i arsimit të lartë që trajnon zyrtarët e Partisë Komuniste të Kinës, veçanërisht ata që kanë potencial të ngrihen në hierarkinë e partisë. Në një takim shkollor në vitin 2015, zonja Xi theksoi se "mësimdhënia, studimet dhe aktivitetet në shkollën e Partisë duhet të ndjekin vijën politike të saj" dhe se shkolla duhet të jetë "shumë e qëndrueshme me Partinë në të gjitha aktivitetet e saj politike dhe ideologjike".

Zonja Cai, ei cila nuk ndodhet në Kinë, tha se Pekini duhet të kalojë përmes transformimit politik drejt demokracisë, lirisë politike, sundimit të ligjit dhe kushtetutës. Ajo tha se në mënyrë që vendi ta arrijë këtë objektiv, presidenti Xi duhet të tërhiqet e të zbusë sipas saj, terrorin dhe presionin ndaj shoqërisë. Në të njëjtën kohë vetë partia duhet të ndryshojë.

"Partia Komuniste kineze tashmë është një kavie politike. Nuk mendoj se ajo mund të kryejë transformim politik për shoqërinë kineze. Vetë partia duhet të shpërbëhet", tha ajo.

Zonja Cai shtoi se brenda partisë ka shumë njerës të shquar. Ajo u bëri thirrje atyre që të mblidhen e të krijojnë parti të tjera politike në vend.

"Së bashku, ata mund të kryejnë një reformë të vërtetë në Kinë dhe mund të shohim përparim të vërtetë në shoqëri", tha ajo.

Sipas saj ka shumë anëtarë të partisë që ndajnë mendime të ngjashme me të. "Nuk mendoj se jam vetëm", tha zonja Cai për VOA-n në gjuhën Mandarin. "Mendoj se 60 deri 70 për qind e anëtarëve të partisë kanë të njëjtin mendim si unë, por ata nuk guxojnë të flasin hapur nga frika e hakmarrjes", siç u shpreh ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG